VMRO ende nuk ka qëndrim zyrtar për bojkot të Referendumit, por kundërshton ashpër Marrëveshjen për emrin me Greqinë. Të lidhur direkt apo indirekt me VMRO-në, një sërë organizatash dhe parti të vogla politike, prej tyre njëra me orientim prorus, mbajnë qëndrime radikale kundër Referendumit. Me interes po priten jo vetëm qëndrimet zyrtare të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe veprimet e saj diplomatike përfshirë dhe kanalet interne, që të ndihmojnë pushtetin për kalimin me sukses të 30 shtatorit
Fatos RUSHITI
Shkup, 7 gusht – Pushteti dhe opozita vazhdojnë të jenë të ndara sa i përket organizmit të Referendumit. Në LSDM konsiderojnë se Marrëveshja me Greqinë, për të cilën dhe do të organizohet Referendumi më 30 shtator, është akt patriotik me të cilën mbyllet kontesti 25 vjeçar dhe sigurohet një ardhmëri më e mirë për Maqedoninë. Nga ana tjetër, VMRO ende nuk ka qëndrim zyrtar për bojkot të Referendumit, por e kundërshton ashpër Marrëveshjen, shkruan gazeta KOHA. Të lidhur direkt apo indirekt me VMRO-në, një sërë organizatash dhe parti të vogla politike, prej tyre njëra me orientim prorus, mbajnë qëndrime radikale kundër Referendumit. Me interes po priten jo vetëm qëndrimet zyrtare të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe veprimet e saja diplomatike përfshirë dhe ata interne, që të ndihmojnë pushtetin për kalimin me sukses të Referendumit. Veçanërisht qasja ndërkombëtare pritet të jetë më direkte dhe këmbëngulëse ndaj partisë më të madhe opozitare – VMRO. Sipas asaj që flitet kuluareve politike, diplomacia perëndimore pritet të rezultojë me sukses për të bind VMRO-në që të mos e pengojë realisht mbajtjen e Referendumit. Në të kundërtën, një bojkot i VMRO-së më të gjitha mekanizmat e saj politik që ka në terren mund të rezultojë fatale ditën e votimit.
Në taborin shqiptar situata është më pozitive s ai përket qëndrimit dhe veprimit pozitiv pro Referendumit. E vetmja parti që mban zërin kritik, edhe pse formalisht pro Referendumit, është Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës. Indikackion negative tjetër është se shumë shqiptarë vitet fundit kanë dalë jashtë vendit, dhe pak janë mundësitë që të votohet në përfaqësitë diplomatike të Maqedonisë. Shpresat në këtë drejtim janë tek partia shqiptare në pushtet – BDI, që ka terren në diasporë e që mund të bëjë që shumë mërgimtarë të vijnë të votojnë në Maqedoni. Në opinionin shqiptarë gjithashtu ka zëra kundër përkrahjes pa kushte ndaj palës maqedonase për Referendumit. Megjithatë, pas mesit të gushtit – partitë në pushtet pritet të jenë më euforike në fushatë për votimin e 30 shtatorit. Të qenurit në pushtet atyre u jep përparësinë që të punojnë më shumë me qytetarët për të votuar pro në Referendum. Në komunikatën e fundit për shtyp, LSDM thotë se Marrëveshja për emrin jo vetëm forcon identitetin e kombit maqedonas, por edhe largon pengesën e fundit për procesin euroatlantik.
“Pas viteve të izolimit, Maqedonia përsëri është në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s. Data për fillimin e bisedimeve me BE-në është definuar, ndërsa është siguruar edhe ftesë për hyrje në NATO. Në Referendumin e 30 shtatorit, qytetarët e kanë fjalën e fundit për ardhmërinë e Maqedonisë në BE dhe në NATO. Qytetarët janë bartës të sovranitetit, ata zgjedhin në zgjedhje dhe në Referendum, ndërsa vullneti i tyre është i pakthyeshëm dhe i detyrueshëm për të gjithë”, thuhet në kumtesë. Qytetarët, thonë më tej në LSDM, e njohin rëndësinë historike të Referendumit, e dinë se Marrëveshja për çështjen e emrit me Greqinë është historikisht më e mira dhe mundësia e drejtë që njëherë e përgjithmonë të sigurohet ardhmëria e Maqedonisë, njëherë e për gjithmonë të sigurohet dhe të garantohet identiteti maqedonas.
“Shumica e qytetarëve fuqishëm janë të përcaktuar për hyrje në BE dhe NATO dhe për atë më 30 shtator, në Referendum të lirë, pa presion, me vendosmëri dhe me dinjitet do të thonë PO për BE dhe NATO përmes pranimit të Marrëveshjes me Greqinë, fuqishëm dhe me vendosmëri do të thonë PO për ardhmërinë e Maqedonisë”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
KURCI VJEN TRE JAVË PARA REFERENDUMIT
Në përkrahje të Referendumit, me rëndësi të madhe politike do të jetë edhe vizita në Maqedoni më 7 shtator e kancelarit të Austrisë, Sebastian Kurc, që aktualisht kryeson me Bashkimin Evropian. Kjo, për faktin se Kurc njihet për zyrtarë evropian i afërt me VMRO-në, ndërsa shihet edhe si çelësi kryesor që mund të bind partinë e Hristijan Mickovskit që të mos e pengojë referendumin. Vizita e Kurcit në Maqedoni vjen pas ftesës që kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ia ka bërë të njëjtit dhe shumë kryeministrave tjerë të Evropës, që të gjitha priten të realizohen para Referendumit që mbahet më 30 shtator ku qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jenë për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”. Në takimin e fundit Kurc-Zaev që u realizua në Vjenë, në fund të qershorit, Kurc apeloi deri te qytetarët e Maqedonisë që në Referendum të votojnë “për” emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
NË DUKJE ELEMENTI RADIKAL
Ngjashëm me VMRO mendojnë edhe afër 30 organizata joqeveritare që janë bashkuar në një front për të nisur fushatën për bojkotin e Referendumit. Një nga drejtuesit e këtij fronti, Janko Baçev nga partia “Maqedonia e Bashkuar”, e që vepron sipas kursit të partisë “Rusia e Bashkuar” të presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë se pas dështimit të Referendumit, do të përgjigjen të gjithë ata që, sipas tij, kanë tradhtuar interesat kombëtare. “Qeveria e re dhe legjitime që do të vije pas 30 shtatorit do të qërojë hesapet me të gjithë tradhtarët e kombit. Të gjithë ne do të bojkotojmë Referendumin më 30 shtator. Nuk do të dalim në Referendum dhe me këtë ne do ta shpëtojmë emrin shekullor maqedonas”, ka deklaruar Baçev, i cili në protestat e muajit të kaluar kundër Marrëveshjes me Greqinë, ishte parë duke valëvitur në duar flamurin e Rusisë. (koha.mk)