Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e ka mohuar informacionin e paraqitur në ditët e fundit mbi zhvillimin e finales së Ligës së Kampionëve jashtë Europës. Reagimi i Ceferinit vjen pasi drejtori i “Mediapro”, Jaume Roures, i tha programit “El Matí” në “Radio Catalunya” se “zhvillimi i një finaleje të Ligës së Kampionëve në New York është duke u negociuar”.
Përmes një deklarate, Ceferin thotë se “kjo ide nuk është duke u diskutuar fare” dhe se për momentin “UEFA nuk ka plane për të organizuar finalen e Ligës së Kampionëve jashtë Europës”, duke hedhur poshtë spekulimet se New York do të priste finalen e edicionit të vitit 2021 të këtij kompeticioni madhor të klubeve europiane.
Fjalët e Ceferinit dallojnë me ato që vetë presidenti i UEFA-s tha në një intervistë për AP në vitin 2016, kur komentoi se zhvillimi i një finaleje të Ligës së Kampioneve jashtë Europës ishte “një ide për të ardhmen”.