Berlin, 3 tetor – Pozicioni i VMRO-së kundër Marrëveshjes për emrin që të mos votojë ndryshimet kushtetuese, vetëm se ka nisë të merr kritika të forta dhe atë nga partitë mike të saj siç është Unioni Kristian Demokrat i Gjermanisë (CDU) e Angela Merkelit, shkruan gazeta KOHA.
Deputetë nga kjo partia në Bundstagun gjerman kanë përmendur izolimin e mundshëm të VMRO-së nëse del kundër ndryshimeve kushtuese e rrjedhimisht, kundër hyrjes së vendit në NATO. “Me mbi 91 për qind ‘PËR’, votuesit në Maqedonia kanë dhënë mbështetje të madhe për rrugën evropiane dhe për perspektivë më të madhe të vendit të tyre në BE dhe NATO”, ka porositur kryetari i grupit parlamentar të partisë së Angela Merkelit, CDU dhe partisë CSU në Bundestagun gjerman, Johan David Vadelul.
Ai ka vlerësuar se opozita maqedonase nuk guxon ta bllokojë perspektivën e Maqedonisë për NATO dhe BE. Ata paralajmërojnë se mossuksesi i Marrëveshjes për Emrin do ta izolojë vendin gjatë kohë.
“Në referendum, më shumë se 91 për qind e votuesve kanë votuar për ndryshim të emrit të shtetit në ‘Maqedonia e Veriut’, ndërkaq njëkohësisht edhe për perspektivën e mëtutjeshme të vendit në NATO dhe BE. Por, censusi i nevojshëm prej 50 për qind nuk u arrit. Prej këtu, vendimtare do të jetë votimi në Parlament”, thotë Vadelul.
Grupi i deputetëve CDU/CSU thotë se u vjen keq që vetëm 37 për qind e votuesve kanë marrë pjesë në referendumin për ndryshimin e emrit, dhe se nuk është arritur censusi. Grupi i deputetëve CDU/CSU e fton opozitën e Maqedonisë të pajtohet me, siç thonë ata, votimin historik dhe të rëndësishëm në Parlament për ndryshim të amendamenteve kushtetuese, pasi në të kundërtën, do të ishte përgjegjëse për bllokimin e rrugës për Maqedoninë në afat të gjatë dhe me atë të izolohet vendi nga Evropa.
Ndryshe, reagimi i CDU/CSU vjen pasi opozitarja VMRO-DPMNE ka deklaruar se nuk do t’i përkrahë ndryshimet kushtetuese për Marrëveshjen me Greqinë, të cilat janë parakusht për anëtarësim në NATO dhe fillim të negociatave me BE-në. (koha.mk)