Çështja Dybala dhe e ardhmja e Pirlos, rrëfehet Del Piero

11

Sulmuesi i Juventusit, Paulo Dybala, është kthyer në një çështje tek bardhezinjtë. Argjentinasi nuk është aktivizuar asnjë minutë nga trajneri Pirlo në dy ndeshjet e fundit dhe kjo ka krijuar një pakënaqësi tek lojtari. Madje ai pati edhe një debat me drejtorin teknik, Fabio Paraticin, në ndeshjen kundër Crotones.

Pikërisht rreth kësaj teme ka reaguar legjenda e “Zonjës së Vjetër”, Alessandro Del Piero. Në një pronocim për “Sky Sport”, italiani tregon arsyet se përse Dybala nuk po aktivizoet si dhe paralajmëron Andrea Pirlon për të ardhmen e tij.

“Sipas mendimit tim Dybala nuk është në formën e tij më të mirë fizike. Kjo është arsyeja e vetme pse ai nuk po luan. Këtu mund të flasë më mirë Fabio Capello (trajneri i tij tek Juventusi në vitet 2004-2006), i cili linte në fushë lojtarët e tij të preferuar edhe pse nuk ishin në 100% e tyre, por më pas i zëvendësonte ato”, deklaron ish-sulmuesi.

“Pirlo? Nuk kam folur me Andrean personalisht. Nëse shikojmë ndeshjen me Crotonen, ata morën shumë kritika rreth stilit të lojës apo pse nuk dolën me tre pikë nga ajo sfidë. Koha do të tregojë gjithçka. Nëse Pirlo do të jetë në gjendje të kualifikohet për në raundin e 1/16 në Champions dhe të jetë në garë për titullin kampion, atëherë ai do të ketë bërë një punë të shkëlqyer”, mbyll Del Piero.