Komunat nuk kanë pritur që nga lartë tu zgjidhen problemet ekonomike, por kanë marrë në duart e tyre zgjidhjen e papunësisë dhe mirëqenies së popullatës , dhe kanë treguar një sukses për tu pasur lakmi
Nga Fisnik PASHOLLI
Edhe në Ballkanin Perëndimor aq të ngarkuar me probleme nga më të ndryshmet me një stabilitet akoma të brishtë politik , me ambient afarist që përkundër përmirësimeve akoma vuan nga mungesa më e madhe e reformave strukturore apo shteti nuk i liron s duhet rrugën biznesit që ai të mund të punojë me fitim, ekzistojnë komuna apo vetëqeverisje lokale që nuk kanë pritur që nga lartë tu zgjidhen problemet ekonomike, por kanë marrë në duart e tyre zgjidhjen e papunësisë dhe mirëqenies së popullatës , dhe kanë treguar një sukses për tu pasur lakmi.
Komuna Teshanj, për dallim prej një pjese të madhe të komunave në Bosnje e Hercegovinë me papunësi të madhe, borxhe, papunësi, ekonomi që lëngon , ka krijuar një ambient biznesi ku çdo i katërti banor është sipërmarrës, ka investime të barabarta apo për gjysmë nga ana e investitorëve të huaj dhe vendor , eksport në vitin 2017 prej 400 marka konvertibile apo afër 200 milion euro si dhe një qarkullim të biznesit vendor prej afër 800 milionë euro,, si dhe rritje të punësimit prej 7000 në vitin 1991 në 12.500 në vitin 2017. Shquhet edhe për një industri të mishit të pulës që nuk ka pasur më parë traditë, por me një investim prej 10 milionë euro ka rritur të punësojë 600 punëtorë dhe 600 koperantë , duke prodhuar më shumë se 14 milion pula që eksportohen edhe në tregjet e Bashkimit Evropian. Sipas më shumë institucioneve ndërkombëtare, Teshanj ka krijuar një ambient më se të volitshëm për investime dhe ka arritur një rezultat më se mbresëlënës. Në këtë komunë nuk presin dhe nuk kanë kohë që dikush tjetër prej anash apo nga qendra të zgjidh problemet e tyre , për shkak se organet qendrore në të shumtën e rasteve ose vonohen ose asnjëherë nuk zgjidhin ndonjë çështje apo problem, sipas pritjeve të banorëve lokal.
Komuna në këtë drejtim ka realizuar ndryshime teknologjike dhe organizative, duke vendosur teknologjitë e reja në shërbim të rritjes së efikasitetit të administratës dhe zhvillimit të gjithë mbarshëm komunal, që në fund ka sjellë sistem të qeverisjes elektronike tërësisht në shërbim të qytetarëve dhe biznesit. Për të arriturat e tyre flasin edhe të dhënat se në vitin 2015 kanë pasur raportin prej 2.2 të punësuar në një pensionist, për dallim prej mesatares së shtetit me një pensionist në një punëtor. Nëse një investitor i huaj dëshiron të investojë këtu, do të vijë në zyrën One Stop Shop, ku në disponim do të ketë një zyrtar me të cilin do të kalojë të gjitha procedurat e nevojshme administrative. Pas kompletimit të dokumentacionit në afat prej dy ditësh do të fitojë lejen ndërtimore, ndërsa harxhimet e lejeve të ndryshme janë më të volitshme në shtet. Investitorët potencial mund të informohen paraprakisht për të gjitha procedurat administrative edhe përmes regjistrit elektronik të komunës.
Në se ekziston sekreti i suksesit, nga komuna e Teshanj thonë se kjo është mos pritja që dikush tjetër të zgjidhë problemet e juaja, ku në Bosnje e Hercegovinë problemet e brendshme politike shpesh shkaktojnë edhe jostabilitet ekonomik dhe shoqëror. Megjithatë nevojitet që njerëzit vetë në mjediset e tyre lokale ti kthehen zgjidhjes së telasheve që mundojnë banorët dhe të shohin se çka janë në gjendje dhe çka munden vetë të bëjnë për zhvillimin ekonomik lokal. Me fjalë të tjera, këtu arrijnë që përkundër ambientit jo të volitshëm që i rrethon , të bëjnë biznes dhe të arrijnë rezultate, duke nxitur shpirtin sipërmarrës të popullatës dhe duke krijuar kornizë institucionale, me qëllim që të arrihet një zhvillim afatgjatë i qëndrueshëm.
Shembulli i komunës Teshanj tregon se nuk duhet pritur Godonë që duhet t’i shpëtojë personazhet , pasi ai nuk do të vijë asnjëherë. Për heronjtë e veprës së Beket , çdo ditë është e njejtë , asnjë nuk ndryshon, por megjithatë ato nuk heqin dorë nga pritja. Ato ndoshta edhe do të ndryshonin jetën e tyre, por shpresa se Godo do të vijë orë e çast , i pengon në këtë, për shkak se presin që ai të bëjë jetesën e tyre më të mirë dhe më të bukur. Pra, në këtë qytet nuk kanë pritur një shpëtimtar që ti shpëtojë, por kanë marrë vetë punët në duart e tyre , si recetë për ringjalljen dhe revitalizimin e ekonomisë. Vlen të theksohet se përkundër asaj se ky vendbanim nuk posedon resurse për prodhimin e ushqimit, ai mban primatin në këtë fushë, duke dëshmuar se edhe ajo që duket në shikim të parë e pamundur, megjithatë është e mundur.
Në fund, krahas Teshanj edhe komunat Zhepçe dhe Tesliq janë renditur nga prestigjiozja Financial Times, ndër dhjetë rajonet më mira për investime në Evropë sipas efikasitetit të harxhimeve . Kriteret kryesore për këtë tregues janë potenciali ekonomik, raporti midis investimeve dhe harxhimeve, potenciali njerëzor, infrastruktura, cilësia e jetesës dhe ambienti miqësor i biznesit. (koha.mk)