Tetovë, 5 shtator – Nxënësit e shkollës fillore periferike “Pashko Vasa” në fshatin Cerovë edhe ditën e dytë e kanë bojkotuar mësimin në këtë shkollë. Nga bashkësia lokale e këtij fshati të Komunës së Zhelinës, thonë se banorët kanë filluar një peticion ku kërkojnë largimin e arsimtarit të historisë nga shkolla e tyre, i cili është edhe në cilësinë e përgjegjësit të shkollës dhe bart një pjesë të fajit për gjendjen e shkollës, shkruan gazeta KOHA. Nga drejtoria e shkollës përsërisin qëndrimin e tyre se objekti i shkollës në fjalë i ka kushtet optimale për zhvillimin e procesit edukativo arsimor deri në ndërtimin e objektit të ri që pritet të ndërtohet brenda vitit 2018. Sa i përket transferimit të arsimtarit të historisë në një shkollë tjetër dhe zëvendësimin e tij me një kuadër që vjen nga fshati Cerovë, drejtori Nderim Nexhbiu thotë se një veprim i tillë nuk ka bazë ligjore dhe për momentin nuk mund të realizohet. Përndryshe, kjo është dita e dytë që rreth 80 filloristë të fshatit Cerovë po bojkotojnë mësimin. Nga Bashkësia Lokale e këtij fshati nënvizojnë se bojkoti do të vazhdojë deri në zgjidhjen përfundimtare të problemeve të tyre. (koha.mk)