Vrasja e gazetarit saudit Xhamal Kashogi në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll nuk ka mundur të bëhet pa instruksione “të nivelit të lartë”, deklaroi sot zëdhënësi i Partisë qeveritare turke për drejtësi dhe zhvillim (AKP) Omer Çelik.
“Kush e ka dhënë urdhërin? Këtu nuk bëhet fjalë për aksion i cili mund të bëhet pa instruksione të nivelit të lartë. Ne nuk akuzojmë askënd, por nuk do të tolerojmë kurrfarë operacioni për mbulim dhe ajo duhet të bëhet e qartë”, theksoi Çelik në konferencën për shtyp në Ankara.
Ai gjithashtu vlerësoi se deklaratat e Riadit ishin të diskutueshme se shteti saudit nuk e din se ku është trupi i gazetarit.
“Nuk është e mundur ata të mos jenë të informuar për atë”, tha Çelik, duke theksuar se konsulli saudit në Stamboll, i cili u kthye në Riad disa ditë pas vrasjes, pa dyshim i ka ndarë këto informacione me autoritetet saudite.