Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thonë se mënyra më e shpejtë, më e lirë dhe më e thjeshtë të sigurojë energjinë e saj bazike është përmes Centralit bërthamor. Ekspertët energjetik nuk e shohin të arsyeshme investimin në ndërtimin e kapaciteteve në shtete të huaja
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 4 korrik – Qeveria e Bullgarisë planifikon që në dhjetë vitet e ardhshme të ndërtojë centralin bërthamor Belene me një kosto prej 10 miliardë euro. Interesim për këtë kapacitet energjetik deri tani kanë treguar Rusia përmes kompanisë atomike Rosatom, konzorciumi gjermano-francez Frantom , kompania amerikane Xheneral Elektrik, si dhe kompania kineze CNC dhe ajo koreane Hidro, shkruan gazeta KOHA. Njëherësh, krahas qeverisë së Maqedonisë së Veriut, interesim për ndërtimin e saj ka treguar edhe qeveria e Serbisë dhe Malit të zi . Bullgaria në fillim të muajit qershor publikoi thirrjen për shfaqjen e interesimit për ndërtimit e saj, ku thuhet se kërkohet investitor strategjik për blerjen e aksioneve dhe për blerjen e rrymës që do të prodhojë ky central atomik. Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut , thonë se mënyra më e shpejtë, më e lirë dhe më e thjeshtë që Maqedonia të sigurojë energjinë e saj bazike që sigurohet nga gazi, qymyri apo karburanti bërthamor, është përmes Centralit bërthamor. Megjithatë shtojnë më tej, realizimi i saj është akoma larg. “Ne si shtet duhet të shohim interesin tonë të marrim pjesë në një projekt të tillë, për shkak se me kalimin e kohës po humbim energjinë tonë bazë për shkak të mungesës së qymyrit. Njëherësh akoma nuk është i qartë edhe koncepti nga pala bullgare që akoma nuk ka ndërtuar deri në fund si konstruktin financiar ashtu edhe strukturën e palëve të interesuara”,thotë zëvendës kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Sipas tij, analizat tregojnë se shteti ka qymyr edhe për 15 vite, ndërsa strategjia energjetike që pritet të përfundohet në muajin shtator do të ofrojë përgjigje se si do të furnizohemi në aspekt afatgjatë me të gjitha energjenset përfshi edhe energjinë elektrike.
Nga ana tjetër, një pjesë e ekspertëve energjetik nuk e shohin të arsyeshme investimin në ndërtimin e kapaciteteve në shtete të huaja, por preferojnë që si shtet të investojmë në kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë së rinovueshme. “Si shtet nevojitet të investojmë së paku 200 deri 300 milionë euro në ndërtimin e centralit në Belene. Për ne do të ishte shumë më e shpagueshme që më në fund të realizohet projekti kapital Çebren dhe Galishte që do të sjellë përfitime të mëdha, jo vetëm në aspektin e prodhimit të rrymës, si dhe të investohet në kapacitete të tjera vendore si centrale të diellit , erës e kështu me radhë”, thotë profesori universitar Konstantin Dimitrov.
Ndryshe në Evropë punojnë 196 centrale bërthamore ku 59 janë të vendosur në Francë, ndërsa 10 punojnë në Rusi. Deri tani vetëm Gjermania ka mbyllur centralet e saja bërthamore pas avarisë në centralin japonez Fukushima. Nga shtetet e Ballkanit, impiante të tilla kishte në Kërshko të Sllovenisë që akoma punon, dhe Kozloduj i Bullgarisë që është mbyllur. Plane për ndërtimin e tyre ka në Hungari, Rumani, Turqi, Çeki dhe Poloni. Njëherazi Rusia dhe Kina planifikojnë të dyfishojnë numrin e centraleve të tyre bërthamore. Para dhjetë vitesh, Qeveria Shqiptare , hoqi dorë nga ndërtimi i centralit atomik në Shqipëri disa muaj pas lancimit të kësaj ideje nga vetë Kryeministri Sali Berisha gjate takimit të një viti e gjysmë më parë me homologun italian Silvio Berluskoni duke iu orientuar tashme energjisë së rinovueshme. Tirana mbështet nismën për kthimin e Shqipërisë në një vend prodhues 100 për qind të energjisë së gjelbër. (koha.mk)