Dani Ceballos është një nga talentet më të pastër të futbollit spanjoll. Në Europianin e fundit Under 21 të luajtur me “Furitë e Kuqe” ka qenë i jashtëzakonshëm, aq sa humbja e pësuar në finale kundër Gjermanisë nuk e ka penguar të fitojë çmimin si lojtari më i mirë i turneut. Këto paraqitje të shkëlqyera kanë shtyrë Real Madrid që t’i paguajë 17 milionë euro Betisi-t për të siguruar shërbimet e tij. Por, deri tani, ai ka luajtur vetëm 186 minuta me fanellën e “Los Blancos” dhe për këtë arsye emri i tij ka filluar të qarkullojë shumë edhe mes klubeve italiane.
Gazetat sportive spanjolle kanë shkruar se Ceballos mund të kthehet në një objektiv të Milan-it. Lojtari 21-vjeçar pëlqehet shumë nga klubi kuqezi dhe një lojtarë me aftësitë e tij mund të ndezë ëndrrat e tifozëve kuqezinj. Në fillimin e karrierës së tij ka luajtur si mesfushor/sulmues i majtë falë aftësisë për të kaluar me lehtësi kundërshtarin. Në vitet e fundit ka udhëhequr Betis-in duke u zhvendosur pak më mbrapa, që do të thotë se ai mund të mbulojë disa pozicione në mesfushë e sipër. Një talent, i cili është bllokuar nga kampionë të nivelit të lartë, si Kroos, Modric dhe Casemiro.
Milan nuk ka bërë akoma asnjë hap zyrtar dhe është në pritje të një sinjali, që nuk ka ardhur akoma, sepse Real Madrid i Zinedine Zidane e konsideron shumë të rëndësishëm Ceballos, pavarësisht aktivizimit të tij të pakët. Por lojtari ka shprehur dëshirën që të largohet dhe kjo është arsyeja pse Milan vazhdon akoma të shpresojë.