Zejnulla VESELI
Shkup, 23 shkurt – Borxhi total i shfrytëzuesve buxhetor, gjegjësisht detyrimet e papaguara të institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike ndaj shtetit, përfundimisht me muajin maj të vitit 2017 kap shifrën prej 22 miliard denarë apo 363 milionë euro. Kështu tregojnë të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave të publikuara në ueb faqen e saj, shkruan gazeta KOHA. Nga shuma e borxhit total prej 363 milionë euro, pjesa më e madhe bie mbi institucionet dhe ndërmarrjet e formuara nga Republika e Maqedonisë.
Në mesin e shfrytëzuesve buxhetor që nuk kanë kryer detyrimet ndaj shtetit dhe kanë borxhe më të larta, në vendin e parë janë ndërmarrjet shtetërore të formuara nga R.M. ne vlerë totale prej 6 miliard denarë apo rreth 100 milionë euro. Borxhlinjtë të dytë janë komunat me borxh prej 4,6 miliard denarë apo rreth 80 milionë euro ndërsa në vendin e tretë janë institucionet shëndetësore me borxh vlerë prej 3.2 miliard denarë ose mbi 50 milionë euro. Vendi i katërt i takon ministrisë së Kulturës me borxh që kap shifrën prej 2.4 miliard denarë apo 40 milionë euro. Në vendin e pestë radhiten ndërvaret publike të themeluara nga komunat me borxh total prej 2.5 miliard denarë apo 40 milionë euro.
Nga gjithsejtë 120 kompani, 31 nga këto ndërmarrje vitin 2016 dhe vitin 2017 nuk kanë qenë aspak profitabile dhe kështu kanë treguar rezultate financiare negative që i bie që çdo e katërta firmë shtetërore ka punuar me humbje.
Sipas bazës së të dhënave të Ministrisë së Financave, 18 ndërmarrjeve shtetërore nga sektori publik, gati tre vitet e fundit punojnë me humbje. Në top listën e dhjetëshit të par të kompanive që punojnë me humbje, si kompani shtetërore që për çdo vit i shkakton humbje është SH.A. “Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti” dhe deri në muajin maj të vitit 2017 humbjet në këtë ndërmarrje publike kapin shifrën prej 2.439.000.000 denarë apo 40 milionë euro. Kjo kompani shtetërore që nga viti 2014 vazhdimisht punon me humbje. I dyti në listë gjendet kompania shtetërore MEPSO me humbje prej 977 milionë denarë ose 15 milion euro.
Me humbje prej 779 milion denarë apo 12.5 milionë euro, i treti në listë është “Rrugët e Maqedonisë”. Edhe kjo kompani shtetërore tani e tre vite punon me humbje. E katërta në listë si kompani e cila i ka borxh shtetit është kompania shtetërore “ELEM” me borxh prej 641 milionë denarë apo 10.5 milionë euro. Televizioni i Maqedonisë radhitet në vendin e pestë me borxh në vlerë prej 462 milionë denarë apo 7.5 milionë euro ndërsa vendi i pestë i takon kompanisë shtetërore “Hekurudhat e Maqedonisë- Infrastruktura” me borxh prej 238 milionë denarë apo 3.8 milionë euro. Në vendin e gjashtë radhitet ndërmarrja shtetërore për resurse energjetike “MER” me humbje prej 160 milionë denarë ose 2. 6 milionë euro.
Shoqata aksionare “Ujësjellësi” në listën e kompanive që më shumti i kanë borxhe shtetit gjendet në vendit e shtatë me borxh total prej 111 milion denarë apo 1.8 milion euro. ‘Pyjet e Maqedonisë” është kompania e 8-të shtetërore që ndaj shtetit ka borxh në vlerë prej 99 milionë denarë ose 1.6 milionë euro. Në vendin e nëntë është kompania shtetërore Drejtoria për menaxhim me hapësirat afariste dhe objekteve të banimit e cila shtetit i ka krijuar humbje në vlerë prej 74 milionë denarë ose 1.1 milion euro. Nëntë kompanitë e tjera nga gjithsejtë 18-të të cilat gjatë tre viteve të fundit punojnë me humbje janë kompani që shtetit i kanë borxhe më pak se 1 milion euro. (koha.mk)