Çështja jonë ka filluar të lëvizë mbrapshtë!
Shumë dijetarë vendës dhe të huaj këtë shekull e kanë cilësuar si shekulli i shqiptarëve, por kjo ka të bëjë me rrethanat e reje të krijuara pas rënies së regjimit komunist, ndërsa pak njerëz kanë mundur ta paramendojnë se me krijimin e rrethanave të reja nuk do të ndryshojë edhe mentaliteti i njerëzve, sidomos i elitave intelektuale, të cilat duhet të jenë pararojë e ndryshimeve pozitive në një shoqëri...
Delvina KËRLUKU
Abdulla Mehmeti (Voka) u lind në Shipkovicë të Tetovës, më 2 janar 1962. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme në Gjimnazin e Tetovës. Arsimin e lartë e kreu në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Filologjisë – Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Njëkohësisht studioi me korrespodencë edhe në Fakultetin Juridik të po këtij Universiteti. Studimet pasuniversitare i ka ndjekur në Universitetin e Shkupit, për kulturologji në fushën e letërsisë. Gjatë kohës së studimeve në Prishtinë, ishte pjesë aktive në lëvizjen studentore dhe demonstratat e vitit 1981. Për bindjet e tij politike u dënua me burg dhe iu morën të gjitha të drejtat qytetare, për shkollim të mëtejmë, punësim dhe zhvillimin e veprimtarive publike. Në vitet e 90-ta ishte formues i Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni. Ishte pjesë e Kuvendit themelues të Universitetit të Tetovës, më 1994. Ndërsa, si veprimtar, studiues dhe krijues i lirë, deri më vitin 2002. Ku, për herë të parë u punësua si profesor i gjuhës dhe komunikimit në Shkollën e mesme për kuadro të ekonomisë “Mosha Pijade”, në Tetovë. Vetëm pas një viti do të largohet nga puna, për arsye të panjohura, të motivuara nga politika ditore dhe qarqet antishqiptare në radhët e partive politike shqiptare në Maqedoni. Në vitin 2007, punësohet në Universitetin e Tetovës. Deri më tani ka publikuar me dhjetëra punime shkencore, publicistike, analiza politike dhe studime për kulturën, gjuhën dhe letërsinë shqipe, në shumë gazeta, revista dhe publikime të tjera. Ka marrë pjesë në disa konferenca, simpoziume, tribuna dhe manifestime të tjera shkencore. Përveç që kryen detyrën e kryetarit i disa asociacioneve kulturore dhe shkencore shqiptare në Maqedoni, si: kryetar i Bashkësisë Kulturore Shqiptare, kryetar i Forumit Kombëtar të Forcave të Bashkuara, është edhe anëtar i organeve drejtuese të disa asociacioneve kulturore dhe shkencore brenda dhe jashtë vendit, ku merr pjesë aktive në organizimin e veprimtarisë së tyre. Në shkurt të vitit 2016 është zgjedhur Shef i Seksionit për Evropën, i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave edhe Arteve, dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të kësaj Akademie, me seli në Nju Jork, si dhe Kryetar i Degës në Maqedoni të kësaj Akademie (me shtrirje të aktiviteteve edhe Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi), me seli në Shkup. Aktualisht jeton në Tetovë dhe punon në Universitetin Shtetëror të Tetovës.
KOHA: Z. Mehmeti, duke lexuar biografinë Tuaj, fitohet përshtypje se gjithë jetën ia keni kushtuar çështjes kombëtare. Mund të na thoni me disa fjalë se cila është gjendja konkrete e shqiptarëve në Maqedoni? Ç‘kanë arritur në planin shoqëroro-politiko-ekonomik dhe atë arsimoro-kulturor?
MEHMETI: Gjendja e sotme e shqiptarëve në Maqedoni është tepër e rëndë, me tendenca përkeqësimi të mëtejmë, nëse nuk do të ndërmerren masa konkrete për parandalimin e tendencave negative që e kanë përfshirë shoqërinë shqiptare, sidomos gjatë viteve të fundit. Shumë dijetarë vendës dhe të huaj këtë shekull e kanë cilësuar si shekulli i shqiptarëve, por kjo ka të bëjë me rrethanat e reje të krijuara pas rënies së regjimit komunist, ndërsa pak njerëz kanë mundur ta paramendojnë se me krijimin e rrethanave të reja nuk do të ndryshojë edhe mentaliteti i njerëzve, sidomos i elitave inteleketuale, të cilat duhet të jenë pararojë e ndryshimeve pozitive në një shoqëri. Përballë strategjisë për mbajtjen edhe më tej të shqiptarëve në pozitë të varur, të nënshtruar dhe nën sundim, shqiptarët nuk arritën të ndërtojnë një strategji për mbrojtjen e tyre, zhvillim dhe progres, siç ua mundësuan proceset e reja demokratike. Përkundrazi, procesin e pluralizmit shqiptarët e filluan mbrapshtë, ose ua imponuan faktorë të tjerë strukturën e udhëheqësve politik me mentalitet të vjetër nga ish sistemi, me çka shqiptarët më tepër janë dëmtuar se sa janë ndihmuar. Shoqëria shqiptare sot nuk është në rrugë të mbarë të zhvillimit, por në rrugë të shkatërrimit, moral, politik, ekonomik dhe kulturor, me tendenca të tkurrjes etnike dhe të zvogëlimit të hapësirës për jetë të lirë dhe të denjë qytetare. Më tepër se kurrë, sot jeta, ekzistenca dhe qenia shqiptare është e këncënuar dhe rrezikuar, nga politikanët e vetë dhe qarqet e huaja, nga veset e politikanëve dhe pseudointeligjencies, përgjithësisht nga ligësitë e të gjitha llojeve nga pushteti dhe mënyra jodemokratike e sundimit. Të gjithë këto, gati sa e kanë shndërruar jetën e shqiptarëve në një ferr të vërtetë. Asnjëherë gjatë historisë shqiptarët nuk kanë qenë më keq të sunduar, të mashtruar dhe plaçkitur siç janë sot. Korrupsioni dhe kriminaliteti, pasiguria dhe mungesa e perspektivës në vend, padrejtësitë dhe pashpresa, i kanë detyruar shumicën e qytetarëve, sidomos të rinisë shqiptare, të largohen në botën e jashtme, jo për jetë më të mirë, por thjeshtë për sigurimin e ekzistencës. Këtu politikën e bëjnë njerëzit e lig dhe të papërgjegjshëm, që kurrë nuk kanë denjuar të japin llogari për dështimet e tyre në pushtet. Periudha e stërzgjatur e të ashtuquajturit tranzicion demokratik po vazhdon ende, edhe pas tri dekada dështimesh, stagnimi, krize dhe kaosi të përgjithshëm në shoqëri. Kjo pasqyrë e errët nuk është shprehje e pesimizmit, por duhet të shërbejë si alarm për zgjimin tonë, që ta kuptojmë se është koha e fundit për të ndërmarrë masa konkrete dhe të menjëhershme për tejkalimin e kësaj gjendje tejet të pashpresë. Shqiptarët kanë potencial ekonomik dhe kadrovik, traditë shtet formuese dhe forcë morale për ndërtimin dhe konsolidimin e një shoqërie të përparuar, demokratike dhe progresive, për ndërtimin e shtetit ligjor, zhvillimin e ekonomik, forcimin e institucioneve të pushtetit, përparimin arsimor, shkencor dhe kulturor, përparimin e demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut, dhe për këtë nuk duhet të presim ditë më të mira. Koha është sot të investojmë për të ardhmen tonë më të mirë.
KOHA: Keni reaguar gati për çdo ngjarje të rëndësishme që ka pasur të bëjë me shqiptarët. Por partitë tona politike kanë vazhduar me “itinerarin” e trenave të tyre. Përse?
MEHMETI: Kjo pyetje kërkon një përgjigje më të plotë, më sqaruese dhe gjithëpërfshirëse, për t’u kuptuar nga lexuesit se cili është thelbi, nyja e këtij problemi që kërkon zgjidhje. Demokracia si proces, fatkeqësisht u kuptua mbrapshtë nga shqiptarët, si edhe nga shumica e popujve në shtetet e ish bllokut socialist. Transformimi demokratik i shoqërisë në të gjitha këto vende, sidomos në vendin tonë, është zhvilluar si proces e kontrolluar nga strukturat e ish sigurimeve të shtetit në këto shtete, dhe kjo ka qenë fatkeqësia kryesore. Fatkeqësia tjetër ka ndodhur edhe me fajin tonë, meqë strukturat e pushtetit të ri krijuan strategji të re për t’i mashtruar qytetarët, duke shkatërruar gjithçka, çdo vlerë nga e kaluara, në ekonomi, industri, institucione dhe infrastrukturë, në emër të demokracisë, të së resë që duhej të sjellë ndryshime në shoqëri, zhvillim dhe progres, frymë të re, qytetërim, më shumë liri dhe të drejta për qytetarët, por kjo fatkeqësisht nuk ndodhi. Në vend të saj u promovuan antivlera me të cilat nuk ishte përballur kjo shoqëri më parë, si korrupsioni, krimi i organizuar, rritja në përmasa galopante e prostitucionit, drogës dhe shumë fenomeneve të tjera devijante në shoqëri. Është e vërtetë se unë kam reaguar vazhdimisht për parandalimin, ose kundërvënien e qytetarëve ndaj këtyre fenomeneve negative në shoqërinë tonë; kam reaguar edhe për veprimet e gabuara të faktorit politik shqiptar, devijimet e pushtetit nga koncepti themelor i demokracisë, liria dhe barazia e qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare, gjuhësore dhe çfarëdo përkatësie tjetër. Pushteti fatkeqësisht dita-ditës është zhytur edhe më tepër në pellgun e korrupsionit dhe krimit, duke i ndryshuar vetëm metodat e veprimit, fjalorin dhe teknikat e mashtrimit, duke prodhuar krizë të vazhdueshme, në esencë duke mbetur i njëjti, i pandryshuar, sidomos në raport me të drejtat kombëtare të shqiptarëve.
KOHA: Është krijuar bindja se partitë tona, në aspektin e programeve teorike, i ngjajnë si veza vesë. Përse nuk janë të profilizuara në aspektin ideologjik? Nuk kanë ç’të ofrojnë, apo më lehtë e kanë t’i vardisen popullit me parulla “patriotike” dhe me metoda populiste?
MEHMETI: Çështja që parashtruat përmes kësaj pyetje lidhet me mungesën e traditës politike dhe të demokracisë në këtë shtet. Shoqëritë që dalin nga regjimet totalitare vështirë mund të ndryshohen, nëse mungojnë, shkelen dhe mohohen liritë dhe të drejtat themelore qytetare, nëse nuk u jepet mundësi dhe hapësirë elitave intelektuale që të kontribuojnë për ndryshimet e domosdoshme në shoqëri, si dhe në ndërtimin e koncepteve të reja, zhvillimin, përparimin dhe zbatimin e teorive politike moderne, sikur në shtetet tjera perëndimore me demokraci të zhvilluar. Këtu tek ne drejtuesit e subjekteve politike më parë kanë qenë njerëz të dëgjueshëm të pushtetit dhe bashkëpunëtorë të ish regjimit. Këta individë, pa përgatitje më elementare teorike për sistemet politike dhe pa njohje të mjaftueshme për ideologjitë, formatet dhe orientimet e partive që i kanë udhëhequr dhe i udhëheqin. Këta individë as që kanë menduar ndonjëherë dhe as duan ta dinë se cila parti është me orientim të djathtë e cila të majtë. Shpeshherë i përziejnë këto koncepte, ngjyrat dhe ideologjitë, deri në atë masë sa që nuk i dallojnë ideologjitë politike dhe fetare nga ideologjia kombëtare. Mjafton që mashtrimin dhe propagandën e tyre e mbështetin kryesisht në frymën kombëtare, pa çka se asnjë rezultat konkret nuk kanë arritur në këtë drejtim deri më sot.
KOHA: Jeni ndër themeluesit e Universitetit të Tetovës. Mendoni se është mirë për arsimin dhe shkencën shqiptare këtu që edhe universiteti i dytë “u ngulit” aty, apo mbase edhe i treti të ishte po në Tetovë? Ose, mos mendoni edhe ju si një pjesë e strukturave të caktuara politike, se kryeqytet nuk është Shkupi, por Tetova, apo ky veprim është një gabim me pasoja historike?
MEHMETI: Universiteti i Tetovës, si universitet i parë i shqiptarëve me mësim në gjuhën amtare, nuk ka qenë vetëm një projekt arsimor, por para së gjithash projekt kombëtar, për emancipimin, ngritjen dhe zhvillimin e popullit shqiptar në Maqedoni, me këtë edhe sigurimin e barazisë së plotë në këtë shtet. Shumë individë me ndikim na kanë sugjeruar që në fillim të punës sonë, si nismëtarë të këtij projekti, që selia e Universitetit të Tetovës të jetë në Shkup. Në njërin nga elaboratet fillestare për këtë Universitet është analizuar seriozisht kjo ide. Që me Platformën për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni (nga Kuvendi themelues i emëruar sipas selisë së tij: Universiteti i Tetovës), kjo çështje është trajtuar hollësisht dhe me përgjegjësi të lartë intelektuale dhe kombëtare. Nuk ka mundur askush ta thejë këtë koncept atëkohë, meqë unë dora vetë kam qenë hartues i këtij dokumenti strategjik, dhe atëherë, sot dhe në të ardhmen mbaj përgjegjësi për këtë, askush tjetër, sepse kam konsideruar që nuk ka asnjë mundësi që një projekt kaq i rëndësishëm kombëtar, më tepër se arsimor, shkencor dhe kulturor, mund të realizohej në Shkup ose në ndonjë qytet tjetër. Ne jemi veprimtarë që kemi punuar dhe vepruar me dekada, e kemi studiuar në hollësi gjendjen në të cilën gjenden shqiptarët, rrethanat dhe qasjen e pushtetit të atëhershëm ndaj kësaj çështje dhe përgjithësisht ndaj shqiptarëve. Universiteti i dytë lindi si projekt politik e jo kombëtar, me tendencë dhe besim të plotë se do të arrijë ta shuaj, shkrijë dhe fuzionojë gjithë atë që ishte arritur gjatë disa viteve në Universitetin e Tetovës, tanimë kur i përfundonin studimet gjenerata e dytë dhe e tretë e studentëve. Ju siguroj që kjo nuk ka të bëjë me ndonjë tendencë shpirtngushtësie, provincializmi ose lokalizmi nga ana e tetovarëve, apo të ndonjë interesi tjetër individual ose grupor, por ka qenë thjesht strategji e përgatitur mirë, që ky projekt të mos dështojë, por t’i rezistojë makinerisë propagandistike dhe represive të pushtetit të atëhershëm. Më në fund koha e dëshmoi se kemi pasur të drejtë. Ka disa vite që janë hapur studime të dizpersuara të UT-së dhe UEJL-së edhe në Shkup dhe qytete të tjera. U krijuan kushte edhe për hapjen e Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup. Tani është shumë lehtë të hapet një universitet, kur dhjetëra universitete private janë hapur gati në çdo qytet të vendit. Por, Universiteti i Tetovës sot ka arritur moshën e tij të pjekurisë së plotë, duke hyrë në dekadën e tretë të punës dhe veprimtarisë së tij.
KOHA: Jeni kryetar i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup. Është kjo një gjë virtuale, apo merreni me diçka konkrete, meqë nuk na ka rastisur të lexojmë për ndonjë veprimtari dhe rezultat konkret? Cila konkretisht është detyra parësore dhe aktivitetet e Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve në Maqedoni?
MEHMETI: Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve nuk është virtuale, por është simotër e Akademisë me të njëjtin emër, me seli në Nju Jork, e cila funksionon që nga viti 1995 atje. Kjo Akademi është subjekt juridik i regjistruar që nga viti 2016 dhe ka zhvilluar një serë aktivitetesh shkencore, kulturore dhe arsimore. Varet nga mediat dhe gazetarët sa kanë qenë të interesuar t’i ndjekin dhe pasqyrojnë këto aktivitete, për shkak të krizës politike që e përfshiu vendin, kur gjithçka u shndërrua në politikë, në media, lajme e opinion. Akademitë kudo në botë nuk janë institucione që bëjnë zhurmë, ato kanë fushën e tyre specifike të veprimit. Planet e punës së tyre janë afatgjata. Sigurisht që kemi plane, jemi në realizim e sipër të disa projekteve të rëndësishme të cilat pritet së shpejti t’i japin rezultatet e tyre. Për më tepër mund të flasim në një rast tjetër, përmes ndonjë interviste të veçantë në lidhje me programin, veprimtarinë dhe projektet e kësaj Akademie.
KOHA: Z.Mehmeti duke i ditur rrethanat tona politike, ekonomike dhe sociale në Maqedoni, të gjithë ne kemi kaluar jetë të vështirë. Çfarë mund të na thoni për jetën tuaj të ndikuar nga këto rrethana?
MEHMETI: Nuk e kam shprehi as dëshirë të flas për veten time. Secili prej nesh ka kaluar jetë të vështirë dhe kjo është tepër e kuptueshme përderisa kemi jetuar nën një regjim totalitar dhe tepër represiv, përsa ende vazhdojmë të jetojnë në një shoqëri në tranzicion, e cila ende është në konsolidim e sipër, ku duhet secili prej nesh të jep kontribut konkret për një të ardhme më të mirë. Por kjo varet nga shumë faktorë dhe mund të them se rruga jonë do të vazhdojë të jetë e vështirë edhe për një kohë, përderisa nuk ndërtojmë shoqëri me vlera të mirëfillta demokratike, nuk konsolidohet shteti ligjor dhe nuk përparojnë në masë të duhur të drejtat dhe liritë e njeriut në këtë shtet. Ky shtet ende është jodemokratik, ku nuk ka filluar ta merr dënimin e merituar korrupsioni dhe krimi me përmasa kaq të mëdha, ku degradimi moral i shoqërisë ende është në rritje, ku qenia njerëzore e ka çmimin më të lirë se çdo gjë tjetër, si një mall me të cilin mund të manipulojë çdokush dhe si të dojë, duke filluar nga oligarkët dhe grupacionet politike, strukturat kriminale, segmente të caktuara të pushtetit, pa edhe një pjesë e papërgjegjshme e inteligjencies, grupime të caktuara fetare dhe biznesmenë të paskrupullt.
KOHA: Si i shihni ndryshimet, veçmas gjeopolitike në Maqedoni, nga rinia e juaj e deri më sot?
MEHMETI: Ne jemi pjesë e botës, nuk jemi masë amorfe njerëzish të izoluar një një hapësirë, pa mundësi t’i përcjellim dhe përjetojmë përparimet e mëdha në botën e sotme, sidomos zhvillimet teknike dhe teknologjike. Sot jetojmë në periudhën e revolucionit të tretë teknologjik, në kohën e internetit dhe teknologjive informatike. Ndryshimet janë aq kolosale sa që gjeneratat më të vjetra nuk kanë mundësi t’i ndjekin dhe të bëhen pjesë e këtyre ndryshimeve. Por, çështja është se sa janë të dobishme dhe humane këto zhvillime dhe në dobi të njerëzimit, a kanë vetëm qëllime komerciale, apo e humanizojnë dhe ndryshojnë shoqërinë në kahe pozitive. Nga disa vlera të së kaluarës nuk duhet të heqim dorë menjëherë, as të përkrahim vetëm aspektin komercial të ndryshimeve të reja, siç ka tendenca të na imponohen pa asnjë analizë paraprake profesionale. Kjo mund të krijojë kaos në të ardhmen, siç na ka krijuar për shembull koncepti i ekonomisë të tregut, të cilin ne e kuptuam mbrapshtë, duke e shkatërruar ekonominë vendëse, industrinë dhe duke e shndërruar vendin në treg të hapur për konsum të mallrave nga jashtë. Si mund të sigurohet progres në një shoqëri e cila asgjë nuk prodhon, nuk eksporton, ndërsa kërkon rritje të standardit jetësor si në vendet me industri të zhvilluar, të cilat konkurrojnë me prodhime cilësore, luftojnë për burime energjetike dhe tregje të reja? Ne aktualisht eksportojmë vetëm fuqi punëtore dhe kjo na shpie drejtë shkatërrimit, edhe atë, për një kohë të shkurtë. Përkundër kësaj, në planin gjeopolitik dhe gjeostrategjik, shqiptarët janë popull me perspektivë të madhe, jo vetëm në rajon por edhe në Evropë, me vetë faktin se janë pjesë e integrimeve globale, BE-së dhe NATO-s, të gjithë shqiptarët së bashku, në nivel kombi dhe me të gjitha trojet shqiptare të ndara në disa shtete aktuale.
KOHA: Çfarë flet jeta e juaj, si pjesë aktive në lëvizjen studentore dhe demonstratat e vitit 1981 dhe cilat janë pasojat e asaj kohe?
MEHMETI: Gjenerata ime ka kaluar nëpër një ferr të vërtetë. Pushteti socialist ka qenë tepër i mirë për një pjesë të popullsisë, tepër joshës për një shtresë, sidomos për familjet që kanë marrë pjesë në pushtet ose kanë qenë të lidhura me atë. Propaganda e regjimit të asaj kohe ka qenë aq perfide, sa nuk ka mundur ta kuptojë secili, deri në momentin e shndërrimit të tij në përbindësh gjakatar, me fillimin e konfliktit të armatosura në ish republikat jugosllave. Kanë qenë një numër i vogël i familjeve me tradita atdhetare të kultivuara brez pas brezi që kanë mundur ta kuptojnë filozofinë mashtruese të atij regjimi, i cili për qëllim të fundit e ka pasur krijimin e një shoqërie pa identitet. Nga popujt jugosllavë, por edhe nga shqiptarët dhe popujt tjerë jo sllavë, filloi të krijojë një komb të ri jugosllav, në të cilin filluan të konvertohen edhe një pjesë e shqiptarëve. Ku do të kishim arritur me këtë shkombëtarizim total, po të mos ishte zgjimi i madh i shqiptarëve në vitin 1981, përmes pranverës studentore, pjesë aktive të cilës kam qenë edhe unë dhe shumë të tjerë, kryesisht studentë të Universitetit të Prishtinës. Pas kësaj periudhe filloi procesi i madh i diferencimit, izolimi, dënimet e këtyre individëve dhe familjet e tyre, jo vetëm nga pushteti por edhe nga një pjesë e madhe e vetë shqiptarëve, sidomos këtu në Maqedoni. Është një çudi e vërtetë se si kemi arritur të mbijetojmë në këtë betejë të padrejtë, kur përveç pushtetit i kemi pasur kundër edhe shumë njerëz të afërt me të cilët kemi jetuar dhe punuar më parë. Kjo është vështirë të përshkruhet me pak reshta. Më vjen keq se kjo frymë antishqiptare ndaj këtyre individëve është zbatuar edhe më vonë nga regjimi demokratik, kundër të njëjtëve njerëz dhe gati me të njëjtat metoda. Nuk ka peshore më të mirë se kur njeriu e njeh vetveten, vlerat dhe virtytet, dhe përballë e ka pushtetin me strukturat politike dhe partiake që u shiten shqiptarëve për forca atdhetare, ndërsa për asgjë nuk dallojnë nga ish regjimi totalitar komunist, me diferencime, izolime, mospërfillje, përbuzje, shkelje e mohime, pa edhe dëmtimin në të gjitha format të këtyre njerëzve, të cilët bartin me vete përvoja të jashtëzakonshme nga e kaluara jo e largët, të cilat mund t’u shërbejnë shumë gjeneratave të reja, sidomos lëvizjes politike të shqiptarëve, e cila ende ka nevojë për individë që u kanë pri ndryshimeve dhe mund të kontribuojnë në ndërtimin e një vizioni të ri për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni dhe jo vetëm.
KOHA: Çfarë i ke lënë mangët familjes tuaj, duke shpenzuar kohë në aktivitet tuaja për të mirën e shoqërisë shqiptare?
MEHMETI: Është tepër vështirë për ta dhënë një përgjigje të saktë në lidhje me këtë pyetje, për disa arsye: e para, sepse jo vetëm unë, por një kategori njerëzish siç na quajnë “idealistë” janë të tillë për nga natyra, nga edukata familjare dhe mënyra e arsimimit. Ne nuk kemi nxënë vetëm atë që na kanë ofruar programet shkollore, por kemi qenë hulumtues të pa ndalur të fenomeneve shoqërore, shfrytëzues të literaturës që vetë e kemi zgjedhur, ose na e kanë sugjeruar të afërmit tanë më të moshuar me përvoja jetësore tepër begatshme. Po të kisha mundësi ta rikthej edhe njëherë të kaluarën, do ta kisha zgjedhur edhe një herë po atë rrugë nëpër të cilën kamë shtegtuar në jetë dhe veprimtarinë time, por me intensitet më të shtuar dhe me sakrifica edhe më të mëdha. Nga kjo distancë kohore prej disa dekadash vërej që kemi qenë në rrugë të drejtë, por është dashur të jemi më këmbëngulës, më pa kompromis për realizimin e disa qëllimeve tona jetësore në të mirën e përgjithshme. Sa i kam lënë mangët familjes time, këtë mund ta dinë vetëm prindërit, të afërmit dhe sidomos fëmijët tanë, të rritur me baba dhe përherë me mungesën e tij në familje, me mirëqenie të përgjithshme në familje, ku shpenzuesi më madh është pikërisht prindi, i cili duhet t’u sigurojë fëmijëve mirëqenie, dashuri dhe ngrohtësi prindërore. Këtë luks fëmijët tanë nuk e kanë pasur dhe kjo është një sakrificë e madhe e tërë familjes, jo vetëm e jona si individë. Në rrugën që ne kemi kaluar, sidomos gjatë regjimit komunist kanë mundur të jenë të lumtur vetëm njerëzit e bindur ndaj pushtetit, të përulurit dhe lakmitarët, ndërsa ne të tjerët që kemi qenë në anën tjetër, në luftë të përhershme me pushtetin jemi dëmtuar tepër shumë, dhe jo vetëm ekonomikisht. Me mundin, kohën dhe sakrificat tjera për aktivitetet të ndryshme në vazhdimësi, me dekada të tëra, do të kishim realizuar dhjetëfish më tepër interesin personal dhe mirëqenien e familjeve tona. Ne u kemi lënë fëmijëve tanë dhe brezave diçka që nuk do ta arrinin pa këtë sakrificë. Kjo nuk është vetëm karakteristikë e jona, këtë e kanë bërë ndër shekuj të gjithë prijësit e lëvizjeve politike dhe kulturore të popujve të përparuar të botës. Më vjen keq pse nuk kemi mundur edhe më tepër, sepse populli ynë ka pasur dhe ende ka nevojë për sakrifica të këtilla. Çështja jonë ka filluar të lëvizë mbrapshtë nga momenti kur në një farë mënyre është ndryshuar kodi ynë i veprimit, tek shumica e veprimtarëve të mëvonshëm; në vende se të japin për interesin e përgjithshëm, kanë shfrytëzuar dhe zhvatur gjithçka që kanë mundur për ta dëmtuar këtë interes dhe kjo do të reflektohet negativisht për një kohë të gjatë në vetëdijen e gjeneratave të reja. Sot kjo shihet në dezorientimin e rinisë, largimin nga vendlindja, më tepër duke menduar për vetveten se për interesin e përgjithshëm. Kjo tendencë e dëmton, e gjymton rëndë, e paralizon lëvizjen shoqërore dhe progresin, e pamundëson realizimin e idealeve të mëdha që duhet t’i bart secila gjeneratë në kohën e saj.