Shkup, 15 shkurt – Ashtu siç paralajmëroi, Aleksandar Çeferin, i pari i UEFA-së, mori pjesë në hapjen e objektit të ri të FFM-së. Në praninë edhe të kryetarit të FFM-së, Ilco Gjorgjioski si dhe zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, Koço Angjushev, ata lëshuan në përdorim objektin e ri i cili do të shërbejë për akademinë dhe për ekipet e grupmoshave të reja të Maqedonisë.
“I thashë edhe Gjorgjioskit, se nuk ka më alibi. Keni rast të mirë që nëpërmjet Ligës së kombeve të plasoheni në Kampionatin Evropian dhe këtë duhet ta shfrytëzoni”, theksoi Çeferin.
“Po që se ju definojnë nga veprat dhe jo nga fjalët, kjo do të thotë se ju keni arritur sukses. Sot është ditë e madhe për futbollin e Maqedonisë. Kur para tre viteve FFM hyri në programin e ri zhvillimor të UEFA-së, shumë qartë i prezantuam idealet tona për zhvillimin e futbollistëve të rinj. Më shumë kujdes i kushtuam Akademisë, ajo të jetë shkollë e së ardhmes me të vetmin qëllim që të përgatisim futbollistët e rinj”, deklaroi Gjorgjioski, kryetar i FFM-së.
“Pajtohem me atë që e tha Çeferin, Pasi janë krijuar kushtet, nuk ka hapësirë për rezultate të dobëta. Futbollistëve të rinj ju dëshiroj shumë momente të bukura në këto hapësira të bukura dhe fat e suksese në karrierë”, tha numri dy i qeverisë së vendit Angjushev.
Ndërkohë, në mesin e të pranishmëve ishte edhe drejtori teknik i FIFA-së, Marko Van Basten, i cili vizitoi anëtarët e Akademisë së futbollit të FFM-së dhe UEFA-së. Po ashtu prezent ishin anëtarët e KD të FFM-së, si edhe shumë ish-trajner që kanë punuar në ekipet përfaqësuese të Maqedonisë.