Çështje mendësie!

73

Kompania e njohur e orizit Uncle Ben, ka vendosur të ndryshojë emrin dhe logon. Do quhet Bens Original dhe do heqë nga logo një zezak, sepse edhe emri edhe logo konsiderohen të papërshtatshme me tone raciste duke sugjeruar se zezakët s’mund të jenë Zotërinj e Zonja dhe se me oriz merren vetëm ata me ngjyrë. Kompania këtë e bëri vetë, as me subvencione e as me sugjerime nga qeveria. Çështje mendësie e reflektimi të realitetit dhe kohës kur vepron

Nga Nazim RASHIDI

Jemi në një kohë, ku zhvillimi jonë shoqëror duket se ka një kthim prapa, ose më mirë thënë ngecje. Në fakt është e guximshme ta thuash këtë, sepse shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe në rajon mbase jetojnë periudhën më të qetë dhe më me zhvillim në histori, por nga ana tjetër sa më shumë marrin përgjegjësi shqiptarët, aq më shumë përballja me veten të bën të mendosh e të pyesësh, a jemi aty ku duhet? A kemi bërë aq sa duhet për arritjen e zhvillimit me të tjerët që janë zhvilluar tashmë? Ose si ka mundësi që idealet e vetëm pak viteve më parë për barazi e përparim të zëvendësohen me idealin e pasurimit të pangopshëm dhe vetëm nga pushtetarët?

E thashë, është e guximshme ta konstatosh se kemi një ngecje, kur krahasohemi me historinë, por kur e shohim të tashmen e krahasohemi me të zhvilluarit, në të cilën të tashme ende s’ka rrugë, ende s’ka ujë, ku ende korrupsioni është plagë, ku klasat e shkollave shndërrohen në dhoma faljeje si xhami, ku spitalet janë si të dalë nga lufta e ne jemi shekulli 21, atëherë e kupton se në fakt e gjitha ka të bëjë me momentin shoqëror në të cilin jemi dhe i cili nuk prodhon reflektimin e dëshirave ku duhet të jemi me realitetin. E gjitha është gjendja mendore dhe shpirtërore ku jemi. Ose më saktë e gjitha është gjendje mendore dhe shpirtërore e atyre që udhëheqin. (Po po edhe ne kemi gisht këtu, sepse votohen prej nesh megjithatë…)

Por e dini çka është e pafalshme? Se ata që e dinë këtë situatë problematike, madje edhe që e kuptojnë mirë, heshtin. Heshtin mendimtarët, profesorët, shkencëtarët, artistët e sportistët… Të tjerët që kanë pushtet dhe që e dinë gjithashtu problemin dhe situatën që s’reflekton me dëshirat për zhvillim e përdorin në favorin e tyre, manipulojnë….Dhe të tjerë që e ndjejnë dhe e vuajnë këtë gjendje totalisht mospërputhëse edhe me mundësitë që ka prodhuar shoqëria por edhe me dëshirat dhe elanin për përparim flasin e shkruajnë me shpresën se do ndikojnë për mirë.

Por pamja është pikëlluese.

Do i referohem dy ngjarjeve që janë në diskutim ka disa ditë.

E para është mungesa e femrave në ekzekutiv. Veç një zëvendës ministre shqiptare, nga radhët e PDSH-së dhe asnjë tjetër.

E dini çfarë tregon kjo?

Nuk ju plas fare, ama fare realiteti. Tregon se as mendojnë për barazinë, as e ndjejnë nevojën për reflektim dhe as që duan të përpiqen të ndryshojnë se me gjasë reagimet e presionet nuk i prekin.

Dhe nuk është çështje veç e barazisë gjinore. Shikoni, barazia është respektim i lirisë së tjetrit. Kjo është një gjë e madhe. Dhe ta respektosh lirinë e tjetrit, nëse je rritur me ndjenjën e sundimit, duhet ti, si sundues ta bësh hapin prapa e të tërhiqesh. Por kjo mendësi nuk përfshin vetëm garën mashkull–femër. Por në gjithçka dhe në të gjitha fushat.

Të duash barazinë, është koncept me të cilin duhet të jetosh e të cilin duhet ta promovosh. Në fakt kjo ngecja e shoqërisë tonë, këtu duket. Se përveç një “na falni se gabuam” s’do ketë asgjë tjetër. Në vitin 2011 në Francë, parlamenti solli një ligj i cili, vini re: Detyronte kompanitë të mëdha, që cilat janë të listuara në berza dhe ato që kanë mbi 500 punëtorë, ose të cilat kishin të ardhura mbi 50 milion euro, në bordet e tyre ekzekutive të kenë femra.

Sot 44 për qind e kompanive PRIVATE, kanë femra. Analiza thotë se mos ishin kuotat dhe ligjet nuk do arrihej kjo gjë. Por këtë ligj e sollën meshkujt e parlamentit, atëherë partia e presidentit Sarkozy dhe socialistët në opozitë. Të gjithë së bashku, pra çështje mendësie. Dakord, duhej me vite të flitej për barazinë madje ende flitet dhe u arrit kjo në Francë. Dikush do thotë tek ne sapo ka filluar të ngrihet zëri. Çështja për mua është se si ka mundësi që nuk mësojmë nga përvojat e tjerëve dhe ngecja e mos zhvillimi këtu ndodh, sepse mungon dëshira, motivi apo dhe kauza për të arritur këto standarde.

Kjo është ajo që dhemb. Dhe thashë s’është çështja veç tek barazia gjinore, por tek mendësia dhe reflektimi i saj edhe në politikë. Në një kontekst tjetër më të gjerë shoqëror e përtej shqiptar. U fol e flitet ende ajo që u cilësua si “punësime etnike”. Një masë që sugjeronte subvencione për kompani private që do punësonin punëtorë nga grupe tjera etnike. Shikoni, mbase për mua, reagimin më të mirë e dha për këtë masë një komentues në rrjetet sociale , (për fat të keq që nuk ia mbaj mend emrin) i cili tha “më gjeni punë se gjuhën e mësoj vetë”.

Por këtu është esenca. Shqiptarë, maqedonas e të tjerë kur ikin nga ky vend, nuk dinë gjuhët e vendit ku shkojnë, por gjinden. Madje gjinden aq mirë sa për disa vite integrohen, disa madje dalin edhe në majat e shoqërive të tjera ku shkojnë. Por e dini pse?

Sistemi. MENDËSIA.

Mendësia e vendeve ku shkojnë, ku mundësitë të barabarta për të gjithë pavarësisht dallimeve dhe ku zotëron mendësia se i zoti merr atë që meriton. Masat e tilla shfaqen kur ka problem me barazinë ose me sistemin. Masa e shfaqur nga qeveria ka një problem. Del e pa argumentuar. Nëse e krahasoj me atë Francës për barazinë gjinore, para se ligji të miratohej, kishte studime të cilat sugjeronin se sa vështirë e ka një femër të jetë në borde ekzekutive për shkaqe paragjykuese dhe aftësie. Ligji pastaj jepte subvencione për aftësimin e grave dhe më pas detyronte kompanitë që ato të përfaqësohen me kuota.

Por në rastin e “punësimeve etnike”? Masa duket se është marrë me përshtypje. Nuk pashë (të më falin nëse jam gabim) studim se sa vështirë e ka një shqiptar të punësohet për shkaqe paragjykimi në një kompani maqedonase.

Dhe tek aftësia… ahhh. Këtu del ana tjetër e medaljes. Ata që e kundërshtuan këtë masë, veç këtu u kapën. Në kompani private mungesa e aftësisë nuk diskutohet. Nuk mundet të jesh i paaftë dhe të të mbajnë në punë. Kjo asnjëherë s’ka qenë çështje. Por nëse je i aftë një lloj e ke një dallim, a do të kishin punësuar?

Supremacia në këtë rast maqedonase më shumë, sepse ata kanë kompanitë më të mëdha në vend këtu u shfaq. Refuzuan idenë në emër të paaftësisë, për dikë që as e njohin, për më keq akoma për dikë që as që do merrte guximin të konkurronte sepse paragjykon pronarin maqedonas se nuk do e marrë në punë se është shqiptar. Edhe këtë që e them unë është përshtypje. Sepse s’kam parë një studim nëse shqiptarët konkurrojnë ose jo për punësime në kompani maqedonase dhe a mendojnë se paragjykohen. Por s’do flisja për supremacinë maqedonase, nëse do dëgjoja, një. Të paktën një opinionist, i cili edhe pse mbi bazën e përshtypjeve do thoshte: Është një treg burimesh njerëzore që se njohim. Mbase ka të aftë, pse mos e vëmë në shënjestër? Por jo. Gjithë u kapën tek aftësia, duke sugjeruar se masa nxit punësimin e të paaftëve, në këtë rast shqiptarë. E tmerrshme.

Kjo më pengoi. Por edhe kjo është çështje mendësie. Sepse privat ose shtet, nëse s’ke mendësi nuk bëhet ndryshimi. Po sot kur shkruaj këtë tekst, kompania e njohur e orizit Uncle Ben, ka vendosur të ndryshojë emrin dhe logon. Do quhet Bens Original dhe do heqë nga logo një zezak, sepse edhe emri edhe logo konsiderohen të papërshtatshme me tone raciste duke sugjeruar se zezakët s’mund të jenë Zotërinj e Zonja dhe se me oriz merren vetëm ata me ngjyrë.

Kompania këtë e bëri vetë, as me subvencione e as me sugjerime nga qeveria. Çështje mendësie e reflektimi të realitetit dhe kohës kur vepron. Prandaj, edhe një herë, privat ose shtet, pa këtë mendësi progresive ngecja do vijojë.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Comments are closed.