ÇERDHET NË KUMANOVË: Për fëmijët shqiptarë, luks i tepruar!

199

Vitin e kaluar Ministria e Punës dhe Politikës Sociale kishte planifikuar të ndërtojë dhe rindërtojë 43 çerdhe në Maqedoninë e Veriut, por për fat të keq asnjëra prej tyre nuk ishte e paraparë në lagjet shqiptare të Kumanovës. Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, gjatë fushatës zgjedhore pat premtuar se do të ndërtojë një çerdhe të re në lagjen “Bajram Shabani”, por deri më tani ky premtim ka ngelë vetëm një fjali e vdekur në platformën e tij të zverdhuar nga koha

Zenel MIFTARI

Kumanovë, 19 shtator – Pas një pushimi të gjatë për shkak pandemisë së virusit korona dhe masave për ta parandaluar përhapjen e tij, kopshtet për fëmijë kanë filluar të punojnë përsëri.
Por, në krahasim me nevojat reale, çerdhet në qytetin e Kumanovës kanë kapacitete tepër të reduktuara, që arrijnë të pranojnë vetëm 1.100 fëmijë.
Në anën tjetër, nëse bëhet një krahasim në mes të ritmit të lindshmërive (në vit lindin më shumë se 1.000 fëmijë) dhe kapacitetit të çerdheve, do të shohim se një pjesë e madhe fëmijëve të ciklit parashkollor në qytetin Kumanovës mbeten të pa përfshirë në çerdhe, si pasojë e mungesës së tyre. Ky problem vërehet sidomos tek familjet shqiptare, të cilat kanë ankesa të mëdha për arsye se në lagjet ku ata banojnë, çështja e çerdheve ende konsiderohet një luks i tepruar.

Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, për të cilin kishin votuar edhe një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve, gjatë fushatës zgjedhore pat premtuar se do të ndërtojë një çerdhe të re në lagjen “Bajram Shabani”, e banuar me popullatë shumicë shqiptare, por deri më tani ky premtim ka ngelë vetëm një fjali e vdekur në platformën e tij të zverdhuar nga koha. Prindërit e kësaj lagje shprehen se është tepër e nevojshme që të kenë një çerdhe në lagjen e tyre me qëllim që të plotësohen të gjitha nevojat e qytetarëve. “Nevoja për çerdhe të reja në qytet është thelbësore. Disa nga prindërit detyrohen që t’i dërgojnë prindërit në çerdhet private të cilat nuk i plotësojnë as kushtet minimale, për të cilat ka zëra se të njëjtat janë të dyshimta dhe mbahen nga rrymat e ndryshme fetare”, shprehet Rahim Baftjari nga lagja “Bajram Shabani”.

Mungesën e çerdheve, përpos lagjeve shqiptare në qytetin e Kumanovës, po e ndjejnë edhe fsahtart përreth – Rramanli, Llopat dhe Çerkez.  Numri i fëmijëve në këto fshatra është mjaftueshëm i madh dhe nevoja për kopshte është esenciale për prindërit e këtyre fshatrave. Ata ndihen të diskriminuar nga Komuna dhe institucionet shtetërore, sepse ndjehen të lënë pas dore. “Ne i paguajmë tatim shtetit dhe kontribuojmë në buxhetin shtetëror, por shteti nuk po na i kthen ato mbrapshtë, pasi që po investon diku tjetër, kryesisht në vendbanimet maqedonase”, shprehet i mllefosur Rasim Mehmeti, një banor i vjetër i i Kumanovës.

Osama Muadini, këshilltar në Komunën e Kumanovës, për gazetën KOHA është shprehur se premtimet e kryetarit veçanërisht për çerdhen në lagjen “Bajram Shabani” kanë mbetur në letër dhe po shihet se kanë pasur vetëm efekt elektoral. “Ka gati tre vite që kryetari është në krye të Komunës, por nuk është ndërmarr asgjë për ndërtimin e çerdhes. Parashihet që të fillohet vitin e ardhshëm. Në propozim-buxhetin për vitin 2021 planifikohet të ndahen mjete financiare, por një gjë e tillë është vështirë e realizueshme”, thotë Muadini. Sipas tij, punët për çerdhen në fjalë, si shumë projekte tjera janë ndalur te dokumentacioni teknik!

Nga Komuna e Kumanovës për gazetën KOHA, u shprehën se ka numër të madh të fëmijëve të cilët duhet ti shfrytëzojnë shërbimet e çerdheve por që kapacitetet janë të kufizuara.
“Ne si Komunë kemi aplikuar për ndërtimin e çerdhes në Lagjen “Bajram Shabani”, por projekti u refuzua për shkak të problemeve me shpronësimin e tokës ku duhej të ndërtohej çerdhja e fëmijëve. Buxheti i Komunës për këtë vit nuk lejon realizimin e këtij projekti, por do të tentohet që në të ardhmen të kryhet ky problem”, sqarojnë nga komuna. Ndryshe, vitin e kaluar Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, kishte planifikuar të ndërtohen dhe rindërtohen 43 çerdhe në Maqedoninë e Veriut, por për fat të keq asnjëra prej tyre nuk ishte e paraparë që të ndërtohet në lagjet shqiptare të Kumanovës. (koha.mk)

Comments are closed.