Barcelona transferoi në merkato Frenki De Jong, i cili është projektuar të jetë ardhmja e mesfushës së Barcelonës dhe të marrë në dorë çelësat e repartit, duke parë edhe moshën e Busktes. Në këtë formë, drejtuesit mund të thuhet se e kanë mbajtur me hatër disi teksa i kanë plotësuar dëshirën për të mbajtur fanellën me numër 21, njëjtë si te Ajaksi, edhe pse fanella e kishte një pronar.
Atë numër më parë e kishte Alenja, i cili mesa duket nuk ka mbetur aspak i kënaqur me mënyrën si e ka trajtuar klubi. Alenja, i dalë nga akademia e Barcelonës, nuk nguroi ta shprehte publikisht zhgënjimin, teksa u ndje i tradhtuar. Megjithatë, deklaratat e lojtarit nuk i kanë pëlqyer klubit, teksa problemet nuk është mirë të dalin jashtë shtëpisë.
Kështu, Abidal, që tashmë mban postin e sekretarit teknik do të sqarojë situatën me Alenja, për ta siguruar se askush nuk ia kishte premtuar fanellën De Jong, por iu dha në momentin që holandezi e kërkoi. Lidhur me këtë rast, me Alenjën do të flasë edhe presidenti Bartomeu, i cili do i kërkojë lojtarit të jetë më i matur me deklarata, ndërsa gjithashtu synimi i presidentit është të qetësojë ujërat në ambientin blaugran.