Tradicionalisht me hedhjen e kapelave absolventët e Universitetit në Tetovë e festuan përfundimin e arsimit të lartë. Gjithsej 1.039 studentë nga 13 fakultete sot në prani të familjarëve të tyre i morën certifikatat për mbarimin e studimeve.
Në ceremoninë e rastit me rastin e përfundimit të studimeve, rektori i Universitetit Vullnet Ameti ua uroi arritjen dhe suksesin jetësor të studentëve.
“Ju kaluat një rrugë të gjatë për Ju dhe për familjet tuaja, nuk e patë të lehtë, megjithatë ky është një udhëtim që do ta mbani mend për gjithë jetën. Kemi mbi 1.000 studentë në të cilët shohim kolegë tanë të rinj prej të cilëve presim ta vazhdojnë dhe avancojnë punën e këtij institucioni të arsimit të lartë”, tha Ameti.
Mirënjohje si studentë më të mirë të cilët kanë diplomuar me mesatare 10 morën Almira Ramadani nga Fakulteti Pedagogjik dhe Sllavica Milloshevska nga Fakulteti Filologjik drejtimi gjuhë angleze.
“Në jetën e mëtutjeshme t’i keni në mendje studentët e ardhshëm dhe t’i përmirësoni kushtet për studim si profesorë, doktorë, menaxherë të ardhshëm”, tha Islam Imeri, kryetar i Parlamentit Studentor pranë Universitetit në Tetovë.
Diplomimin studentëve ua uroi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi.
“Ju dëshiroj sukses dhe fat në të ardhmen, do të keni ende sfida në jetë për të cilat duhet të jeni të këmbëngulës”, tha Xhaferi.(koha.mk)