Shumë vende kufizojnë median në një farë mënyre, qoftë përmes kufizimeve të rrepta për gazetarët që kundërshtojnë pushtetin ose duke fshirë faqet e internetit që kërkojnë të jenë të pavarura në lajme të cilat i transmetojnë.
Zenel MIFTARI
Shkup, 17 janar – Sipas hulumtimit mbi censurën në internet, e titulluar “Harta globale e kufizimeve në internet” Maqedonia e Veriut bënë pjesë në vendet me disa kufizime të vogla në internet. Në këtë studim, studiuesit krahasuan gjendjen e internetit në 181 vende për të parë se cilat shtete vendosin kufizimet më të ashpra dhe cilat kanë më shumë liri në internet. Studimi merr në shqyrtim 10 faktorë siç janë: kufizimi dhe ndalimi i programeve-torent, kufizimi dhe ndalimi i pornografisë, kufizimi dhe ndalimi i mediave politike, censura e rreptë e mediave politike, kufizimet dhe ndalimi i mediave sociale, kufizimet dhe ndalimi i Rrjeteve Virtuale Private (VPN). Sipas studimit, situata më e keqe kur bëhet fjalë për censurimin e internetit është në Korenë e Veriut, ku vëzhgohen të gjithë 10 faktorët kufizues, shkruan gazeta KOHA.
Pasojnë Kina, Rusia, Turkmenistani, Irani, Bjellorusia, Turqia, Omani, Pakistani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Eritrea. Shumë vende kufizojnë median, qoftë përmes kufizimeve të rrepta për gazetarët që kundërshtojnë pushtetin ose duke fshirë faqet e internetit që kërkojnë të jenë të pavarura në lajme. Ekziston një shqetësim i përgjithshëm se kufizimet në vende të ndryshme janë në rritje,vlerëson autori i studimit Paul Bischoff, një ekspert i IT.
“Nga bllokimi i mundshëm i përmbajtjes pornografike në Mbretërinë e Bashkuar dhe Australi, deri në armiqësinë në rritje të mediave politike në Shtetet e Bashkuara, liritë tona në internet nuk mund të merren si punë e kryer,” u shpreh ai. Ndërkohë që censura po bëhet gjithnjë e më e zakonshme,shumë vende mund të futen në listën e ndalimeve dhe kështu të rrezikojnë privatësinë dixhitale të qytetarëve, përfundon raporti.
Sipas profesorit universitar, dr. Demush Bajrami, interneti si një shtytës ose mjet i aktivizmit qytetar dhe politik, mundëson që të dalë në pah debati rreth temave me aktuale në shoqërinë globale. Prandaj, gjithnjë e me i domosdoshëm po behët potenciali i Internetit në kontekstin e çështjeve të përditshmërisë sonë në çdo fushe të jetës.
“Kujdesi dhe mbrojtja e te miturve nga përmbajtjet potencialisht të dëmshme në platformat e Internetit, mbetet një nga aspektet më të rëndësishme të punës së organeve rregullatore. Sidoqoftë, kjo çështje duhet te afrohet nga këndvështrimi i parandalimit të abuzimeve në Internet. Mendoj se edukimi mediatik, në një shoqëri informacioni ndihmon në mbrojtjen nga përmbajtjet e dëmshme. Krahas kësaj, duhet vënë në spikame edhe çështjen e përdorimit dhe lirisë se pakufizuar që përben tipologjinë e internetit, duke i lëne mundësi abuzimeve të shumta, pasojat e të cilave e kapërcejnë hapësirën virtuale në të cilën ato ndodhin. Së këndejmi lind nevoja për të rregulluar mediat online, i cili në të njëjtën kohë nuk do të thotë heqje e lirisë ose censurë”, shprehet Bajrami. Kohë më parë përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias, Harlem Désir, shprehu mbështetjen e tij për vetë-rregullimin e mediave online në Maqedoninë e Veriut, por edhe financimin transparent. (koha.mk)