Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u shpreh “i shqetësuar” nga mundësia që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Në një bisedë telefonike me Trumpin, Macron tha se çdo vendim për statusin e qytetit “duhet të merret brenda kornizës së negociatave midis izraelitëve dhe palestinezëve”. Paralajmërime të ngjashme kanë bërë edhe disa vende arabe dhe myslimane. Sipas disa raporteve, Trump do ta njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit këtë javë. Ky qytet është pika më e nxehtë e konfliktit izraelito-palestinez. Palestinezët e konsiderojnë atë si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm. Izraeli, ndërkaq, e ka pushtuar Jerusalemin Lindor në luftën e vitit 1967 dhe pretendon se i gjithë qyteti është kryeqytet i tij. Megjithatë, sovraniteti i Izraelit mbi Jerusalemin nuk është njohur kurrë ndërkombëtarisht dhe të gjitha vendet i kanë ambasadat e tyre në Tel Aviv. Trump ka paralajmëruar se do ta zhvendosë edhe ambasadën amerikane në Jerusalem. Kundër Trumpit ka reaguar edhe Turqia. Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin deklaroi se janë tejet shqetësuese lajmet për paralajmërimet se SHBA do të njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. “Kjo do të jetë një shkelje e rëndë e statusit fetar dhe historik të Jerusalemit, si dhe marrëveshjeve dhe vendimeve aktuale ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara”, porositi Kalin. Presidenti amerikan Donald Trump gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar premtoi se do të zhvendosë ambasadën amerikane në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem, kurse sipas pretendimeve të mediave amerikane, Shtëpia e Bardhë është duke përgatitur procesin e shpalljes së Jerusalemit kryeqytet të Izraelit. Kalin paralajmëroi se një hap i tillë do t’i jepte fund procesit edhe ashtu të brishtë të paqes dhe do të nxiste konflikte dhe tragjedi të reja në Lindjen e Mesme. “Shpresojmë se SHBA nuk do të bëjë këtë gabim katastrofal. Është e një rëndësie kyçe që të ruhet statusi i Jerusalemit dhe Haremi Sherifit”, theksoi Kalin në deklaratën e tij.