Pamundësia për t’i regjistruar fëmijët në çerdhet publike, ka detyruar shumë prindër t’iu drejtohen atyre private, mirëpo problemet nuk përfundojnë këtu. Keqtrajtimet dhe sjelljet joadekuate të personelit të këtyre çerdheve përbëjnë mozaikun e zymtë në gjendjen e përgjithshme nëpër këto institucione
Remzije BILALLI
Shkup, 16 gusht – Të investosh në brezin e ri, është mënyra më e mirë e projektimit të së ardhmes së një vendi. Kopshti i fëmijëve është shumë i rëndësishëm për fëmijët. Ai i parapërgatit fëmijët për shkollën. Është institucion ku fëmija fillon në formimin e personalitetit dhe karakterit, andaj duhet pasur kujdes maksimal sepse model i fëmijëve janë edhe edukatorët, shkruan gazeta KOHA. Gjendja në kopshtet e Maqedonisë është shqetësuese në shumë aspekte duke përfshirë sjelljet e dhunshme të edukatorëve, kushtet jo të mira si dhe popullimi i lartë kundrejt kapacitetit të vogël hapësinor.
KAPACITETI I VOGËL DHE KUSHTET JO ADEKUATE
Në Republikën e Maqedonisë janë rreth 68 kopshte publike dhe 25 private, në gjithsej 57 komuna. Listat të cilat presin për pranimin në kopshtin e fëmijëve janë variabile dhe aplikimet janë nën përgjegjësin e kopshteve. Ndërkaq nga Ministria e Punës dhe Politikë Sociale (MPPS) thonë se kushtet e mundshme për rritje dhe zhvillim më të mirë të të gjithë fëmijëve janë prioritet i lartë i kësaj Qeverie.
“Qëllimi ynë është që të rrisim vazhdimisht kapacitet në hapësirën e kopshteve në vend, por edhe të përmirësojmë cilësinë e programeve për të përfshirë sa më shumë fëmijë të cilët nuk kanë pasur mundësi të ndjekin kopshtin. Deri më tani janë hapur 11 objekteve të reja, kurse deri në fund të vitit 2018 është planifikuar të hapen edhe 8 objekteve shtesë. Programi i kësaj Qeverie është rritja e numrit të fëmijëve në edukimin parashkollor me 50% deri në fund të mandatit tonë dhe ne punojmë me përkushtim për këtë”, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Problemi i mungesës së kapacitetit të kopshteve po prek sidomos prindërit e rinj të cilët përballen me anomalitë e regjistrimit, dhe për këtë, ata presin edhe deri një vit, për të siguruar një vend për fëmijën e tyre. Numri aktual i këtyre institucioneve nuk arrin të përfshijë gjithë fëmijët që paraqiten, dhe vetmja alternativë që ngel janë kopshtet private.
“Çdo vit e më shumë kam hasur në prind te revoltuar të cilët tregojnë se nuk iu është pranuar fëmija në çerdhe pasi që nuk ka vend. Kjo dëshmon nevojën e patjetërsueshme për krijimin e grupeve te reja ose hapjen e kopshteve tjera tek ne. Fatkeqësisht ka shumë problematika thelbësore kur flasim për punën dhe funksionimin e çerdheve. Grupet mbajnë më shumë fëmijë se sa është e lejuar me ligj, dhe kjo ndodh sepse duhet të angazhohen kuadro të reja. Çdoherë faji hidhet nga drejtoria në Komunë nga Komuna në Qeveri për mosdhënien e lejeve për angazhimin e edukatoreve të reja. Mjafton te hysh në një çerdhe dhe të hapësh ndonjë dollap ku do të vëresh se në çdo dollap ka çanta dhe mbathje të dy apo tre fëmijëve. Kjo tregon se në atë grup ka më shumë fëmijë se sa që lejohet me ligj. Në shtretër flenë nga dy fëmijë. Kjo është një dëshmi tjetër. Definitivisht duhet të rritet numri i kopshteve për fëmijë dhe të krijohen kushtet ashtu siç u ka hije”, deklaroi për gazetën KOHA, Nora Kaliqi, një prej nënave të brengosura për mungesën e kushteve dhe kapaciteteve në çerdhet tona.
Ajo shton se megjithatë ka dhe shumë edukatore të mira,të cilat maksimalisht janë të përkushtuara në punën e tyre edhe krahas kushteve të këqija. Mirëpo, instalimi i kamerave dhe sigurimi, propozon ajo, janë më se të nevojshme në kopshte. Duke filluar nga rastet kur edhe mund te hyjë ndonjë i panjohur ,rastet kur ka vjedhje, bie fjala, në çerdhen “11 Tetori” në Shkup shpesh vjedhjen gjëra që mezi i sigurojnë për të punuar edukatorët. Ndryshe do të jetë edhe kujdesi ndaj fëmijëve kur edukatorët kanë parasysh se dikush i vëzhgon dhe çdo sjellje e tyre sado të jetë e vogël e që është e dëmshme për mirëqenien e fëmijëve do të eliminohet.
ME KUADËR PROFESIONAL TEJKALOHEN KEQTRAJTIMET
Lidhur me ankesat e prindërve në adresë të personelit të çerdheve, psikologët vlerësojnë se në këto institucione në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar të punojnë persona pa përgatitje adekuate profesionale.
“Rritja e numrit të kopshteve jo gjithnjë mund të jetë zgjidhja e duhur e kujdesit të nevojshëm për fëmijët. Do të ishte më mirë përmirësimi dhe rritja e cilësisë së shërbimeve për ata fëmijë që do jenë pjesë e programeve të kopshteve. Rëndësi ka pasurimi i programeve dhe inkuadrimi i personave adekuat dhe kreativ, të cilët ato vende ti bëjnë të dashur për fëmijët”, deklaroi për gazetën KOHA psikologu Musa Musai.
Keqpërdorimet që vijnë si rezultat i sjelljeve jo pedagogjike të punonjësve të çerdheve, që jo rrallë përfundojnë edhe me lëndime të fëmijëve, janë një prej ankesave më shqetësuese të prindërve në adresë të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Ata thonë se nga fillimi i vitit 2017 deri në gusht të këtij viti, inspektorët nga Departamenti për Mbikëqyrjen dhe Mbrojtjen e Fëmijëve kanë marrë menjëherë masa adekuate, duke qëndruar në institucionin përkatës, pas ankesës së prindërve për dëmtime fizike të një fëmije , me ç’rast kanë kryer 11 mbikëqyrje të jashtëzakonshme.
Në rrjetin social Facebook i cili po shërben si instrument më i mirë për të denoncuar keqpërdorimet e ndryshme, janë publikuar fotografi dhe video të shumta lidhur me sjelljen e një edukatoreje e cila shihet teksa iu bërtiste fëmijëve. Ajo shkroi se fëmija po qante për dy orë dhe një punonjëse e kopshtit iu drejtua me fjalë abuzive, të tilla si “kudër”, “lopë”.
Debat ka ngjallur edhe rasti i foshnjës 11 muajsh në kopshtin e fëmijëve “Rade Jovcevski Korçagin” në Shkup, nëna e së cilës pretendonte se vajza e saj është maltretuar fizikisht nga edukatorja.
SANKSIONE NDAJ KEQPËRDORUESVE
Për të gjitha këto raste, MPPS thotë se inspektorët kanë gjetur zgjidhje të përshtatshme dhe kanë vepruar në mënyrë urgjente ndaj ankesave të prindërve. Në qoftë se institucionet e caktuara nuk veprojnë dhe nuk ndërmarrin masa, janë parashikuar dënime për kryerësin e veprës penale, përgjegjësin si dhe institucionin ku ai punon. Sa më shumë që mësojmë mbi pasojat që le dhuna tek fëmijët, aq më të qarta bëhen masat që duhen adresuar, për arsye se ekspozimi ndaj dhunës gjatë fëmijërisë ka pasoja jashtëzakonisht negative si për shëndetin mendor dhe atë fizik.
“Brenga kryesore s’do mend se është kujdesi dhe përkushtimi i qendrave, tek të cilat besimi duhet të jetë i ndërsjellur, si dhe siguria ndaj prindërve se nuk do të abuzohet me fëmijën e tyre në njërën apo tjetrën formë, sepse kemi të bëjmë me një moshë të fëmijëve, kur bota e tyre është e ndjeshme. Secili relacion i ri i krijuar kërkon sqarimin e duhur; gjë e cila domosdo përkon edhe me durimin e kujdestarëve dhe vetëkontrollin. Mosha e fëmijërisë së hershme është e tillë sa që zhvillimi kognitiv, ai social dhe emocional i fëmijës formohet përmes procesit të identifikimit me prindërit ose me edukatorët e tij. Andaj teoria e të mësuarit social flet për kujdesin dhe krijimin e modeleve të mira për fëmijët që zhvillimi i tyre të jetë afirmues dhe i pasuruar me virtyte”, sqaron psikologu Musa Musai. Se sistemi i mbrojtjes së fëmijëve për vite ka qenë i njëanshëm dhe i lënë pas dore, këtë e pranon edhe vetë Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, sipas së cilës kjo është edhe arsyeja pse po punohet për të forcuar kapacitetet e stafit. Për rrjedhojë, nga 1 janari i vitit 2018, MPPS ka dhënë pëlqimin për punësimin e 789 personave për një periudhë të pacaktuar dhe 50 punësime të përkohshme në kopshte. (koha.mk)