Çellsi do të ketë përpara verën më të vështirë që kur skuadrën londineze e drejton manjati rus, Roman Abramoviç, me trajnerin Konte në prag të largimit, si edhe shumë futbollistë në fundin e kontratës. Nëse për trajnerin italian largimi ka një kosto prej 9 milionë sterlinash, duket se vështirësitë më te mëdha Abramoviç i ka për të ruajtur pjesën tjetër të skuadrës. Në qendër të vëmendjes janë Hazard dhe Kurtoa, për të cilët nuk është arritur ende marrëveshja për rinovim. Por bashkë me Hazard dhe Kurtoa në dyshim është edhe e ardhmja e disa futbollistëve të tjerë si, Fabregas, Pedro, Kejhilll, David Luiz dhe francezi që erdhi në janar Zhirud. Të gjithë këta futbollistë kanë edhe 12 muaj në kontratat e tyre dhe bisedimet për rinovim nuk kanë nisur ende, ndërsa nuk është plotësuar vendi i lënë bosh nga drejtori teknik Mihael Emenalo, i shkarkuar në nëntor. Në dyshim të madh është edhe e ardhmja e dy futbollistëve që janë dhënë me huazim, Batshuaj te Dortmund dhe Zouma te Stouk, për të cilët nuk është bërë asnjë manovër. Çellsi të dielën mori një goditje të rëndë nga Totenhemi, e cila e ka nxjerrë nga korsia e Ligës së kampionëve, duke bërë që sezonin e ardhshëm të nisë sezonin në një nivel më të ulët.