Fisnik PASHOLLI
Shkup, 23 shkurt – Në gjashtë vitet e kaluara, në Maqedoni është dyfishuar numri i personave që dorëzojnë raportet vjetore tatimore për të ardhurat e tjera krahas rrogës, shkruan gazeta KOHA. Në vitin 2010, numri i qytetarëve të cilët kanë realizuar të ardhura shtesë përskaj rrogës, pensionit, veprimtarisë bujqësore ose ndonjë aktiviteti tjetër të pavarur, ka qenë 160.293 persona. Sivjet, nga Drejtoria për të Ardhura Publike presin që deri më 15 mars afër 400 mijë qytetarë të dorëzojnë raporte vjetore tatimore për të ardhurat e realizuara vitin e kaluar. Me fjalë të tjera, përgjatë periudhës 2010-2016 është rritur për 240 mijë numri i personave që dorëzojnë fletëparaqitjet vjetore për tatimin personal. Ekonomistët vlerësojnë se frika nga dënimet që sillen prej 500 deri 1000 euro, e bën të vetën dhe jo rritja e ardhurave, andaj edhe kemi dyfishimin e qytetarëve që paraqesin të ardhurave shtesë përskaj të ardhurave të rregullta mujore. Me fjalë të tjera, si duket parulla “çdo gjë mund të harrosh, por tatimin jo”, si duket ka dhënë rezultate për shkak se nga viti në vit rritet në mënyrë të madhe numri i qytetarëve që parashtrojnë paraqitjet tatimore vjetore.
“Dënimet nga mosparaqitja e të ardhurave që duhet të paraqiten në bazë të Ligjit janë shkaku kryesori i rritjes kaq të madhe të paraqitjeve tatimore. Qytetarët rezonojnë se më mirë të paraqesin edhe të ardhurat qofshin minimale prej 1000 denarë sesa të rrezikojnë dënimin eventual. Nga ana tjetër, kjo nuk ndodh se kemi më shumë të ardhura si shtet, për shkak se po të kishin të ardhura më të mëdha – do të përmirësohej edhe standardi jetësor i qytetarëve”, thotë për KOHA, profesori universitar Sami Bislimi. Sipas tij, nuk ka arsyeshmëri ekonomike që qytetarët të rendin pas sporteleve të DAP-it për të parashtruar paraqitjet vjetore tatimore, për shkak se shteti të gjithë qarkullimin pagesor, si dhe pagesën e tatimit e posedon në evidencë përkatëse.
Në ndërkohë, përvojat sllovene tregojnë se atje funksionon faqja elektronike me numrin amë ku mund të kyçet çdo qytetarë, duke pasur qasje tek të dhënat e tij. Në praktikë, të gjitha firmat, pavarësisht se a bëhet fjalë për marrëdhënie të rregullta pune, për honorarë, apo ndonjë lloj tjetër pagese, i vendosin të dhënat për atë se për çka e kanë paguar tatimin. Kështu, qytetarët edhe në mënyrë rrjedhëse kanë qasje në fitimin e tyre, gjegjësisht në mënyrë faktike është e mbushur paraqitja vjetore tatimore, ndërsa qytetarët i kontrollojnë të dhënat dhe nëse kanë për të shtuar diçka, e bëjnë atë. Ndryshe, qytetarët të cilët gjatë vitit të kaluar kanë realizuar të ardhura shtesë, më së voni deri më 15 mars e kanë për obligim të bëjnë Paraqitjen e tatimit vjetor (të dorëzojnë formularin PDD-GDP). Obligimi ka të bëjë me qytetarët të cilët vitin e kaluar 2016, përveç pagës ose pensionit, apo të ardhurave të veprimtarisë bujqësore/të pavarur, kanë realizuar edhe të ardhura shtesë prej: qirave (dhënien e pronës – qira), të drejtave autoriale, pronës industriale, dividendit të paguar, fitimit kapital nga shitja e pjesëmarrjes në kapital dhe pronës së patundshme, fitimit individual prej lojërave të përgjithshme të fatit (lojërave të fatit në lotari, lojërave elektronike të fatit, lojërave shpërblyese dhe lojërave interaktive të fatit) në shumë më të madhe se 5000 denarë, lojërave të fatit përmes faqeve të specializuara të huaja të internetit (e-tregti; shërbime të kryera përmes faqeve të specializuara p.sh. freelancer.com, upëork.com etj., vendosjen e reklamave në internet faqe personale, parashikimeve të llojeve për ndeshje sportive), të ardhurave personale nga jashtë për aktivitete që lidhen me punën në Republikën e Maqedonisë, nëse janë të angazhuar në ambasadë, ndonjë mision të ndonjë organizate ndërkombëtare si dhe , të ardhura të tjera shtesë, jashtë pagës së rregullt dhe pensionit. Paraqitja vjetore e tatimit është falas dhe mund të shkarkohet nga ueb faqja e DAP. Paraqitja e plotësuar tatimore vjetore mund të parashtrohet në zyrën më të afërt tatimore të DAP në dy kopje, ose përmes postës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.