Të dhënat statistikore për vitin 2018 tregojnë se 147.578 amvisëri me dy fëmijë janë më pak të varfër, gjegjësisht 24. 8 për qind, ndërsa tek ato amvisëri që kanë 3 apo 4 fëmijë, varfëria është në nivelin prej 49.9 për qind. Shkallë më të vogël të varfërisë ka tek ato amvisëri që jetojnë vetëm apo familje që nuk kanë fëmijë
Zejnulla VESELI
Shkup, 20 maj – Shkalla e varfërisë në Maqedoni pothuajse për çdo vit është më e lartë. Mbi 22 për qind e popullatës në Maqedoni është e varfër, ndërsa varfëria fëmijërore është afër 30 për qind. Kështu tregojnë të dhënat e fundit të shoqatës “Platforma kundër varfërisë”, sipas të cilës, në Maqedoninë e Veriut ka mbi 500 mijë njerëz që jetojnë nën pragun e varfërisë, shkruan gazeta KOHA.
“Nuk ka stagnim apo rënie të varfërisë. Përkundrazi njerëzit bëhen edhe më të varfër sidomos ato familje që kanë nga 3-4 fëmijë. Varfëria fëmijërore është në rritje dhe gjatë viteve të kaluara, për fat të keq kishim shumë njerëz që jetonin nën pragun e varfërisë dhe vështirë të dalin edhe këtë vit nga varfëria”, thotë Biljana Dukoska nga “Platforma kundër varfërisë”. Në Maqedoni ka mbi 500 mijë qytetarë që jetojnë shumë keq për shkak të varfërisë. Ndryshe nga siç thonë të dhënat zyrtare dhe të zyrtarëve politik, se varfëria po zvogëlohet, sociologët dhe ekspertët thonë të kundërtën – edhe më tej çdo i katërti banor në Maqedoni nuk mund t’i plotësojë nevojat elementare për ushqim.
“Në praktikë, në Maqedoni këto dhjetë vitet e fundit nuk kemi ndonjë ndryshim të mirëqenies sociale të qytetarëve. Edhe përkundër deklaratave të shumta të zyrtareve të Qeverisë se varfëria po zvogëlohet, kjo aspak nuk ka ndikuar në përmirësimin e gjendjes financiare të gjysmë milioni qytetarëve të Maqedonisë”, thotë për KOHA, Ilija Acevski, sociolog. Sipas të dhënave statistikore, vazhdon më tej Acevski, varfëria më tepër ka prekur familjet që kanë shumë fëmijë. Pikërisht të dhënat statistikore për vitin 2018 rezultojnë se 147.578 amvisëri me dy fëmijë janë më pak të varfër, gjegjësisht 24. 8 për qind, ndërsa tek ato amvisëri që kanë 3 apo 4 fëmijë, varfëria është në nivelin prej 49.9 për qind. Shkallë më të vogël të varfërisë ka tek ato amvisëri që jetojnë vetëm apo familje që nuk kanë fëmijë.
Këto të dhëna statistikore, sipas sociologut Acevski, tregojnë se politikat qeveritare të deritanishme për uljen e varfërisë shpesh janë të ngjyrosura dhe propaganduese dhe vështirë se japin rezultate pozitive. “Te familjet katër anëtarësh, ku ka vetëm një të punësuar dhe atë me të ardhura mujore shumë të ulëta, përqindja e varfërisë është më e madhe. Këto familje sidomos ato që kanë fëmijë të moshës prej 10 deri në 17 vjet, kanë shpenzime më të mëdha që shumë rëndë ua plotësojnë nevojat elementare për sigurim të ushqimit si dhe shkollimit”, thotë sociologu Ilija Acevski. Gjorgji Tonovski, profesor i sociologjisë, duke u thirrur në të dhënat statistikore të fundit, shprehet se kategoria më prekur janë qytetarët nga varfëria janë të papunët dhe atë 43.7 për qind, ndërsa në anën tjetër – nuk ka asnjë lëvizje të pragut të varfërisë edhe për qytetarët që punojnë, që do të thotë se mbetet në nivelin e njëjtë 11 përqindëshi i të punësuarve të varfër. “Për fat të keq, trendi i rritjes së varfërisë është shumëvjeçar dhe Maqedonia asnjëherë nuk pati sukses të del nga ky rreth magjik i varfërisë apo të paktën t’i afroheshim standardeve të botës perëndimore. Varfëria paraqitet në nivele dhe forma të ndryshme, me intensitet të ndryshëm, por në asnjë rast nota e përgjithshme e fotografisë së varfërisë në Maqedoni nuk tregon se po ndërtojmë një shoqëri të pasur”, thotë sociologu Gjorgje Tonoski.
Të dy sociologët zgjidhjen për daljen nga varfëria e shohin në disa mënyra – e para të përpilohet një analizë strukturore më të dhëna të sakta se cila kategori e njerëzve janë në vazhdimësi të varfër, sidomos analizë për ata njerëz që mbi 1 vit janë të varfër, që të mund të fitohet përgjigja e mirë për karakterin dhe pozitat ekonomike e familjeve që ju takojnë këta njerëz. Hapi tjetër, sipas sociologëve, duhet të ishte hapja e vendeve të reja të punës, por jo në sektorin publik, por në atë privat si dhe zgjidhja të bëhet sipas shkallës formale dhe joformale të kualifikimeve, diturisë dhe profesionalizmi që duhet ti posedojë një i papunë që të mund shteti të planifikojë punësimin e fuqisë punëtore sipas veprimtarive që kanë nevojë kompanitë vendore. (koha.mk)