Shkup, 30 korrik – Gjithsej 45 kompani sot morën certifikatë “Korrekt për konsumatorin” për kompani me rregulla të definuara qartë për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të konsumatorëve, me praktika korrekte të tregut dhe zgjidhjen e ankesave dhe mosmarrëveshjeve, si dhe të cilat e mbrojnë privatësinë e konsumatorëve dhe kujdesen për ndikimin e produkteve ndaj mjedisit jetësor.
Certifikata e kompanive është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit “Partneritet mes shoqërisë civile dhe sektorit afarist- zhvillimin e modelit inovativ për mobilizim të mjeteve financiare”, të cilin e zbatojnë Organizata e Konsumatorëve, ZBK Kreacioni dhe Asociacioni Zenit.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në ndarjen e certifikatës, theksoi se Ministria, si kompetente për mbrojtjen e konsumatorëve i ndjek praktikat e BE-së dhe ka propozuar masa dhe instrumente në programin për mbrojtjen e konsumatorëve për periudhën 2019-2020 me të cilat janë përfshirë numri më i madh i institucioneve për mbështetjen e organizatave qytetare për informim, edukim, këshillim dhe zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve me konsumatorët.
“Në këtë mënyrë Ministria i zbaton kompetencat e saja ligjore, e ajo është përforcimi i organizatave civile që t’i mbrojnë të drejtat e konsumatorëve. Ministria e Ekonomisë përmes programit për konkurrencë, inovacione dhe sipërmarrësi ndau mjete për mbështetjen e kompanive për ndarjen e certifikatës, i zhvilluar me mbështetje financiare të BE-së, përmes projektit “Partneritet mes shoqërisë civile dhe sektorit afarist”. Në këtë mënyrë e mbështesim qëndrueshmërinë e modelit për bashkëpunim mes sektorit civil dhe biznes sektorit i cili bazohet në nevojën për inkurajimin dhe mbështetjen e bizneseve për përmirësimin e raportit ndaj konsumatorëve dhe përforcimin e konkurrencës së kompanive”, tha Bekteshi.
Shtoi se me certifikatën organizatat civile ndikojnë që ndërmarrjet të vendosin praktika për respektimin më të mirë të të drejtave të konsumatorëve përmes pranimit vullnetar të kodeksit për marrëdhënie korrekte drejtë tyre dhe procedurës onlajn për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve.
Kryetarja e Organizatës së Konsumatorëve, Marijana Lonçar-Velkova, thotë se certifikata nënkupton se kompanitë kujdesen për produktet, për shërbimet, se kanë praktika korrekte drejtë konsumatorëve, gjegjësisht se kujdesen që konsumatorët të jenë të kënaqur, ndërsa gjithashtu i kushtojnë rëndësi produkteve që të mos jenë të dëmshme për mjedisin jetësor.
Certifikata jepet nga trupi i certifikuar i cili është krijuar nga tri organizatat (Organizata e Konsumatorëve), ZBK Kreacioni dhe Asociacioni Zenit) me përvojë shumëvjeçare gjatë mbrojtjes së konsumatorëve dhe avancimin e konkurrencës së ekonomisë së RMV-së.
Çmimi i certifikatës është formuar sipas madhësisë së kompanisë. Ministria e Ekonomisë përmes Programit për konkurrencë, inovacione dhe sipërmarrësi kompenson 50 për qind të shpenzimeve për certifikim për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. (koha.mk)