Zejnulla VESELI
Shkup, 17 janar – Ministria e financave me huamarrjen e fundit (të martën) nga bankat komerciale vendore në vlerë prej 32 milionë euro e ka çuar borxhin e çdo qytetari të Maqedonisë në 2442 euro. Kështu tregon numëratori i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), shkruan gazeta KOHA. Borxhi për kokë banori sipas këtij numëratori vazhdimisht është rritur nga viti 2010, dhe në vlerë absolute në muajin e parë të vitit 2017 kap shifrën prej 4.9 miliardë euro, apo 56 për qind më shumë se në vitin 2010, gjegjësisht borxhi publik për 6 vite është rritur për 2.8 miliardë euro. Të dhënat e publikuara të ASHAM-it tregojnë se në vitin 2010 borxhi publik kapte shifrën prej 1.936 miliard euro, kurse me huamarrjen e fundit në tregun bankar në Maqedoni në vlerë prej 32 milionë eurove, borxhi publik kap shifrën absolute prej 4.899. 474. 874 euro. Kjo do të thotë se nga viti 2010 e deri në janar të vitit 2017 borxhi për kokë banori pothuajse është trefishuar, respektivisht nga 950 euro sa ishte në vitin 2010, tani shteti çdo qytetarë të Maqedonisë mesatarisht e ka futur në borxh 2.442 euro, apo mesatarisht brenda një dite shteti është futur në borxh 1.34 milionë euro. Kjo mesatarisht i bie 56 mijë euro në orë, ose mesatarisht 16 euro në sekondë. Gjithashtu sipas numëratorit të borxhit publik të ASHAM-it, në vitin 2010 borxhi publik ishte 27.2 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor, ndërsa në muajin janar të këtij viti borxhi publik ka nivelin prej 52.14 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor, apo rritje prej 24,94 për qind. Të dhënat janë publikuar në numëratorin për borxhin publik të ASHAM-it dhe tregohet se viti 2016 shënon vitin me rritjen më të lartë të stokut të borxhit, duket arritur kështu vlerën prej mbi 530 milionë euro. Ndërkohë, nga janari i vitit 2016 e deri në realizimin e ankandit të fundit për emetimin e letrave me vlerë në tregun e brendshëm në muajin janar të viti 2017, Maqedonia ka rritur borxhin publik në vlerë prej 672.274.874 euro, gjegjësisht kamatë në vlerë prej 116.117.554 euro. Ndryshe, deri në fund të muajit korrik, Maqedonia duhet të kthejë rreth 500 milionë euro borxhe të vjetra, pa llogaritur kamata dhe për këtë deri në fund të muajit korrik do të organizohen 22 ankande për bono shtetërore dhe obligacione. Me këtë planifikim i bie që thuajse çdo të martë të caktohen ankande për huamarrje, ndërsa me një pjesë të parave që do të grumbullohen nga këto ankande, do të shlyhen borxhet e vjetra.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.