Çerdhet e Tetovës kanë numër enorm të fëmijëve dhe nga viti në vit ka më shumë fëmijë sa që kanë kapacitete çerdhet për të pranuar. Kjo situatë tashmë është e pranishme vite me radhë, ngase rritet numri i prindërve që dërgojnë fëmijët në çerdhe por edhe aty hasin në vështirësi sepse ka listë pritjeje
Urim HASIPI
Tetovë, 13 janar – Ende nuk dihet se kur do të fillojë të ndërtohet çerdhja e re në Tetovë. Do të fillojë para apo pas zgjedhjeve kjo ende nuk është bërë e ditur, por të gjitha paralajmërimet kanë qenë se këtë vit do të fillojë ndërtimi i së njëjtës. Kjo është bërë e ditur edhe nga ish Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska edhe nga kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi. Kjo e fundit në një prononcim për media ka thënë se procedurat janë kah fundi dhe është çështje kohësh kur do të fillojë ndërtimi.“Jemi në procedura të avancuara të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, ajo do të ndërtohet përmes mjeteve IPA, të cilat Ministria në fjalë i ka tërhequr për këtë qëllim. Nuk ka asnjë pengesë që ata sapo të përfundojnë me procedurat të fillojë puna” tha Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës. Procedurat rreth projektit kanë përfunduar dhe tashmë pritet që komuna e Tetovës të largojë disa objekte në vendin ku do të ndërtohet dhe përfundimisht të fillojë ndërtimi në oborrin e shkollës fillore Kirili dhe Metodi. Madje ish ministrja Carovska, gjatë një vizite në Tetovë në muajin tetor të viti të kaluar kishte deklaruar se kanë njoftuar komunën për procesin dhe për hapat që duhet të ndërmerren.
“Procesi i projektimit ka përfunduar dhe e njoftojmë komunën se procesi tenderohet sepse shkon përmes delegacionit të Bashkimit Evropian dhe duhet që komuna të largojë disa objekte në atë pronë në afatin e caktuar dhe të fillojë ndërtimi gjatë vitit të ardhshëm”, kishte premtuar Carovska gjatë qëndrimit të Tetovë. Në bazë të projektit, bëhet fjalë për një çerdhe të madhe. Sipas informacioneve të komunës së Tetovës, çerdhja do të ketë kapacitet për 200 fëmijë. Pasi që bëhet fjalë për një çerdhe të madhe, komuna nuk kishte aplikuar në thirrjen e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale sepse kjo ministri financonte çerdhe me kapacitete më të vogla.
“Bëhet fjalë për një çerdhe me sipërfaqe prej 1644 metra katrorë, me kapacitet për 200 fëmijë. Bëhet fjalë për një çerdhe të madhe, në krahasim me ato çerdhe që u shpallën si projekte për investime në vitin 2019 që kanë të bëjnë me kapacitete më të vogla, në krahasim me atë të Tetovës. Sa i përket obligimeve të komunës dhe MPPS-së, për lejen e ndërtimit dhe pjesëve përgatitore ata janë të harmonizuara, dhe besoj se shumë shpejt do të kemi edhe shpalljen publike, do të jetë ndërkombëtare, së bashku mes Ministrisë dhe BE-së, ku do të bëhet një shpallje publike enkas për ndërtimin e një çerdhe të dedikuar për komunën e Tetovës” thonë nga komuna e Tetovës. Çerdhet e Tetovës kanë numër enorm të fëmijëve dhe nga viti në vit ka më shumë fëmijë sa që kanë kapacitete çerdhet për të pranuar. Kjo situatë tashmë është e pranishme vite me radhë, ngase rritet numri i prindërve që dërgojnë fëmijët në çerdhe por edhe aty hasin në vështirësi sepse ka listë pritjeje. Të dhënat zyrtare thonë se çerdhja tek shkolla Ekonomike ka kapacitet për 120 fëmijë, në çerdhen Teteks kapaciteti është për 160 fëmijë, çerdhja e “Vjetër” gjithsej ka kapacitet për 90 fëmijë, në objektin në lagjen Potok kapaciteti është për 120 fëmijë. Në të gjitha këta çerdhe gjithnjë ka numër më të madh të fëmijëve, prandaj ndërtimi i çerdhes është kërkesë e kamotshme në Tetovë. Momentalisht është duke u ndërtuar një çerdhe në Bërvenicë, ndërsa e njëjta ka një kapacitet për 80 fëmijë. (koha.mk)