Privilegjet e ish-presidentëve janë bërë temë e aktualitetit politik në vend, pasi që një shqetësim për këtë ka ngritur Komisioni për Anti Korrupsion, të cilit i ka paraprirë edhe iniciativa e deputetit Pavle Trajanov për ndryshime në Ligjin për Presidentin që do ti dorëzohet Parlamentit. Shqetësimi është se privilegjet në proporcion me punën që bëjnë ish-presidentët nuk përputhen
Destan JONUZI
Shkup, 22 shtator – Deputeti Pavle Trajanov, javës që vjen në Parlament do të dorëzoj propozim ndryshime në Ligjin për Presidentin me të cilat parashihet heqja e disa privilegjeve. Ai një propozim të ngjashëm e ka dorëzuar edhe para dhjetë viteve, por i njëjti nuk ka pasur mbështetjen e VMRO- DPMNE-së dhe LSDM-së. Pension i përjetshëm, të drejtë për zyra, tre të punësuar sipas ligjit u takojnë ish-presidentëve të Maqedonisë së Veriut. Pensioni i tyre është aq sa ka qenë edhe rroga e tyre, gjegjësisht 1.200 euro, këtë pension e marrin pavarësisht se kur u përfundon mandati, para kohe apo në mënyrë të rregullt, ndërsa Ligji për të drejtat e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe familjen e tij, pas mbarimit të mandatit, nuk i obligon as të kërkojnë oferta më të lira, ose të shfrytëzojnë objekte në pronësi të shtetit që do të përdoreshin për zyra dhe të ngjashme..
Nga ana tjetër, nënkryetari i Komisionit për Anti Korrupsion, Nuri Bajrami thotë se shumat e caktuara sipas Ligjit për Presidentin pas mbarimit të mandatit janë marramendëse dhe shumë të mëdha.
“Ata kanë të drejtën e përzgjedhjes së zyrave dhe lokacioneve ashtu siç dëshirojnë, kështu që kjo nuk duhet t’iu lejohet, pasi që shteti ka në dispozicion lokale për të cilat nuk duhet të paguhen qira të mëdha. Të gjitha këto beneficione janë në shpërputhje me gjithë produktivitetin e tyre pas përfundimit të mandatit. Qëllimi është që të shkurtohen beneficionet e tepërta që nuk korrespondojnë me kontributin që ata japin. Intenca është se nuk dihet se cili është kontributi për gjithë ato para, të punësuar dhe si mund ato privilegje të zgjasin tërë jetën. Ne duhet të jemi në hap me situatën e jo të caktojmë privilegje pavarësisht a kemi a s’kemi mundësi dhje ku shpije ai vendim. Ne si Komision veprojmë në vazhdimësi”, deklaroi për KOHA, Bajrami.
Nga Komisioni për Anti Korrupsion kanë paralajmëruar se do të kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të deklarohet për kushtetutshmërinë e Ligjit për Presidentin. Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese deri më tani ka refuzuar iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit, kështu që, pas iniciativës së ngritur në vitin 2005, Gjykata Kushtuese ka vlerësuar se me këtë ligj nuk shkelet principi i barabarësisë së qytetarëve. Përkundër gjithë këtyre sqarimeve, nga Anti Korrupsioni megjithatë kanë paralajmëruar se do të dorëzojnë iniciativë për kufizimin kohor të privilegjeve, gjegjësisht të mos jenë të përjetshme.
Ajo që është e sigurt se javës që vjen, në Parlament do të dorëzohen propozim ndryshimet për ndryshime në Ligjin për Presidentin me të cilat do të racionalizohen privilegjet pensionale të presidentit. Pavle Trajanov, deputet nga Lidhja Demokratike një propozim të ngjashëm ka dorëzuar edhe në vitin 2009, por atëherë thotë se nuk e kanë mbështetur deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, për ti mbrojtur, siç thotë ai privilegjet e kandidatëve të tyre.
“Javës që vjen do të dorëzoi propozim ndryshimet në Parlament. Me këto ndryshime propozojmë që të reduktohen të drejtat e ish-presidentit dhe familjes së tij. Vlerësojmë se funksioni i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut është protokollar parasegjithash. Kuptohet që ka edhe autorizime Kushtetuese, ai është komandat supreme, ka autorizime rreth sigurisë dhe mbrojtjes, politikës së jashtme, por nuk mund që të hiqet paralele me rolin e kryeministrit dhe ministrave. Ato ushtrojnë detyrë dhe aktivitete operative të përditshme. Presidenti pasi të ketë mbaruar mandatin gëzon beneficione të mëdha, që nuk janë në përputhshmëri me kompleksitetin e funksionit që e kryejnë. Nuk ka logjik që ish-presidenti ti gëzon këto të drejta në një shtet që nuk ka sistem presidencial”, deklaroi për KOHA, Trajanov. Ai thekson, se midis tjerash në propozim ndryshimet ligjore parashihet që kabineti i ish-presidentit të jetë në Parlament, ashtu siç është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe të gjitha aktivitetet e tij ti kryej me shërbimet e Parlamentit, pasi që atje ka hapësira, administratë etj.
Edhe ish-diplomati dhe profesori universitar, Denko Maleski është i mendimit se duhet të ketë reduktim të mjeteve për ish-presidentët, pasi që siç shprehet ai, bëhet fjalë për President të një vendi të vogël dhe të varfër. “Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të jetë shumë e kujdesshme me mënyrën se si harxhon parat e buxhetit. Bëhet fjalë për një vend të varfër. Nëse politika vlerëson se gjithkund në sferën e saj duhet të bëhen kursime, a duhet të bëhen kursime, atëherë duhet të kursehet edhe me shpenzimet e caktuara për ish-presidentët. Duhet të racionalizohet shpenzimi i parave. Personalisht nuk e kuptoj pse ish-presidentët të gëzojnë privilegje të tilla, një numër të caktuar të punësuarish, shofer personal, zyra luksoze, mendoj se duhet të mendohet që këto harxhime të racionalizohen, model duhet të merret ndonjë shtet kursimtar në këtë drejtim”, deklaroi për KOHA, Denko Malevski, ish-diplomat. Ndërkohë, LSDM dhe VMRO-DPMNE ende nuk janë deklaruar për iniciativën, duke kërkuar kohë për të analizuar propozimin për racionalizimin e privilegjeve të ish-presidentëve.
Në Maqedoninë e veriut deri më tani ka dy ish-president të cilët “ushqehen” nga Buxheti i shtetit. Branko Cërvenkosvki më shumë se dhjetë vjet merr pensionin presidencial, ka zyra në afërsi të selisë së LSDM-së dhe ka të punësuar. Gjorge Ivanov, është në pension nga muaji maj i këtij viti. Zyrat e tij janë në lagjen Lisiçe, në ndërtesat e Xhevahir Holldingut. Për zyrat e Ivanovit shteti paguan qira prej 1.950 euro në muaj, ndërsa për Cërvenkovskin rreth 2500 euro. Sipas vlerësimeve të Komisionit për Anti Korrupsion deri më tani shteti ka shpenzuar 1.1 milionë euro vetëm për qiranë e zyrave, fatura dhe rroga për anëtarët e kabineteve të dy ish-presidentëve. Në vendet tjera të rajonit, kolegët e Cërvenkovskit dhe Ivanovit kanë privilegje më të ulëta. Në Kosovë pas mbarimit të mandatit Presidenti, përjetësisht merr 70 për qind të rrogës që ka marrë, ka mundësi që të hap zyra dhe punëson tre persona por jo më shumë se pesë vjet. (koha.mk)