Çdo i dyti i papunë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 17 shkurt – Çdo i dyti i ri në Maqedoni dhe Greqi është i papunë, çdo i treti në Kosovë dhe çdo i katërti i ri në Kroaci. Analizat tregojnë se në vitin 2016 , Bosnja dhe Hercegovina ka qenë e para në rajon me 76.6 të të rinjve të papunë, ndërsa në vendin e dytë me gjysmën e të rinjve të papunë renditet Maqedonia, shkruan gazeta KOHA.
“Të rinjtë në Maqedoni që nuk kanë punë ballafaqohen me periudha të gjata të kërkesës për punësim. Pjesëmarrja e të rinjve të papunë të moshës 15 deri 29 vjeç, që kërkojnë punë më shumë se një vjet është 34.2 për qind e numrit të përgjithshëm të të papunëve për një periudhë afatgjate në vitin 2016” thuhet në analizën e Entit të Statistikës.

Njohësit e kësaj problematike thonë se papunësia e të rinjve akoma paraqet problem të madh dhe sfidë për shoqërinë tonë, që kërkojnë politika të reja inovative, që do të stimulojnë të rinjtë të vetëpunësohen dhe të nisin biznese të reja.

“Një nga masat në këtë drejtim është edhe rikualifikimi i një pjese të caktuar të kuadrove që vështirë gjejnë punë, ulje e nivelit të personave që punojnë në të zezë si dhe vendosjen e sistemit të mësimit të përjetshëm ngjashëm me shtetet e zhvilluara në kuadër të së cilit individët stimulohen të përsosen në fushat ku ka kërkesa më të mëdha për punë . Nevojitet edhe një analizë serioze e tregut të punës dhe profileve arsimore që nevojiten për të zvogëluar kohën që kalojnë të rinjtë duke pritur punë pas përfundimit të shkollimit të tyre”, thotë ekspertja e kësaj fushe, Elena Mitreva .

Sipas saj ekzistojnë edhe mjaft programe interesante që ju ndihmojnë të rinjve më lehtë të kyçen në tregun e punës. Për shembull në Gjermani ekziston programi për orientim profesional që ju ndihmon të rinjve të zgjedhin karrierën e tyre në bazë të kurseve për orientim profesional si dhe përvojës së punës përmes programit të praktikantëve. Në Holandë ekzistojnë kompanitë të dëshmuara shtetërore për “mësimin” e të rinjve që ofrojnë mundësi për mësim përmes praktikës. Në këtë mënyrë të rinjtë fitojnë përvojë pune dhe njëherazi janë të paguar për mundin e tyre. Të rinjtë fitojnë edhe shërbime intensive për orientimin profesional gjatë tranzicionit të tyre në tregun e punës. Në Austri, shërbimi nacional i punësimit është përgjegjës për të rinjtë e papunë dhe duhet tu ofrojë mësim të serishëm të kombinuar me punë praktike.

Në ndërkohë edhe analizat e Bankës Botërore, tregojnë se papunësia e madhe e të rinjve në shtetet e rajonit kufizon mundësitë për rritjen e standardeve të jetesës dhe rritjen ekonomike në periudhë afatmesme. Në analizën e saj, banka rendit edhe disa nga karakteristikat e papunësisë në rajon te të rinjtë.

Papunësia për të rinjtë në Evropën Juglindore është më shumë se dy herë më e lartë për të rinjtë, si për të rriturit, ndërsa femrat e reja kanë një lidhje të dobët me tregun e punës. Gjithashtu humbësit më të mëdhenj të vendeve të punës gjatë dobësimit të ekonomisë janë të rinjtë, ndërsa ato janë edhe përfituesit më të vegjël kur kemi rritje të ekonomisë.

“Për Evropën Juglindore, një rënie prej 1 pikë përqindje në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto ka tendencë për të rritur shkallën e papunësisë e të rinjve me 0.83 e një pikë përqindje, por një goditje pozitive e rritjes prej 1 pikë përqindje zvogëlon papunësinë e të rinjve me vetëm 0.54 e një pikë përqindje”, përcjell KOHA analizat e Bankës Botërore.

Gjithashtu edhe mungesa e qasjes më të lehtë ndaj kredive zvogëlon mundësitë për punësimin më të lehtë të të rinjve . Të rinjtë në Evropën Juglindore në përgjithësi kanë qëndrime më pozitive ndaj sipërmarrjes se gjeneratat e vjetra, por vetëm një pjesë e vogël në fakt kanë filluar një biznes. Mungesa e financave dhe garancive të kredive te të rinjtë,bie fjala,i kufizon mundësitë e tyre sipërmarrëse. Në mënyrë të ngjashme, mungesa e lidhjeve personale dhe profesionale i bën perspektivat e tyre të punësimit të dobëta. (koha.mk)