Laura PAPRANUKU
Shkup, 9 tetor – Thuajse një e treta e institucioneve arsimore të nivelit të mesëm në Maqedoni janë në rajonin e Shkupit. Nga 176 objekte, në të cilat ushtrojnë veprimtarinë edukative arsimore 124 shkolla të rregullta, speciale dhe fetare, vetëm në rajonin e Shkupit ndodhen 54 objekte ose 30.7 për qind e totalit, shkruan gazeta KOHA. Pjesa tjetër e shkollave janë të shpërndara në shtatë rajonet e mbetura, ku gjithashtu mund të vërehet një diskrepancë e shpërndarjes së shkollave, krahasuar me numrin e nxënësve. Kështu për shembull në rajonin e Pellagonisë me kryeqendër Manastirin ka 23 objekte në të cilat zhvillohet mësimi i mesëm, kurse në rajonin e Pollogut me kryeqendër Tetovën ka 24 objekte. Mirëpo, Tetova ka dyfish më tepër nxënës se sa Manastiri. Konkretisht, sipas Entit të Statistikave, në vitin shkollor 2016 vetëm Tetova kishte 4060 nxënës të mesëm, ndërsa Manastiri 2113 nxënës. Në rajonin e Pollogut bie edhe qyteti i Gostivarit me numër gjithashtu të madh nxënësish të shkollave të mesme, konkretisht 2322 nxënës, kurse në rajonin e Pellagonisë, krahas Manastirit qytet tjetër i madh është Prilepi, me jo më shumë se 1781 nxënës.
Nëse i krahasojmë të dyja këto rajone, duke i gjykuar vetëm në bazë të numrit të nxënësve të qyteteve kryesore, pra Tetovën dhe Gostivarin, bashkë si dhe Manastirin dhe Prilepin bashkë, i bie që numri i nxënësve të jetë 6382 nxënës përballë 3894 nxënësve. E, pavarësisht diferencës prej rreth 2500 nxënës më shumë, të dyja rajonet kanë numër thuajse të barabartë objektesh shkollore, pra 23 rajoni i Pellagonisë dhe 24 i Pollogut. Ose vetëm, në bazë të numrit të nxënësve të dy qyteteve më të mëdha të atyre rajoneve, i bie që në Pellagoni të ketë mesatarisht nga 170 nxënës në secilin objekt, për dallim prej rajonit të Pollogut, ky sipas atij raporti i bie të ketë mesatarisht nga 266 nxënës. Shpërndarja jo e drejtë vërehet edhe në numrin e shkollave si subjekte juridike, ku në Tetovë dhe Gostivar, kemi 11 subjekte juridike ose njëlloj sa në Manastir dhe Prilep, pavarësisht faktit se kemi rreth 2500 nxënës më tepër. Rajoni me numrin më të madh të shkollave dhe objekte shkollore të mesme është ai i Shkupi, ku krahas 26 shkollave të rregullta të mesme, janë edhe katër shkolla speciale dhe dy shkolla të mesme fetare. Pas saj vijnë rajonet e Pollogut (24), Pellagonisë (23), rajoni Lindor me kryeqendër Shtipin (18), rajoni Jugperëndimor me kryeqendër Ohrin (16), rajoni i Vardarit me kryeqendër Velesin (15), rajoni Verior me kryeqendër Kumanovën (14) dhe rajoni juglindor me kryeqendër Strumicën (11).
Në rrjetin e institucioneve arsimore të nivelit të mesëm bie në sy mungesa e tyre në disa komuna, konkretisht në 23 komuna 81 gjithsej. Mirëpo, është evidente edhe një e dhënë tjetër shqetësuese, komuna me popullsi kryesisht maqedonase, që nuk kanë shkolla të mesme janë me numër shumëfish më të vogël nxënësish se komunat që banohen me popullsi kryesisht shqiptare. Kështu, për shembull, nuk kanë shkolla të mesme disa komuna maqedonase, si Konçeja, Pehçeva Pllashica apo Rosomani me nga 279, 210, 337 dhe 399 filloristë gjithsej. Por, komunat kryesisht shqiptare, si për shembull Studeniçani dhe Haraçina kanë nga 2043, respektivisht 1060 nxënës të shkollave fillore. Pra, numri potencial i nxënëse e kandidatë për shkollë të mesme në komunat maqedonase, është disa herë më i vogël se numri i nxënësve kandidatë për regjistrim në shkollat mesme.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.