Çeta e profiterëve letrar, të cilëve nuk iu del pensioni i magazionerit në Shqipëri, vijnë dhe fusin tureçkën nëpër “grazhdet” e Kosovës e Maqedonisë dhe dalin prej “stallave” krijuese me autorë të mbaruar taze. Nuk është me rëndësi se çfarë ere mbajnë produktet e tyre. E rëndësishme është forma, që nganjëherë i ngjason edhe bajgës, dhe mjafton të zë një vend në truallin e etshëm për pleh letrar
Nga Emin AZEMI
Po thonë se në Kosovë e Maqedoni është gjetur ilaçi për tu bërë frik e frik shkrimtar. Sidomos ata që kanë mungesë të theksuar talenti, por që kanë shumë dëshirë t’iu diel emri nëpër kopertina librash, po angazhojnë me pagesë pensionistë nga Shqipëria (magazionerë, ish ushtarakë, brigadierë, specialist për tufëzim dhish), të cilët dikur kishin patur ëndërr të bëheshin poetë, mirëpo kishin dështuar në këtë tentativë. Ata tani po i kompensojnë pasionet e tyre të rinisë dhe nga qyteti në qytet, nga nahia në nahi, këtu në Maqedoni e Kosovë, po lëvizin si një çetë profiterësh letrar dhe po gjejnë kandidatë për t’u bërë shkrimtar. Këta shkrues me pagesë kanë tarifat e tyre dhe sa më i rëndë shpërblimi, aq më të trasha dalin librat, pa çka se në to nuk ka kurrfarë vlere letrare. Ku pyesin këta mercenarë të skribomanisë për vlera? Për njërën palë (ata që shkruajnë me pagesë) me rëndësi është të zhvatin sa më shumë lekë, për palën tjetër (ata që duan të bëhen shkrimtarë) të bëhen emra të afirmuar brenda natës. Priti pastaj promovimet, njërin pas tjetrit, teksa radhiten poetë të shpifur e autorë të vërtetë, të cilët flasin për të njëjtin libër sikur të ishin dy autorë të ndryshëm. S’ka më katastrofë se të shohësh kinse recensionistin tek flet për librin që e ka shkruar vet, kurse kinse poeti (autori i shpifur) shet poza të krijuesit serioz dhe qeras me autograme gjithë ata që presin në radhë për të marrë librin. Ky i fundit madje merr edhe ndonjë çmim të parë, të cilin e ndan/vlerëson autori me pagesë, sepse vetëm ai ia din “vlerat” broçkullës që ai i thotë poezi.
Na u mbush populli me poet. S’mbet kush pa u bë autor librash. Ata që s’e kanë fatin të jenë në këtë grup, ngelin përgjithmonë jashtë rrjedhave të letërsisë së tredhur.
Dikur ishte më problem të botosh libër. Madje ishte edhe njëfarë privilegji të jesh në mesin e emrave të nderuar të letrave. Edhe atëherë kishte do korrigjime që bëheshin në emër të redaktimeve, mirëpo si dukuri ishte më e izoluar. Edhe atëherë dilnin autorë të shpifur nga “inkubatorët” e shkrimtarëve të afirmuar, por vërehej prej aeroplani joorigjinaliteti dhe falsiteti i tyre, ndonëse plot prej indigo/autorëve edhe sot mundohen të shkëpurdhin në plehërishtën e tyre të quajtur “rrethi letrar”.
Çeta e profiterëve letrar, të cilëve nuk iu del pensioni i magazionerit në Shqipëri, vijnë dhe fusin tureçkën nëpër “grazhdet” e Kosovës e Maqedonisë dhe dalin prej “stallave” krijuese me autorë të mbaruar taze. Nuk është me rëndësi se çfarë ere mbajnë produktet e tyre. E rëndësishme është forma, që nganjëherë i ngjason edhe bajgës, dhe mjafton të zë një vend në truallin e etshëm për pleh letrar.
Na u plehërua ambienti krijues nga kjo furtunë botimesh pa kriter. Një Zot e di se kur do të merr fund kjo furtunë, por është e sigurt se si popull do të përfitojmë shumë sepse do të fillojmë të flasim me rimë dhe do të përshëndetemi poetikisht. Poezi dhe vetëm poezi do të rrjedhë në jetën tonë dhe nuk do të mund ta ngremë kryet nga kjo “torishtë” hajvanësh krijues. Të takosh një poet sagllamë sot mund ta quash veten me fat, sepse çeta e profiterëve letrar po punon me të madhe që të imponojë masën e tyre pseudokritike dhe rirreshtimit në hierarkinë e shpifur të vlerave. (koha.mk)