Çereku i popullatës blen onlajn

Qytetarët vitin e kaluar kanë harxhuar 133.7 milionë euro apo 23.8 milionë euro më shumë se në vitin 2017 në blerjet përmes internetit, apo 406 mijë qytetarë kanë porositur diçka online në vitin 2018

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 12 korrik – Qytetarët e Maqedonisë në vitin e kaluar kanë harxhuar 133.7 milionë euro apo 23.8 milionë euro më shumë se në vitin 2017 në blerjet përmes internetit. Të dhënat statistikore tregojnë se më shumë shitblerje janë shënuar në ueb faqet e jashtme, megjithëse nuk janë të pakta as blerjet në tregun vendor të tregtisë elektronike. Apo me fjalë të tjera, 64 për qind e transaksioneve janë realizuar me kartela kreditore të lëshuara në shtet, por me pagesa ndaj tregtarëve jashtë shtetit, ndërsa 36 për qind e transaksioneve është realizuar ndaj tregtarëve onlajn në vend. Më së shumti të holla në këtë lloj tregtie janë harxhuar për blerjen e pajisjes dhe veshmbathjes, pajisjeve të ndryshme elektronike, prodhime për amvisëritë, ushqime etj, shkruan gazeta KOHA.

“Në këtë drejtim ekziston lëvizje pozitive ku sa vjen e më shumë po blihet edhe tek shitoret vendore elektronike. Në këtë drejtim nevojitet të punohet edhe shumë në edukimin e popullatës apo rritjen e shkathtësive digjitale të saj që të mundet ajo jo vetëm të blejë më shumë, por edhe të jetë sa më e përfshirë në tërë procesin e digjitalizimit” , thotë Nina Angellovska, kryetar e Shoqatës për Tregti Elektronike. Sipas saj, nuk mund të pritet që për pak para të blini brende apo marka të njohura tregtare nga shitoret e huaja, dhe nëse eventualisht mashtroheni – pastaj ti ankoheni Inspektoratit vendor të tregut që nuk ka ingerenca për diçka të tillë.

“Si hap tjetër për popullarizimin e mëtejshëm të tregtisë elektronike nevojitet që konsumatorët më shumë të kenë kujdes se ku dhe çka blejnë. Me fjalë të tjera, nuk ka nevojë për frikë gjatë blerjeve onlajn, por ka nevojë për një informim më të madh lidhur me sigurinë e uebfaqeve që shesin prodhime dhe shërbime të caktuara”, shton më tej ajo.

Në ndërkohë, të dhënat e Entit të Statistikës tregojnë se vitin e kaluar, 406 mijë qytetarë kanë porositur diçka online apo me fjalë të tjera – 31.6 për qind e shfrytëzuesve të internetit kanë blerë diçka onlajn, përkundër 19.5 për qind të shfrytëzuesve të internetit në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar që, sipas ekspertëve të kësaj fushe, udhëzon se ngadalë po tejkalohet një pjesë e problemeve dhe sfidave në tregtinë elektronike dhe konsumatorët po bëhen të vetëdijshëm për përfitimet dhe përparësitë e një tregtie të tillë. Ndryshe, të dhënat tregojnë se deri në fund të vitit 2018, në Maqedoninë e Veriut kanë qenë aktive 871 pika të shitjes virtuale që janë paraqitur nga ana e pesë bankave më të mëdha në shtet që ofrojnë tregtinë elektronike si pjesë e pakos së tyre të shërbimeve. (koha.mk)