Shkup, 22 tetor – Ministri slloven i Punëve të Jashtme, Miro Cerar vlerësoi se Bashkimi Evropian ka treguar unitet gjatë Brekzitit, por se “ka rënë” në çështjen për Ballkanin, pasi që nuk mundi të arrijë marrëveshje për fillim të negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Ekzistojnë disa efekte pozitive në pjesën e Bashkimit Evropian të cilat kanë të bëjnë me Brekzitin, sepse në njëfarë mënyre e mbajtëm unitetin tonë gjatë këtij procesi. Treguam se jemi në gjendje të qëndrojmë prapa një shteti të vogël si Irlanda dhe t’i mbrojmë interesat e saj”, deklaroi Miro Cerar në intervistë për AP.
Cerar paralajmëroi se vendimi i BE-së të mos hapë negociata anëtarësimi me Maqedoninë e Veriur dhe Shqipërinë dërgon sinjal negativ në rajonin jostabil të Ballkanit Perëndimor.
“Besoj se ky prolongim dhe mos sjellje e vendimit ishte gabim historik. Ne në të vërtetë i zhgënjyem. Nuk e përmbushëm premtimin tonë dhe kjo është keq për të dy palët”, porositi shefi i diplomacisë sllovene.
Ai theksoi se BE-ja duhet të japë gjithçka nga vetja për ta ruajtur rajonin, të vazhdojë me procesin e zgjerimit dhe të fillojë negociata me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më parë.
Sllovenia u bë vend anëtar i BE-së në vitin 2004.