Dilemat se në qershor Maqedonia e Veriut nuk mund të merr datë për fillimin e bisedimeve me BE-në janë teknike, për arsye se Bundestagu gjerman ende nuk ka qëndrim dhe Qeveria atje nuk mund të merr vendim në KE. Nëse një anëtar i KE-së nuk ka qëndrim, atëherë nuk ka vendim për datën. Kjo është dilemë teknike, sqaroi për gazetën KOHA, zëvendëskryeministri Bujar Osmani
Destan JONUZI
Shkup, 31 maj – Maqedonia e Veriut ka vazhduar ta mbajë ekuilibrin e vazhdueshme në zbatimin e reformave të Bashkimit Evropian (BE), ndërsa Qeveria ka marrë hapa për kthimin e kontrollit të përforcimin të demokracisë dhe sundimin e së drejtës, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian (KE) për progresin e vendit në vitin 2019.
“Maqedonia e Veriut vazhdon të jap rezultate konkrete në fushat kryesore të theksuara në konstatimet e KE-së, siç janë gjykatat, lufta kundër korrupsionit dhe krimi të organizuar, reformat në shërbimet sekrete dhe administratën publike. Zgjedhjet presidenciale kanë qenë mirë të organizuara dhe lirit bazë siç thuhet në Raport janë respektuar. Vlerësim pozitiv është dhënë edhe për marrëdhëniet ndëretnike, politikat e Qeverisë për kthimin e besimit midis komuniteteve etnike etj”, thuhet ndër të tjera në Raport, shkruan gazeta KOHA.
Por, ajo që mbetet e pa definuar dhe për të cilën duhet të pritet deri më 28 apo 29 qershor, kur do të mbahet mbledhja e Komisionit Evropian (KE), është data për fillimin e bisedimeve. Qeveria është e bindur se vendit do ti caktohet datë për fillimin e bisedimeve, ndërsa Franca e cila ka një politikë ndryshe për zgjerimin e BE-së, thotë se deri atëherë duhet studiuar Raporti dhe në bazë të vlerësimeve të çdo vendi anëtar të merret vendimi.
NË MES TË DILEMAVE DHE OPTIMIZMIT
“Tani është momenti për të studiuar dhe shqyrtuar raportin dhe për ta krahasuar atë me informatat dhe vlerësimet tona dhe të shteteve të tjera anëtare të BE-së. Ju e dini angazhimin tonë të fortë për ripërtëritjen dhe rithemelimin e BE-së, në një bazë më të fortë, e cila do të mundësonte zgjerimin e më tejmë të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi për gazetën KOHA, Kristjan Timonie, ambasador i Francës në Shkup. Nga ana tjetër, zëvendës-kryeministri Bujar Osmani ka vlerësuar se Raport është jashtëzakonisht pozitiv.
“Vështirë se mund të gjendet ndonjë vërejtje në gjithë Raportin. Nëse krahasohemi me vendet tjera të rajonit, ne jemi të parët në çdo sferë për sa i përket përparimit, jo vetëm në pjesën e kritereve politike, por edhe në pjesën e kritereve të progresit, Maqedonia e Veriut është vlerësuar me notën 3.57 , nga nota më e lartë që është 5, ndërsa në pjesën e kritereve politike për përgatitje për anëtarësim Maqedonia e Veriut përsëri është e para vendeve të rajonit, më pas radhitet Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova. Në kriteret politike nuk bëjnë pjesë Marrëveshja e Prespës dhe marrëveshja me Bullgarisë, sepse ato janë kritere të Kopenhagës. Ndërkaq në kriteret ekonomike, Maqedonia e Veriut është vlerësuar me notën 3.5, me një dallim të madh në raport me vendet e rajonit. Ky është një përparim dukshëm i madh që nuk ka qenë vlerësim i raporteve të mëparshme”, deklaroi për gazetën KOHA, zëvendëskryeministri Bujar Osmani.
Ai tha se tani pason një fazë tjetër intensive lobimi në çdo vend anëtar, që në qershor të caktohet data për fillimin e bisedimeve, për të cilën në bazë të Raportit nuk ka dyshim se do të ndodhë. “Nëse BE do ta ruaj kredibilitetin në raport me politikat e zgjerimit, caktimi i datës për fillimin e bisedimeve duhet të jetë në periudhën e paraparë. Dilemat për qershorin janë teknike, gjegjësisht Bundestagu gjerman ka mbledhje javën e ardhshme dhe ajo është e fundit para Samiti të KE-së. Nëse nuk ka qëndrim për Maqedoninë e Veriut, Qeveria Gjermane nuk mund të ketë qëndrim në Këshillin e Evropës, dhe nëse një vend anëtar nuk ka qëndrim nuk ka vendim për datën. Kjo është dilemë e natyrës teknik”, theksoi Osmani.
Pikërisht për shkak të këtyre rrethanave u përhapën edhe lajme se data për fillimin e bisedimeve Maqedonisë së Veriut mund t’i jepet në muajin tetor. Por, zv/kryeministri Osmani thotë se tetori është shumë i paparashikueshëm për shkak të zgjedhjeve greke në 7 korrik, Brexiti i caktuar për në tetor, zgjedhja e kryetarit të ri të KE-së, korniza e re financiare etj.
PIKËPAMJET E PARIVE OPOZITARE SHQIPTARE
Pikëpamjet e tyre mbi vlerësimet që dalin nga Raporti i progresit i KE-së, i kanë dhënë edhe paritë opozitare shqiptare. “ASH mirëpret rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, duke theksuar megjithatë se kjo nuk përbën ndonjë përparim të madh që duhet kremtuar nga shumica qeverisëse. Krahas sukseseve në tejkalimin e kontestit me Greqinë, në planin e brendshëm kjo shumicë qeverisëse është tërësisht e dështuar dhe e pa shpresë që mundet të barti reformat e duhura në segmentet kyçe që shërbejnë si parakushte të një shteti që ka aspirata të jetë pjesë e BE. Si segmente kryesore janë reformat në drejtësi dhe administratën shtetërore në të cilat edhe kjo qeveri është tërësisht e dështuar dhe e pafuqishme. Si pasojë e kësaj tashmë vendi realisht rrezikon të sanksionohet nga udhë heqësia e BE-së. Gjithsesi hapja e negociatave do të vendoset në samitin e qershorit dhe ngelet të shihet. Ne urojmë që Maqedonia e Veriut të merr datë për hapjen e negociatave. Por pavarësisht këtij epilogu, zgjedhjet e parakohshme janë veprimi i domosdoshëm që vendi të mundet të përballojë sfidat dhe të jetë në trend me reformat e domosdoshme në shumë segmente”, deklaroi për gazetën Koha, Remzi Memeti, nënkryetar i ASH-së.
Nga ana tjetër, nga Lëvizja BESA thonë vërejtjet e Raportit të Komisionit Evropian që kanë të bëjnë me gjyqësorin, profesionalizimin e administratës publike dhe çrrënjosja e korrupsionit, mbeten sfidat më të madhe për vendin. “Jemi optimist se Maqedonia e Veriut duhet të marrë datën për fillimin e negociatave por njëkohësisht, paralelisht duhet të punohet në përmirësimin reformave në sektorët e përmendur nga raporti i Komisionit Evropian si, gjyqësori, profesionalizimi i administratës publike dhe çrrënjosja e korrupsionit”, thotë Elmedin Memishi, zëdhënës i Lëvizjes BESA. Ndërkaq, njohësi i zhvillimeve politike në rajon Enver Robelli vlerëson se ndarja e procesit, pra fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe lënia anash e Shqipërisë do të ishte një sinjal shumë i keq jo vetëm për Shqipërinë, por për tërë rajonin.
EVROPIANËT NUK JANË UNIK
“Dy komisionerët përgjegjës për rajonin, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn, dje në Bruksel theksuan disa herë që Shkupi dhe Tirana i kanë kryer detyrat e shtëpisë. Por në fund vendimin e marrin shtetet anëtare dhe vendimi duhet të merret njëzëri. Momentalisht Franca, Danimarka dhe Holanda janë kundër fillimit të negociatave, koalicioni në Berlin është i përçarë: konservatorët e kancelares Angela Merkel janë skeptikë, socialdemokratët insistojnë që Bashkimi Europian të mbajë premtimet. Parlamenti gjerman do të takohet më 18 qershor – nëse nuk merr vendim, atëherë sekretari i shtetit Michael Roth nuk mund të votojë në Bruksel për fillimin e negociatave. Kurse Franca është bllokuesja më e madhe”, deklaroi për gazetën KOHA, Enver Robelli, analist.
Pak para zgjedhjeve për Parlamentin Europian, shton më tej Robelli, ish-ministrja për Europë Nathalie Loiseau u lavdërua në një intervistë se më 2018 e ka penguar “anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”. “Loiseau nuk e tha të vërtetën, sepse nuk bëhet fjalë për anëtarësim, por për fillim të negociatave, të cilat und të zgjasin me vite. Me Kroacinë është negociuar 8 vite. Macron herë herë insiston që BE së pari duhet të reformohet, pastaj të mendojë për zgjerim. Gjermania ka qëndruar indiferente ndaj kërkesave të Macron. Shtyrja e fillimit të negociatave do tî konvenojë shteteve si Rusia, Turqia dhe Kina, të cilat janë të pranishme në rajon”, nënvizoi Robelli. Sikundër dihet, fati i datës për fillimin e bisedimeve midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, varet nga vendimet e dy samiteve të Komisionit Evropian që pritet të mbahen me 28 ose 29 qershor, që është samiti i KE-së, dhe në korrik, samiti i Këshillit për çështje të përgjithshme pranë BE-së. (koha.mk)