Gostivar, 15 tetor – Fshati më i madh i Komunës së Gostivarit, Çegrani, u bë me stadium bashkëkohor për futboll të vogël. Komuna e Gostivarit siguroi barë artificial cilësor, shenjëzim të terrenit, ulëse plastike dhe ndriçim përkatës, ndërkaq realizimi i punëve u bë kryesisht falë angazhimit të Bashkësisë Lokale të fshatit Çegran, shkruan gazeta KOHA.
“Çegrani u bë me një stadium modern për futboll të vogël, për çka na i kanë lakmi jo vetëm fshatrat por edhe qytetet e këtij rajoni. Me barin artificial të shenjëzuar sipas të gjitha standardeve, me 330 ulëse për spekatatorët dhe me ndriçim adekuat, rinia e Çegranit do të mund ketë mundësi që të merret me këtë sport, por edhe të organizojë aktivitete të ndryshme me karakter lokal dhe rajonal“, thotë Sabri Bafqari, kryetar i Bashkësisë Lokale të Çegrant, duke potencuar se realizimi i këtij projekti u bë falë angazhimit të pamohueshëm të bashkësisë lokale.
Ai falënderoi kryetarin e Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, për mbështetjen e aktiviteteve të Bashkësisë lokale, por edhe banorët lokalë të cilët vihen në dispozicion që secili sipas mundësive të ndihmojë në realizimin e projekteve të ndryshme dhe tashmë Çegrani t’i ngjasojë një mjedisi urban.
Nga Komuna e Gostivarit thonë se janë planifikuar një sërë projektesh të cilat do të implementohen në Çegran gjatë këtij mandati, për të kompensuar mungesën e investimeve në këtë fshat gjatë mandatit të shkuar. (koha.mk)