Anketa tregon se 42 për qind e qytetarëve me të ardhurat mujore që marrin mund t’i plotësojnë vetëm nevojat ushqimore dhe pagesat e faturave, 26.4 për qind aspak nuk mund të blejnë gjërat elementare ushqimore, ndërsa vetëm 18 për qind arrijnë të sigurojnë shportën konsumatore
Zejnulla VESELI
Shkup, 24 gusht – Shkalla e varfërisë për vitin 2016 mbyllet me shifrën prej 21.9 për qind që do të thotë se vetëm 50 për qind e amvisërive në Maqedoni arrijnë të plotësojnë gjërat elementare siç janë ushqimi dhe veshmbathje, si dhe pagesat e faturave komunale. Kështu tregon anketa e fundit e Entit Shtetëror të Statistikës ku kanë marrë pjesë 65 për qind e të punësuarve që marrin rroga mujore të rregullta, 18 për qind pensionistë, 2,2 për qind e popullatës që marrin para nga emigrantët, ndërsa 1.6 për qind janë qytetarë nga rastet sociale, shkruan gazeta KOHA. Edhe hulumtimi i fundit i zhvilluar nga Institucioni për çështje ekonomike dhe politike “Finance Think”, i cili rezulton se 69 për qind e popullatës në Maqedoni nuk mund të shkojnë për pushime njëherë në vit, 79 për qind e popullatës së anketuar janë shprehur se nuk para që të blejnë rroba të reja, 68 për qind nuk mund të shkojnë në kinema apo teatër ndërsa 34 për qind e të anketuarve janë shprehur se nuk ju mjafton rroga mujore për të siguruar mjaftueshëm bukën e gojës.
VETËM 12.7 PËR QIND MUND TË KURSEJNË PARA NGA RROGA MUJORE
“Këto janë rezultate dëshpëruese që qartë tregojnë se çdo i treti qytetarë është i varfër. Anketa tregon se 42 për qind e qytetarëve në Maqedoni me të ardhurat mujore që marrin mund t’i plotësojnë nevojat ushqimore dhe pagesat e faturave, 26.4 për qind aspak nuk mund të blejnë gjërat elementare ushqimore ndërsa vetëm 18 për qind me rrogat mujorë që marrin arrijnë të sigurojnë shportën konsumatore, ndërsa 12.7 për qind mund të kursejnë para nga rroga mujore që marrin”, thotë Blagica Petreska nga “Finance Think”. Sipas Petreska mënyra e vetme që të ulët varfëria është të kemi sa ma shumë vende të reja të punës si dhe rritje rrogash.
“Analizat tregojnë se punësimet e reja në Maqedoni dukshëm kontribuojnë në zvogëlimin e varfërisë. Prandaj dhe fokusi i masave qeveritare duhet të shkon në drejtim të krijimit të vendeve të reja të punës dhe mirë të paguara. Ndërkaq në anën tjetër siç janë masat e fundit të zbatuara nga Qeveria, tatimi progresiv, rritja e rrogës minimale pozitivisht mund të ndikojnë në zvogëlimit e varfërisë”, thotë Petreska. Njëherit Petreska shprehet se rritja e rrogës minimale në 12 mijë denarë ka ndikuar pozitivisht në standardin jetësor të qytetarëve.
“Rritja e rrogës minimale ka ndikuar në zvogëlimin e varfërisë për 0.6 për qind, Por duhet të kihet kujdes se përfitimet nga rritja e rrogës minimale mund të kompenson me disa aktivitet negative siç është tendenca që të punësuarit të punojnë pa orar pune të caktuar, mos t’u paguhen mëditje jashtë orarit të punës apo vikendeve dhe festave, ka dhe raste kur punëdhënësi mos të paguaj me rregull pagat mujore”, thotë Petreska. Në anën tjetër sociologu Ilija Acevski potencon se në botë merren lloj lloj masash që kanë për qëllim se si ta zvogëlojnë varfërinë dhe nga këtu shteti ka vetëm një opsion se si të ulë varfërinë e ajo është financiarisht të ndihmon personat që nuk kanë mundësi me rrogat mujore që marrin t’i mbulojnë harxhimet familjare, personat e hendikepuar dhe ata të cilat vuajnë nga sëmundje të rënda dhe fëmijët pa prindër.
“Për shembull në kohën e socializmit ekzistonin pushimore për fëmijët pa prindër ku shkonin për pushime vere dhe dimri falas, pastaj përveç rrogës mujore që merrte fëmijët merrnin dhe shtesa fëmijërore edhe përkundër të dhënave statistikore se kishim numër të vogël të popullatës së varfër. Ndërkaq sot kur kemi gjysmën e popullatës së varfër shteti aspak nuk miraton masa që do të ndihmon popullatën financiarisht të përballon harxhimet mujore apo propozohen dhe të merren masa të cilat aspak nuk kontribuojnë në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve. Hapësirë e këtillë ekziston por kjo kërkon angazhim më të madh të Qeverisë. Për fat të keq të gjitha masat që merr qeveria aktuale për zbutjen e varfërisë më së shumti kanë karakter populist dhe se aspak nuk shihen efekti i këtyre masave”, thotë Ilija Acevski, sociolog.
FIRMAT RRISIN FITIMET, POR JO DHE RROGAT E PUNËTORËVE
Gjithashtu dhe analiza e fundit e zhvilluar nga “Finance Think” rezulton se rriten profitet e firmave ndërsa rrogat e të punësuarve stagnojnë. Të dhënat e kësaj analize tregojnë se profitet e kompanive janë rritur për 261 për qind ndërsa rrogat e të punësuarve janë rritur 73 për qind. Nga viti 2000 e deri në fund të vitit 2015 kompanitë kanë rritur përfitime dhe at nga 947 milion euro në vitin 2000 në 3.4 miliard euro në vitin 2015.
“Dallimi sa i përket fitimeve të kompanive dhe rrogave të punëtorëve është shumë i madh. Kjo tregon qartë se pronarët e firmave në radhë të parë kanë qëllimin se si të fitojnë më shumë para se sa të investojnë në rritjen e numrit të punëtorëve apo rritje rrogash”, thotë Ivan Vëçkov autori i analizës. Se pronarët e kompanive në Maqedoni prioritet kanë rritjen e fitime ndërsa aspak nuk duan t’ia dinë për rritje rrogash të punëtorëve këtë e vërteton edhe kryetari i Biznes Konfederatës së Maqedonisë, Mile Boshkov.
“Kur biznesmenët në Maqedoni do ta kuptojnë se biznesi i tyre duhet të jetë afatgjatë dhe do të krijojnë koncept në at drejtim se duhet t’i plotëson dhe nevojat e punëtorëve me siguri se do të kishim dhe rritje rrogash. Derisa pronarët e kompanive shohin se si të risin dhe për një kohë të shkurtë e mbyllin firmën dhe hap një tjetër atëherë aspak nuk mund të flasim për rritje rrogash të punëtorëve”, thotë Mile Boshkov nga Biznes Konfederata e Maqedonisë. (koha.mk)