Suedia është i vetmi vend në botë që nuk ka marrë asnjë masë kufizuese ndaj koronavirusit, edhe pse aktualisht ka 5 mijë të prekur dhe 230 të vdekur nga ky virus.
Fotot e mëposhtme tregojnë se jeta në Suedi, vazhdon si zakonisht, a thua se bota nuk gjendet në luftë me një virus të frikshëm!
Zyrtarisht nuk ka akoma asnjë konfirmim nëse Suedia po ndjek parimin e imunitetit të masës, që thotë se duhen infektuar 60 përqind e popullsisë për të fituar imunitetin e popullatës.
Por Daily Mail shkruan se Suedia mund të pësojë një katastrofë të vërtetë, nëse nuk merr masa kundër koronavirusit dhe vazhdon jetën normalisht, sikur s’ka ndodhur gjë.
Dhe frika është se këta njerëz, nëse infektohen, mund të shpërndahen në Europë dhe të përkeqësojnë situatën.
Në Suedi, fëmijët deri në moshën 16-vjeçare ende shkojnë në shkollë, Dyqanet, restorantet dhe kafiteritë janë të hapura, ndonëse një masë e fundit e prezantuar lidhur me koronavirusin u ndalon konsumatorëve bërjen e porosisë në banak – vetëm shërbimi në tavolinë është i lejuar.
Kufijtë e këtij shteti nuk janë mbyllur dhe grumbullimet e më shumë se 50 personave ende janë të lejuara. Deri më 27 mars, ai numër ka qenë deri në 500. Në qyteza dhe qytete tjera, njerëzit ende janë duke mbushur rrugët, sheshet dhe transportin publik.
Madje nëpër rrugë është e vështirë të shihni dikë duke mbajtur maskë mbrojtëse. Ditëve të fundit, mijëra persona janë nisur nëpër qendra të skijimit në veri, ku ka pak objekte spitalore.
Rekomandimi më i ashpër nga qeveria deri më tani ndaj qytetarëve ka qenë që këta të fundit të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme dhe u kanë nisur këshillë shoqërore atyre që janë mbi moshën 70-vjeçare, që të qëndrojnë në shtëpi.
Të gjitha këto imazhe janë vështirë të kuptueshme në shtetet tjera nordike, ku kufijtë ndërkombëtarë veçse janë mbyllur javën e kaluar dhe ka nisur vëzhgimi i distancimit shoqëror.
Prandaj, politikat suedeze duken si fantazi totale për shumë njerëz në vendet tjera të BE-së, të cilët pritet të përballen me masa edhe më të ashpra sesa ato që kanë tani.
Kritikët thonë se niveli i ulët i testimeve në fakt mund të fshehë numër të madh të personave të infektuar.
Përgjatë fundjavës, kryeministri suedez, Stefan Lofven ka bërë një fjalim drejtuar kombit – diçka që në këtë shtet është shumë e pazakonshme – në të cilën ai ka theksuar nevojën e përgjegjësisë dhe solidaritetit, mirëpo nuk ka njoftuar për marrjen e masave të reja, ndonëse ka përmendur që kufizimet shtesë mund të jenë të domosdoshme për një periudhë të shkurtër kohore.
Pavarësisht faktit që shumica e suedezëve janë të vetëdijshëm që shteti i tyre po vepron çuditshëm në këtë kohë virusi, megjithatë duket se ka mbështetje të plotë për qeverinë.