Çellsi ka bërë një ofertë të hapur prej 63 milionë eurosh për sulmuesin e Interit, Mauro Ikardi, raporton “AS”. Oferta shihet më shumë si një deklaratë qëllimi nga “Blues”, pasi klubi zikaltër nuk ka gjasa të pranojë asnjë shifër më pak se 100 milionë euro, sa është klauzola përkatëse e lirimit të 25-vjeçarit. Oferta, gjithashtu, do të shihet si një tregues i mëtejshëm se Çellsi nuk është i bindur se Alvaro Morata është njeriu i duhur, që të jetë sulmuesi i parë. 25-vjeçari argjentinas është në radarin e disa klubeve më të mira të Evropës, përfshirë Real Madridin, por ende nuk ka vendosur nëse do të largohet nga Interi, në fund të sezonit, duke deklaruar në një intervistë të fundit se mund ta shohë veten në klubin e Seria A edhe kur të jetë 30 vjeç. Gazetari italian, Fernando Czyz, ka thënë se gruaja dhe agjentja e Ikardit, Vanda Nara, e ka marrë ofertën, e cila është më shumë një deklaratë qëllimi për Ikardin.