Në ditën e parë të punimeve të Konferencës së Gjashtë Rajonale të Organeve të Barazisë së Evropës Juglindore është bërë thirrje për tolerancë zero ndaj diskriminimit. Përveç diskriminimit në baza etnike dhe politike, forma më e përhapur në vend, shqetësuese është mosdenoncimi i rasteve
Evis HALILI
Shkup, 6 shtator – Diskriminimi në baza etnike dhe politike dhe hezitimi i viktimave për të denoncuar është një indikator që e shndërron luftën kundër diskriminimit në një sfidë për të gjithë shoqërinë e jo vetëm për një institucion apo një grup të caktuar. Me këto fjalë ambasadori i OSBE-së në Shkup, Klemens Koja, dje i ka bërë thirrje të gjithë aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë që të angazhohen plotësisht dhe të marrin përgjegjësinë për arritjen e barazisë dhe përfundimin e diskriminimit. Në fjalën e tij gjatë hapjes së Konferencës së Gjashtë Rajonale të Organeve të Barazisë së Evropës Juglindore, e cila u mbajt edhe sot në Parlament, Koja duke u bazuar tek anketa e OSBE – Eurobarometri (2009-2018) ka thënë se çdo i treti i anketuar kanë raportuar se janë diskriminuar të paktën një herë, ndërsa 40 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se kanë qenë dëshmitarë të diskriminimit të dikujt tjetër. Rezultatet e anketës tregojnë gjithashtu se nga numri i përgjithshëm i viktimave, mesatarisht gjysma e tyre kanë përjetuar diskriminim në baza të shumta, dhe më i përhapuri është diskriminimi në bazë të përkatësisë politike dhe etnike. “Gjithashtu, një e treta e të anketuarve thanë se nuk do të kërkonin mbrojtje nga institucionet nëse do të përjetonin diskriminim. Kjo është një çështje shumë shqetësuese për ne”, ka deklaruar ambasadori.
Duke u ndalur në punën e Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi (KSZD), Koja tha se është një institucion relativisht i ri e që për këtë arsye Misioni i OSBE po e mbështet për të avancuar dhe zhvilluar punën e mëtejshme në këtë fushë. “Misioni beson fuqishëm se një organ i pavarur efektiv i barazisë do të forcojë mbrojtjen kundër diskriminimit dhe do të promovojë barazinë gjithëpërfshirëse duke mundësuar krijimin e një shoqërie të drejtë. Mbeten shumë sfida, si mungesa e koordinimit ndërmjet palëve të interesit dhe strukturës kombëtare për barazi, kapacitetet dhe burimet e kufizuara, niveli i ulët i ndërgjegjësimit të publikut, veçanërisht tek grupet vulnerabël, gjë që sjell edhe nën-raportimin e rasteve të diskriminimit”, ka thënë ambasadori Koja.
Rritja e vetëdijes dhe nxitja e njerëzve për të denoncuar çdo formë diskriminimi është theksuar nga kreu i Parlamentit Talat Xhaferi. Duke iu referuar raportit vjetor të Komisionit për vitin 2021, Xhaferi tha se të dhënat janë vetëm një pjesë e tablosë së vërtetë dhe të ashpër në terren. “Sepse jam i bindur se jo çdo individ që ka qenë viktimë e diskriminimit ka ndërmarrë diçka konkrete siç është parashtrimi i ankesës dhe raportimi i këtyre dukurive. Është e rëndësishme të ndërgjegjësohet publiku për ekzistimin e kësaj të keqeje, ta përkufizojmë, ta njohim, ta raportojmë dhe ta ndëshkojmë. Të gjithë do të dëshironim të ishim pjesë e një shoqërie humane dhe të drejtë në të cilën askush nuk do të ndihej më pak i vlefshëm apo më pak i rëndësishëm dhe pjesë e parëndësishme e shoqërisë, por për fat të keq, kjo mohohet nga realiteti që shohim dhe atë që e lexojmë dhe e dëgjojmë çdo ditë”, tha Xhaferi.
Konferenca dy ditore ka si qëllim të thellojë bashkëpunimin mes komisioneve të rajonit, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi. Si tema të rëndësishme që do të diskutohen janë roli i komisioneve në proceset gjyqësore, në përfaqësimin strategjik dhe zhvendosjen e barrës së provës në procedurat gjyqësore për mbrojtjen nga diskriminimi. KSZD është një prej trupave të themeluar rishtazi në rajon dhe se ende është duke i hedhur hapat e parë në përfshirjen në procedurat gjyqësore për mbrojtjen nga diskriminimi dhe përfaqësimin strategjik. (koha.mk)