(Në vend të përgjigjes të një shkrimi të Shaqir Islamit, botuar në gazetën KOHA, Shkup)
Nga Qufli OSMANI
Nga Shaqir Islami kam lexuar edhe më herët shkrime, nga të cilat përfitohej përshtypja se ai është një njohës i mirë i çështjeve që i tangojnë shqiptarët e këtij nënqielli, por shkrimi i tij me titull “Haram”, jo vetëm që ma zbehu përshtypjen time për te, po ashtu më bëri që sinqerisht të ndihem keq për atë se në çfarë situate është ai me bashkëfshatarët e tij, të përkatësisë turke dhe sa i pa informuar qenka një intelektual shqiptar rreth kontributit të Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame, Reisul-Ulema H. Sulejman ef. Rexhepit për kauzën shqiptare, jo vetëm tek ne.
“Fërkimet” që po bëhen nëpër çajtorët e f. Vrapçisht, në mes shqiptarëve dhe turqëve, edhe pse të izoluara, ato janë rezultat i ish-sistemit që sa më shumë t`i përçajë dhe t`i hasmojë mes veti muslimanët, respektivisht shqiptarët si etnikum më i madhë me përkatësi islame, me muslimanët të etnikumeve më të vogla, në këtë rast me turqit. Kjo është një fushatë mirë e planifikuar nga armiqtë e vërtetë të popullit shqiptar, vetëm e vetëm t`i realizojnë apetitet e tyre. Në këtë drejtim preferoj që të lexoni publikimet e shumta të ish-ambasadorit të Shqipërisë në OKB, Abdi Baleta, prej nga do të kuptoni më së miri raportet e vërteta ndër etnike të rajonit ballkanik por edhe më gjërë.
Sa u përket shashtisjës së tij nga leximi i kollumnës “El-Feth” të Reisul-Ulema së BFI-së, ate do ta krahasoj me punën e katër qorrave me elefantin, të cilën vetë Shaqir Islami, para do ditësh në një shkrim të tij me titull “Katër qorrat dhe elefanti”, na e përkujton këtë përrallë, për të krahasuar punët qorre të politikanëve tanë.
Por, ja që shashtisja e tij me kollumnen “El Feth” të Reisul-Ulemasë të BFI-së, pikërisht përngjanë si puna e qorrave, të cilët përmes të prekurit duan ta përshkruajnë qenien e elefantit. Ai që ia kap “surlen”, vjen në përfundim se elefanti është gjarpër, ai që ia prek njërën këmbë të elefantit e përshkruan atë si një pemë, e kështu me radhë, sipas përceptimit përmes prekjes dhanë mendimin e vet se si mund të jetë elefanti. Pra edhe Shaqir Islami, me leximin e një kollumne të Reisul-Ulemasë të BFI-së, që ka të bëjë me politikat e shtetit turk lidhur me konfliktin në Siri dhe refugjatët sirian, vjen në përfundim se Reisi qenka në anën e turqëve!
Një vlerësim i tillë, e shtyn ate që mllefin ndaj bashkëfshatarëve të vet turq, ta adresoi te Reisul-Ulema i BFI-së me preteks se ai nuk merret me problemet e shqiptarëve por me ato të Turqisë. Ndoshta preokupimi me “muhabetet” nëpër çajtoret e Vrapçishtit nuk e ka lejuar Shaqir Islamin t`i lexojë kollumnat e Reisul-Ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepi, të cilat janë të shumta në numër dhe që prekin çdo ngjarje dhe dukuri qoftë ajo të jetë vendore, rajonale apo botërore.
Ndoshta, pikërisht për këtë është i paditshëm se roli i një lideri fetar islam, është që pos tjerash, t`i përcjell me vemendje të gjitha ngjarjet që kanë të bëjnë me një pjesë të ummetit, me këtë rast me refugjatët sirian, të cilëve askush nuk u ndihmon, përpos Turqisë.
Ndoshta, për këtë ka mbet i pa informuar se kontributi e Reisul-Ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepi, në shqiptarizimin e kësaj bashkësie është tejet i madhë dhe i dukshëm. Ardhja e tij në krye të BFI-së bëri që mësimi në Medresenë Isa Beu të zhvillohet vetëm në gjuhen shqipe, bëri që në bledhjet e organeve dhe strukturave të BFI-së të debatohet shqip, bëri që gjuha shqipe të jetë gjuha e administrative, bëri që gazeta e BFI-së nga “Mllada Meseçina” të botohet vetëm në gjuhen shqipe, me emër shqip “Hëna e Re”. Me një fjalë ndaloi “limanovskizimin” e BFI-së.
Ndoshta, për këtë nuk ka mund t`i përcjell reagimet që vinin nga Kongresi Botëror Maqedonas, nga individ si Todor Petrovi, nga ASHAM-i si dhe reagimet e “përfaqësuesve” turq, boshnjak e romë, të nxitur nga politika e organeve shtetërore kundër Reisul-Ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepi me akuza të ndryshme që aludonin në shqiptarizimin e BFI-së nga ana e tij.
Ndoshta, për këtë nuk ka mund të mbaj mend se Reisul-Ulemaja, H. Sulejman ef. Rexhepi ishte i vetmi që haptazi iu kundërvua vrasjeve të shqiptarëve në shërbimin ushtarak të ish-Jugosllavisë, ku këtë fat makaber e pati dhe një i ri nga f. Vrapçisht.
Ndoshta, për këtë nuk ka mund ta dëgjojë zërin e Reisul-Ulemasë, ngritur kundër padrejtësive të mëdha që u bëheshin shqiptarëve në emër të demokracisë gjatë peirudhës së tranzicionit në fushën e arsimit, kulturës, etj.
Ndoshta, për këtë nuk ka mund të ketë informatë për atë se Reisul-Ulemaja sa studentëve shqiptarë u ka dhënë dhe u jep bursa për të studiuar shkencat ekzakte. Sa e sa tubime, konferenca shkencore janë mbajtur nën patronatin e Reisul-Ulemasë së BFI-së. Sa e sa vepra shkencore janë botuar me iniciativë dhe ate në të mirë të popullatës sonë.
Sa i përket kënaqësisë apo melodisë së Ezanit, ajo nuk varët vetëm nga muezinat, por para se të gjithash varët nga ai që e dëgjon. Sepse, veshët që nuk e pranojnë Selamin nuk mund ta shijojnë Ezanin!
Sidoqoftë, në Islam gjithnjë ka vend për përmisim, tolerancë, mirëkuptim dhe besoj se kjo mund të arrihet edhe në f. Vrapçisht, kuptohet nëse parimeve islame u jepni përparësi ndaj inateve lokale, që në kohë të fundit nxitën edhe nga subjektet politike. Të mos japim gjykime në shikim të parë sepse siç thotë një fjalë e urtë: “Çdo person me mjekërr nuk është edhe baba.”