Laura PAPRANIKU
Shkup, 28 mars – Viti që shkoi ka nxjerrë më pak magjistra dhe doktorë shkencash në Maqedoni krahasuar me një vit përpara kur personat që kishin fituar këta tituj ishin për shumë shkallë më lartë, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, numri i personave që kanë magjistratura dhe specializuar në 2016-ën është ulur për 17.2 për qind krahasuar me numrin e njëjtët të vitit 2015, ndërsa ulje është shënuar edhe në numrin e personave që kanë fituar titujt doktorë shkencash, edhe atë në shkallën prej 19.9 për qind.
Bazuar në po këta të dhëna, në vitin 2016 punimet shkencore të doktoraturës i kanë mbrojtur me sukses 197 persona, pjesa më e madhe e të cilëve janë mësimdhënës. Pra, në kategorinë e doktorantëve ESHS ka evidentuar 64 persona, që do të thotë se 32.5 për qind e numrit të atyre që kanë marrë këtë titull janë të punësuar në arsim, kryesisht nëpër universitete. Në radhë, sipas sasisë vinë: institucionet shëndetësore, të cilëve në vitin 2016 u janë shtuar 35 doktorë shkencash, e që në numrin e përgjithshëm të doktorantëve të këtij viti përbëjnë 17.8 për qind. Bie në sy numri i doktorantëve që janë të papunë. Pra, në kategorinë e atyre që kanë fituar këtë titull shkencor në vitin 2016, por që në të njëjtën kohë janë të papunë, figurojë 10 persona ose më tepër e 5 për qind nga numri i doktorantëve të këtij viti. Për 2016-ën, bie gjithashtu në sy përqindja e lartë e doktorantëve të gjinisë femërore. Me gjithsej 111 të doktoruar femra, ato përbëjnë 56. 3 për qind të numrit të përgjithshëm dhe këtë vit bën diferencën e së kaluarës. Vështruar sipas fushës së studimeve, kryesojnë shkencat shoqërore me 72 doktorant apo 36.5 për qind, pastaj vinë në radhë shkencat mjekësore me 38 apo 19.3 për qind, shkencat humane me 38 ose 18.3 për qind, shkencat teknike teknologjike me 26 ose 13.2 për qind, shkencat matematiko-natyrore me 13 ose 6.6 për qind dhe shkencat bioteknike me 12 persona ose 6.1 për qind. ESHS-ja nuk ka pasqyruar të dhënë sipas universiteteve ku janë fituar këto tituj, por vetëm sipas fushës së studimeve dhe profesionit të cilin e ushtrojë personat në fjalë.
Shkalla e dytë e studimeve të magjistraturës ka pësuar gjithashtu rënie në vitin 2016. ESHS-ja bën të ditur se në vitin 2016-ën këtë nivel studimesh e kanë kryer 2021 persona, prej të cilëve 1881 ose 93.1 për qind shkallën e magjistraturës dhe 140 ose 6.9 shkallën e specializimit. Edhe këtu dominojnë femrat me 58.9 për qind të kësaj kategorie, ndërsa nuk ka dallim as në fushën e studimeve. Njëlloj sikurse në nivelin e doktoraturës, edhe te shkalla e magjistraturës pjesa më e madhe e titujve të fituar janë nga shkencat shoqërore edhe 1 198 punime që përbëjnë 63.7 për qind të numrit të përgjithshëm të magjistraturave. Në nivele dëshpëruese është shkalla e të papunëve të kësaj kategorie. Rreth një e katërta e atyre që kanë magjistruar në vitin 2016, respektivisht 498 persona ose 24.6 për qind janë evidentuar si magjistra, të cilën nuk janë të punësuar diku.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara