Çështja e emrit, Zaev: Jam optimist për zgjidhje të pranuar nga të dyja palët

Kryeministri I Maqedonisë, Zoran Zaev, vlerëson se do të gjendet zgjidhje për problemin që Greqia e ka me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, njofton Portalb.mk.

“Unë jam optimist, besoj që mes dy vendeve, të cilat janë miq dhe kanë qëllim që të jenë më afër, do të gjendet zgjidhje e cila do të jetë e dinjitetshme nga të dyja palët, ndërkaq do të jetë në dobi të qytetarëve të të dyja vendve”, tha Zaev.

Ai gjithashtu shtoi se për shkak të thelbit të bisedimeve, propozimeve dhe kornizës që është dërguar,  nuk do duhej që të diskutohet publikisht që të mos prishen gjasat e bisedimeve.

“E shihni se po bëhet proces transparent, duam konsensus nacional që të ndërtojmë zgjidhje dhe në fund qytetarët në referendum të njëjtën ta konfirmojnë, jam i sigurt që do të jemi të kujdesshëm, dhe të mbajmë llogari edhe për palën greke, do të gjejmë zgjidhje për këtë çështje që na mundon 25 vjet”, tha ai.

Në lidhje me vendimin e Ivanovit për ligjin për gjuhët, Zaev tha se “gjithçka që është shkruar në ligj është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Maqedonisë”.