Shkup, 21 shtator – Është ndryshuar Ligji për partneritet publiko-privat ndërsa fondet e parashikuara në marrëveshjen e koncesionit me TAV Maqedoni, të destinuara për ndërtimin e aeroportit kargo në Shtip, do të ripërdoren për projekte me interes publik të shtetit. Kështu ka thënë ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pas takimit me drejtorin gjeneral të TAV Maqedoni, Alper Ersoy, ndërsa ka informuar se në periudhën e ardhshme, Qeveria dhe koncesioneri do të nënshkruajnë aneks marrëveshje për koncesion me çka nga viti i ardhshëm do të fillojë realizimi i projekteve që do të përfshihen.
“Të gjitha analizat e bëra nga ana e Qeverisë tregojnë se ndërtimi i aeroportit kargo në Shtip nuk ka arsyeshmëri ekonomike. Shuma, e cila është paraparë me kontratën paraprake për ndërtimin e kargo aeroportit në rajonin e Shtipit, do të ridizajnohet dhe do të ridedikohet për projekte të karakterit infrastrukturor, por kryesisht për ndërtimin e ujësjellësve, kanalizimeve, çerdheve, shkollave…, por njëkohësisht edhe objekteve komunale me të vetmin qëllim – përmirësimin e shërbimeve që i japin komunat e vendit. Bëhet fjalë për një shumë prej 49.7 milionë euro”, deklaroi Bekteshi.
Ai informoi se komunat tashmë kanë dorëzuar projektet e tyre që nga viti i kaluar, e të cilat janë me prioritet për realizim. “Qeveria ka një listë të projekteve që janë prioritare për implementim dhe janë dorëzuar nga komunat. Kur të nënshkruhet aneks marrëveshja, do të shpallen projektet që do të implementohen dhe dinamika për implementimin e ri, informoi Ministri Bekteshi.