Mësuesit janë të detyruar të zgjedhin, përpara gjithçkaje dhe asgjëje se çfarë do të bënin me mësimdhënien. Kjo është pak a shumë një situatë e njohur për të gjithë qytetarët! Megjithatë, dua të flasim për fazën ku gjendemi sot. Çfarë do të bëjnë aktualisht, meqë mësimi duhet të filloj kurse pandemia vazhdon të përhapet. Mësimi në largësi ishte një sfidë e kohës, arsimit dhe mësimdhënies në kushte pandemie. Në realizimin e mësimit në largësi mësuesit dëshmuan dinjitet, përkushtim dhe angazhim të pakusht për të përmbushur qëllimin dhe detyrat mësimore; ata kanë nevojë për aftësim që të punojnë sipas sistemit në largësi
Nga Xheladin MURATI
Mësimi në largësi është një sistem i mësimit dhe model i mësimdhënies pa traditë në shoqërinë dhe shkollat tona. Vetë koncepti ka një kompozicion tjetër metodik e didaktikë në të cilin reflektohet dëshira e thellë për të zbuluar në procesin e njohjes mësimore afinitetin, interesin dhe dijet e nxënësve. Ky mësim sa duket i thjeshtë po aq është edhe kompleks.
Pavarësisht se si realizohet me të gjitha përparësitë dhe mangësitë, besoj se mësimi në largësi simbolizon pezullimin total të kontakteve fizike, të kreativitetit dhe e shtyp shprehjen e individualizmit kreativ të nxënësve dhe mësuesve, mungon qasja interaktive dhe proaktive e nxënësit dhe mësuesit, mungon shprehja mes edukimit dhe mendjes.
E di që flas për secilin mësues që e di dhe e kupton mësimin në largësi dhe rëndësinë e tij, por dua të them se ne meritojmë më shumë se sa thjeshtë të mbijetojmë. Madje nxënësit nuk e preferojnë mësimin online. Nxënësit e duan mësuesin ta kenë përpara, të lumtur e të përsosur, i cili di t’i bëjë ata të entuziazmuar dhe të rriten të edukuar. Mësuesi, jo vetëm që falë përvojën dhe shkëlqimin që e karakterizon, por nga ana tjetër lë gjurmë dhe kujtime të paharrueshme te nxënësi. Këtë e mundëson vetëm takimi fizik mësues-nxënës jo mësimi në distancë.
Ashtu siç edhe e prita, zbatimi i mësimit në largësi nuk ishte shumë i mbarë. Pati shumë mangësi nga ana pedagogjike-didaktike. Mungesa më e madhe ishte mospasja e një mediumi edukativ dhe mospajisja e nxënësve me pajisje teknologjike. Në fakt, mësimi onlajn ishte i kushtëzuar nga dy faktor: ai i jashtëm apo objektiv dhe faktori subjektiv.
Megjithatë është koha që të sjellim një dimension të ri në jetën arsimore, atë të vlerësimit dhe të reflektimit për gjithçka dhe gjithkund që ka të bëjë me realizimin e mësimit në largësi. Reflektimi është i lidhur me arsyet për të cilat duhet zbatuar ky sistem mësimor. Në fakt, duhet të flasim për konceptin pedagogjik, për metodologjinë e punës së re, për qasjen, për rrethanat e paqarta në realizimin e mësimit, për harmonizimin e veprimeve arsimore (aspektet gnoseologjike, aksiologjike, demijurgjike dhe komunikuese). Gjithsesi nuk duhet anashkaluar edhe sfida që ofron mësimi në largësi.
PREMISAT
- Nxënësit duhet të shkojnë, të kthehen në shkollë pa u trembur.
- Mësimdhënia u zhvendos nga klasa në platforma digjitale jo funksionale.
- Në mësimin onlajn mungon edukata, ballafaqimi fizik dhe komunikimi i mirëfilltë.
- Fillimi i vitit shkollor 2020/21 është në pikëpyetje.
- Mësimi në largësi kërkon strategji, plan dhe hapa konkret.
- Mësimi në largësi është çështje zori, jo dëshire.
QASJET DHE ASPEKTET
Esenca e mësimit në largësi në kushtet tona është vështirë të përkufizohet sepse koncepti i tij preokupohet me konceptin njerëzor e teknologjik. Kjo do të thotë se si sistem ekziston dhe është i njohur në didaktikën bashkëkohore, por si praktikë e cila kontribuon në mbajtjen e lidhjes esenciale mes nxënësit dhe mësuesit fillon të ndërtohet, por pa ndonjë cilësi të merituar. Kjo për tri arsye: mungon pedagogjia digjitale, mungojnë klasat virtuale dhe mungojnë aftësitë mësimore për mësim me internet. Paraqitja e pandemisë Covid-19 tregoi qartazi dhe haptazi se shoqëria jonë është e pa organizuar dhe institucionet arsimore të papërgatitura për mësimin në largësi dhe përballje me virusin.
Institucionet e shtetit dhe ato arsimore sikur u mësuan shkollat të mbeten të mbyllura, gjithnjë në emër të ruajtjes së shëndetit të nxënësve, mospërhapjes së virusit, edhe pse ekspertët flasin se virusi nuk do të largohet, ai do të mbetet pjesë e jetës që gjithnjë do të kërkon kujdes. Pandemia bëri që bota të ndryshoj, ndryshoi jeta në tërësi dhe do të ndryshojnë edhe shumë gjëra të tjera. Prandaj në këto ndryshime do të ndodh edhe organizimi i shkollave më ndryshe. Jeta në to do të duket paksa ndryshe, do të ndryshoj arkitektura e klasave, forma e bankave, mësimdhënia, raportet nxënës mësues etj.
Me rëndësi është të fillojnë, të mblidhen nxënësit në to, të bëjnë marrëveshje si ta luftojnë virusin, si të mbrohen dhe si ta mposhtin atë. Në fakt, nxënës e student përjetuan një krizë të thellë psikike dhe emocionale me pandeminë dhe mësimin në largësi. Do ta kenë vështirë rimëkëmbjen e motivit për mësim. Angazhimet e institucioneve janë për tu përshëndetur por politikëbërësit duhet të përpiqen për të caktuar ditën e hapjes së shkollave. Unë pajtohem me faktin se në këtë proces duhet të jemi të vëmendshëm, mos bëhet gabim i dyfishtë, por nuk mund të rrinë shkollat të mbyllura në pafundësi. Një vit shkollor përfundoi i papërfunduar.
Mësimi në largësi ka gjasa të prodhoj fare pak sukses dhe siç ka nisur, me shumë polarizime në arsimin tone ajo e thellon ndasinë e mëtejme. Dështimi eventual i mësimit në largësi nuk do të thotë sukses. E këtillë, siç ishte në vitin e kaluar shkollor, arsimi ka gjasa që kjo faze tejet e rëndësishme për të kaluar pa një mendim të unifikuar. Apo edhe më keq, pa mendim fare. Pse e them këtë? Ka shumë arsye, po nga fakti se rreth 270 mijë nxënës në fillore dhe shkollat e mesme u përshëndetën me vitin shkollor 2019/20 në mënyrë në largësi dhe po ky numër i nxënësve pret vitin e ri shkollor 2020/21 si do të filloj ai.
Shkollat fillore dhe të mesme me vendim të qeverisë u mbyllën më 11 mars 2020 si rrjedhojë e pandemisë. Mbyllja e shkollave nxiti iniciativën për organizim të mësimit në largësi, por të papërgatitur për këtë sistem mësimor. Laramania e organizimit dhe mosnjohja e metodologjive, mungesa e programeve mësimore e të ngjashme hapën shumë dilema rreth cilësisë së tij dhe seriozitetit mësimor. Kjo mbase edhe nxënësit, edhe mësuesit dhe prindërit kishin shumë probleme. Në fakt, mësimi në largësi është shumë i mundimshëm për arsimtarët dhe jo efikas.
Pos faktorëve objektiv, në realizimin e mësimit në largësi ndikojnë edhe faktorët subjektiv, si: frika se a mundemi të bëjmë diçka të mirë, bindja se ky mësim nuk siguron cilësi, por meqë nuk kemi rrugë tjetër e zbatojmë, ndjenja e pasigurisë, ndjenja e fajit se mund të gabojmë, bindja se nuk bëjmë mjaftueshëm për efektet e tij, mosgadishmëria për të hequr dorë nga mësimi real në mësonjtore fizike etj. Të gjitha këto e vështirësojnë realizimin dhe efikasitetin e mësimit në largësi.
Mësimi në largësi, ashtu si u realizua nxori në sipërfaqe papërgatitjen e sistemit arsimor për mësim të tillë, paraqiti divergjencat për sa i përket realizimit cilësor të mësimdhënies, mungesën e shkathtësive digjitale te nxënësit dhe arsimtarët, mungesën e pajisjeve digjitale për të realizuar program të këtillë, mungesën e mediumit të edukimit për mësim në largësi, mungesa e një platforme të unifikuar për të gjitha shkollat për mësim në largësi. Po a dështoi mësimi në largësi në shkollat tona? Do të ketë vlerësime, sigurisht, mbase pati mangësi të mëdha. Këtu do ta citoj një mendim që na ngushëllon e thënë nga Thomas Edison: “Nuk kam dështuar. Kam gjetur 10.000 mënyra që nuk funksionojnë”.
Që të realizohet mësim në largësi nevojiten:
– strategji, plan dhe hapa konkret;
– ndryshimi i rrjedhës së procesit mësimor;
– ndryshimi i kohëzgjatjes së mësimit, orëve mësimore;
– përshtatja e programit për mësim në largësi;
– të aftësohen mësuesit për të punuar me sistemin mësimor në largësi;
– të zhvillohen shkathtësi digjitale te nxënësit dhe mësuesit.
Mësimi i zhvilluar përmes MTV2-programi në gjuhën shqipe me titull “E-klasa” nuk është mësim në largësi, ai është koncept që edhe dikur realizohej si program shkollor po edhe mësimi i zhvilluar përmes platformave Classroom, Zoom ose Viber, Gmail, Facebook-ut nuk i përmbush kriteret e mësimit në largësi. Çka tregoi realizimi i mësimit në largësi? Tregoi disa elemente qenësore:
– se shumë nxënës mbeten jashtë procesit arsimor sepse nxënësit nuk ishin të pajisur me mjete digjitale,
– nuk funksiononte rrjeti i internetit veçanërisht në viset e thella rurale,
– mungojnë tekstet shkollore për mësim onlajn.
Vlerësimet e nxënësve e të studentëve për mësimin e realizuar në largësi tregojnë se:
– ata nuk e pritën me interes dhe entuziazëm,
– si praktikë mësimore nuk e pëlqyen mbasi ai u ngjante dromcave mësimore ku nxënësi dhe arsimtari nuk e shohin çka bëjnë njëri dhe tjetri,
– ajo i ngjante lojës së fëmijëve të luajmë “teze” sepse pati raste kur mësuesi mban mësim dhe e pyet nxënësin për diçka, ai i përgjigjet: “Mësuese, unë jam në treg”,
– tregoi se në shoqërinë dhe shkollën tonë mungon strategjia, plani dhe hapat konkret në realizimin e mësimit në largësi (mungojnë medium edukativ, klasa virtuale, aftësitë digjitale të mësuesve, mungojnë tekstet mësimore, nuk janë harmonizuar programet për mësim në largësi).
Çka na mësoj realizimi i mësimit në largësi? Na mësoj me i shikuar nxënësit dhe fatin e tyre si top futbolli në barin jeshil, sa në njërën anë aq në anën tjetër. Mësimi në largësi mësoi të besojmë se mësuesit munden dhe se dëshira e tyre për punë është e madhe. Patjetër duhet të bëhen përpjekje për ngritjen e vetëdijes së institucioneve arsimore në aspektet e zbatimit të mësimit në largësi si rrugë alternative që nxënësit mos të mbeten në shtëpi pa mësim.
Nxënësit dhe studentët në mësimin në largësi u bën të barabartë, nuk dihet se kush dinte dhe kush jo, cili kishte informacione e cili jo, nxënësit nuk trajtohen njëlloj sikur ishin në klasë ku mësuesi i vëzhgon të gjithë dhe komunikon me të gjithë, vlerësimet e njohurive nuk ishin objektive. Me praninë fizike në klasë nxënësit përballen me mësuesin. Nuk ka sistem më të mire ku mësimi realizohet ballë për ballë mësues e nxënës. Cilat janë veçoritë apo përparësitë e mësimi real nga mësimi në largësi? Mësimi real në klasë me mësuesin përpara ka shumë veçori në raport me mësimin në largësi. Ja disa nga to:
Mësimi real në klasë: shfrytëzimi racional i 45 minutave të orës mësimore, aktivizimi i të gjithë nxënësve në proces mësimor, bëhet shpjegimi i hollësive mësimore dhe informacioneve, krijohet klimë pedagogjike e përshtatshme në klasë, klasa funksionon si shoqëri në miniature me kohezion social, ekziston komunikim i mirëfilltë nxënës-mësues dhe nxënës-nxënës, çdo nxënës merr pjesë aktive në orën mësimore, mësuesi bën harmonizimin e testeve për kontroll të njohurive, bëhet harmonizimi i punës së pavarur mësimore, përshtaten metoda të punës me çdo nxënës, krijon kushte për mësim përmes zgjidhjes së problemeve, në mënyrë të vazhdueshme përcjell, evidenton, analizon përparimin e nxënësve, planifikon dhe vlerëson aktivitetet mësimore dhe jashtëmësimore, organizon mësim përmes kërkimeve natyraliste, qartësohen detyrat që jepen për në shtëpi apo në klasë, bëhet nxitje dhe inkurajim i nxënësve, fletoret, librat, mjetet mësimore nuk kursehen, ndikimi edukativ realizohet me sukses, bëhet organizimi dhe drejtimi i pavarur individual dhe grupor i nxënësve etj.
Mësimi në largësi: ora mësimore zgjatë shkurt, mungon aktivizimi i nxënësve në mësim, mungojnë shpjegime e mirëfillta dhe të hollësishme, mungon klima pedagogjike në klasë, mungon kohezioni social i nxënësve në klasë, komunikimi zhvillohet vetëm mësues-nxënës, mungon pjesëmarrja aktive e nxënësve, ajo është tepër individuale, nuk mund të kontrollohet përdorimi i testeve të njohurive, nuk ka punë të pavarur të nxënësve, detyrat nuk qartësohen mjaftueshëm, mungon nxitja dhe inkurajimi i nxënësve, kursehen fletoret, librat, mjetet mësimore, nuk ka ndikim të mirëfilltë edukativ, nuk ka organizim të pavarur dhe në grupe etj.
Prandaj as nxënësit as mësuesit dhe as prindërit nuk janë të kënaqur me mësimin në largësi. Fatkeqësisht, sipas zhvillimeve, shkollat do të vazhdojnë me mësimin onlajn, mbase fati i tyre është në pandeminë koronavirusale, në duart e politikanëve dhe komisionit për sëmurje ngjitëse. Nuk bëhen përpjekje që shkollat të hapen dhe të filloj puna e mbarë, të takohen nxënësit me mësuesit, të përçojnë mesazhe diturie e shëndeti drejtpërsëdrejti nga shkolla, nga klasa.
Cilat janë synimet e këtij mësimi për të ardhmen? Projekti i mësimit në largësi synon për të përmirësuar sistemin arsimor dhe për ta aftësuar mësuesin dhe nxënësin për të punuar nga distanca, pa praninë dhe kontaktin fizik të tyre. Ky sistem synon për të forcuar ndikimin e mësuesit te nxënësit, pa edukatë, pa prekje, pa kontrollim të emocioneve, reagimeve, shqetësimeve, dhe për të shtuar investimet e dijes. Avancimi i mësimit në largësi, vetëdijesimi i shoqërisë për të dhe të mësuesve e të nxënësve për punë në largësi është një ndër shtyllat kryesore, për të cilën duhet të angazhohet shoqëria. Mbase ky sistem, siç duket do të mbetet gjatë kohë.
PËRFUNDIM
Unë mendoj se mësimi onlajn që filloj të zbatohet në shkollat tona është i ngulfatur nga mungesa e kushteve, mos aftësimi i mësuesve dhe mungesa e programeve për mësim të këtillë. Gjithsesi, këtë e vështirëson edhe mungesa e lidhjes me internet të nxënësve.
Mësuesit janë të detyruar të zgjedhin, përpara gjithçkaje dhe asgjëje se çfarë do të bënin me mësimdhënien. Kjo është pak a shumë një situatë e njohur për të gjithë qytetarët! Megjithatë, dua të flasim për fazën ku gjendemi sot. Çfarë do të bëjnë aktualisht, meqë mësimi duhet të filloj kurse pandemia vazhdon të përhapet. Mësimi në largësi ishte një sfidë e kohës, arsimit dhe mësimdhënies në kushte pandemie. Në realizimin e mësimit në largësi mësuesit dëshmuan dinjitet, përkushtim dhe angazhim të pakusht për të përmbushur qëllimin dhe detyrat mësimore; ata kanë nevojë për aftësim që të punojnë sipas sistemit në largësi. (koha.mk)