Shkup, 16 maj – SOS linja për ndihmesën e fëmijëve dhe të rinjve 0800 12222 e Ambasadës së parë të fëmijëve “Megjashi” e shënon çerek shekullin nga ekzistimi. Në këto 25 vjet, thonë nga “Megjashi” përmes linjës kanë marrë ndihmë mbi 20.635 fëmijë dhe të rinj dhe persona të tjerë të rritur të cilët kanë kërkuar ndihmë dhe mbështetje për veprim në drejtim të interesit më të mirë të fëmijëve.
Në punën e SOS-telefonit, saktësojnë, është përfshirë ekipi multidisiplinor i përbërë nga psikologë, punonjës social, pedagogë, gazetarë dhe avokatë, si dhe kategori të ndryshme të vullnetarëve të rritur.
“Vazhdimisht përmes SOS-shërbimit edhe mediave i informojmë fëmijët për të drejtat e tyre, i edukojmë për mënyrat si të kërkojnë ndihmë dhe kur duhet ta bëjnë këtë dhe në mënyra të ndryshme përmes punëtorive, trajnimeve dhe projekteve prekim deri tek ndërgjegjësimi i prindërve dhe e nxisim guximin e fëmijëve për të kërkuar ndihmë kur u rrezikohen ose shkelen të drejtat e tyre”, thonë nga “Megjashi”.
Në punën e deritanishme të SOS-telefonit për fëmijë dhe të rinj, Ambasada e parë e fëmijëve ka vendosur bashkëpunim dhe ka këmbyer përvoja me SOS-telefonat nga Beogradi dhe Nishi, me SOS-telefonat nga Zvicra, Belgjika, Gjermania, Holanda dhe me SOS telefonin për gra dhe fëmijë-viktima të dhunës nga Shkupi, si dhe me SOS-shërbimin për fëmijë dhe për të rinj nga Frankfurti.
Nga “Megjashi” theksojnë se përballen me probleme në funksionimin e SOS linjës për ndihmë, për shkak të shumë problemeve të shpeshta teknike dhe ndërprerjeve të numrit për të cilat, siç thonë, duhet të kujdeset Telekomunikiacioni i Maqedonisë.
“Ajo që e vështirëson në mënyrë shtesë funksionimin e SOS linjës për ndihmesën e fëmijëve dhe të rinjve është ajo që edhe krahas përpjekjeve, ‘Megjashi’ nuk arriti nga institucionet shtetërore, organizatat shoqërore përgjegjëse dhe bashkësia të ketë mundësi që SOS numri i Maqedonisë 0800 12222 të harmonizohet me numrin ndërkombëtar 116 111”, potencojnë nga ambasadat e fëmijëve dhe shtojnë se edhe më tej çdoherë do të luftojnë për realizimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve.