Delvina KËRLUKU
Shpëtim Pollozhani u lindur në Strugë, më 27 prill të vitit 1949, mirëpo viti i lindjes iu regjistrua më 12 shkurt të vitit 1950. E burgosën më 28 nëntor të vitit 1981, për ta liruar pas tre ditësh, pas një torture të dështuar preventive. E liruan për ta ndjekur dhe për ta a zënë në vepër. Përsëri e burgosin më 10 qershor të vitit 1982, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë bashkë me Rafi Halilin. Dënohet me 15 vite burg. Për veprimtari brenda burgut, në shenjë hakmarrje e transferojnë në Burgun e Kotorit, në Mal të Zi, ku, siç shprehet Pollozhani, nuk e sheh as hënën dhe as diellin pothuajse një vjet. Nga Burgu i Kotorit e liruan në qershor të vitit 1989, në bazë të një vendimi të kryetarit të atëhershëm të Kryesisë së ish Jugosllavisë, z.Raif Dizdareviq. Ai tani jeton i lirë në Strugë dhe është një nga protestuesit më të zëshëm ndaj projekteve antishqiptare.
KOHA: Ç’kuptim ka për Ju liria?
POLLOZHANI: Ai që e thotë atë që e mendon dhe e mendon atë që e thotë, është një njeri i lirë. Gjithnjë e kam thënë atë që e kam menduar dhe e kam menduar atë që e kam thënë, prandaj unë jam liria vetë.
KOHA: Ç’kuptim ka për Ju kufiri?
POLLOZHANI: Për një njeri të lirë nuk ekzistojnë kufijtë. Krijuesit dhe shpikësit më të mëdhenj të botës nuk kanë vepruar dhe nuk kanë krijuar në vendlindje, me ndonjë përjashtim të vogël. Për një veprimtar dhe të lirë, nuk ka kufij, përveç se atyre që ai ia vendos vetvetes.
KOHA: Çfarë është për Ju antivlera?
POLLOZHANI: Shitja e interesit kombëtar, pasurimi pa djersë, shitja e diplomave, largimi nga familja, koprracia, një politikan që përpara se të bëhej politikan nuk kishte parë se si është dukur një pesëqind euro, kurse më pas, pasi është bërë politikan, e ka bërë milionin.
KOHA: Ç’simbolizon qëndresa?
POLLOZHANI: Qëndresa qëndron vetëm në një fakt, të kesh ndërtuar parime etike, të cilave do t’u përmbahesh gjatë të gjithë jetës. Jeta pa parime të betonuar është një jetë fyçkë, një jetë e shkuar kot së koti, vetëm një kafshë mendon vetëm për tagjinë.
KOHA: Çfarë kushtesh kishte në “Strofullën e djallit”?
POLLOZHANI: Si do të shtrosh, do të flesh. Në rast se një njeri ka parime dhe bindje të fortë për një punë, burgu, për atë njeri, nuk është një vend i vuajtjes dhe i depersonalizimit, i cili është qëllimi kryesor i atij që të burgos.
KOHA: Burgu është për burra?
POLLOZHANI: Fjalën “burra” unë e përdor shumë rrallë. Burrë emërtohet një mashkull që e ka bërë ndonjë burrni. Burrë është ai mashkull që ia bën të gjitha shërbimet burrërisë. Burgu është edhe për meshkuj, edhe për femra.
KOHA: Një ditë në burg, çdo të thotë?
POLLOZHANI: Në burg individi e ndërton botën e vetë, në ato hapësira i harmonizon dëshirat me mundësitë, mirëpo, për një njeri që e ka shpirtin e lirë, nuk ka as burg e as pranga, përveçse vetëburgosjes dhe vetëprangosjes. Jeta me lepurin në bark është një vetëprangosje e përjetshme.
KOHA: Po dita e parë në burg?
POLLOZHANI: Për një veprimtar, i cili gjatë kohë ka punuar në ilegalitet, dita e parë e burgosjes i vjen si një shkarkesë shpirtërore. Mori fund edhe kjo, i thotë ai vetvetes, natyrisht në rast se dita e parë e burgut nuk fillon me torturë preventive, ku do të kërciste bishti i bollicës si i çmendur.
KOHA: Ç ‘kuptim ka Liria nga burgu?
POLLOZHANI: Lirimi nga burgu për mua dhe për rrethanat tona ishte njëlloj sikur një peshk e nxjerr nga një kavanoz dhe e hedh në një akuarium dhome.
KOHA: Po pas burgut, çfarë ju brengoste më shumë?
POLLOZHANI: Më pengonte shumë që në zgjedhjet e para parlamentare shqiptarët zgjodhën për gara shumë kuaj teknefesë (të më falin kuajt, të cilët i adhuroj si kafshë, pasi vetë i kam kultivuar disa të tillë).
KOHA: Kohën e humbur gjatë qëndrimit në burg a e keni kompensuar?
POLLOZHANI: Në burg nuk e kam humbur asnjë minutë, për këtë kam disa mijëra dëshmitarë. Edhe pse në rrethana shumë poshtëruese, aty ka një bibliotekë të mrekullueshme, e cila ka mbi 5000 libra. Unë lexoja nga 5-7 orë në ditë. Aty u furnizova me një thesar, të cilin nuk mundet të ma vjedhë dhe as të ma konfiskojë askush.
KOHA: Çka ju mësoi jeta?
POLLOZHANI: Djersët janë të hidhura, mirëpo frutat i kanë të ëmbla. Mos urre askënd, pasi më shumë vuan ai që urren se i urryeri. Urrejtja të gërryen si uthulla e fortë enën e vetë.
KOHA: E keni shkruar në libër jetën tuaj në burg, i keni thënë të gjitha?
POLLOZHANI: Në librin “Në Strofullën e djallit” e kam thënë një pjesë të vogël të jetës së burgut. Versioni i parë i librit i kishte mbi 900 faqe, redaktori më rekomandoi ta ndaj në tre vëllime, kurse unë isha i mendimit se njerëzit nuk e lexojnë as edhe një vëllim pa lëre më tre vëllime.
KOHA: Cila është kënga juaj e preferuar?
POLLOZHANI: Brenda në Tiranë, afër një spitali. U vra Qemal Stafa një ditë të Majit. Këtë këngë e këndoja në momentet më të vështira dhe duke i zgjatur rrokjet e zgjasja deri në 15-20 minuta.
KOHA: Çka do të thotë të jetosh në ilegalitet?
POLLOZHANI: Është shumë më lehtë të jetosh në burg se sa në ilegalitet. Në burg je si një ujk në kafaz, kurse në ilegalitet je si një ujk i rrethuar nga shumë zagarë dhe gjuetarë.
KOHA: Çka i mungon shoqërisë shqiptare në Maqedoni?
POLLOZHANI: Shoqërisë shqiptare i mungon sistemi i vlerave, i cili është çmontuar krejtësisht, prandaj çdo ditë duhet ta hamë çorbën e hidhur të antivlerave.
KOHA: Po politikës shqiptare?
POLLOZHANI: Shqiptarët u bëjnë politikë shqiptarëve. Nuk i kemi kuajt e vërtetë për gara. Na mbytën tenderbegasit.
KOHA: A pati ndonjë efekt veprimtaria e Shoqatës së të Burgosurve Politik?
POLLOZHANI: Në Shqipëri, në Kosovë, Kroaci, Çeki, Poloni dhe në Gjermani, interesat e shoqatave të të burgosurve politikë i mbronin deputetët disidentë ose të burgosur, të cilët u futën në politikë. Këta tanët nuk janë aty, duhet t’u shkruhet mungesë. Përfaqësuesit tanë politikë- ish të burgosur, zgjidhjen e problemeve të vetë e identifikojnë me zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve.
KOHA: Kush janë të mjerët e ditëve tona?
POLLOZHANI: Të mjerët e të mjerëve, janë ata që e keqpërdorën gjakun e dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës. Ku do t’u shkojë shpirti këtyre të ngratëve.
KOHA: Në një kohë lufte ka edhe luftëtarë edhe tradhtarë?
POLLOZHANI: E kanë thënë përpara meje, në luftë vriten atdhetarët, kurse frytet i korrin matrapazët, pasi ata gjithnjë rrinë në prapavijë. Këtë më së mirë e ilustroi një njeri që i mbijetoi Frontit të Sremit në Luftën e Dytë Botërore. ,,Derisa kishte plumba mitrolozi, unë rrija i shtrirë për toke, kur vinte momenti që gjermani ta ndërrojë karikatorin, unë i hidhja mbi 50 hapa dhe prandaj ngela gjallë”.
KOHA: Jeni penduar për diçka?
POLLOZHANI: Jam penduar që nuk e pranova ftesën e Prof Dr Fadil Sulejmanit që ta ligjëroj një lëndë në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë angleze në UT.
KOHA: Çfarë ju bën të lumtur?
POLLOZHANI: Nëntë akademikët e mi, katër mbesat dhe pesë nipërit.
KOHA: Kush është patriot për Ju?
POLLOZHANI: Ai që i njeh vlerat familjare dhe ai që çdo ditë e bën një veprim në interes të kombit të vetë dhe njerëzisë.
KOHA: Strugën e keni marrë në dorë?
POLLOZHANI: Struga është dashuria ime, mua më dhemb kur e shoh një pllakë të thyer, ose edhe ndonjë një lule të tharë, të cilat janë shumë të rralla. Më dhemb shpirti kur e shoh Strugën si një vashë 18 vjeçare të palarë, të pakrehur dhe të dhunuar.
KOHA: Ç’kuptim ka për Ju liqeni?
POLLOZHANI: Liqeni është një thesar kombëtar, është një thesar me kujtime, të cilin malokët janë në gjendje ta hanë të gjallë.
KOHA: Po lumi Drini i Zi?
POLLOZHANI: Drini i Zi është vendi ku unë i kam fituar Lekët e parë për të blerë një biletë kinemaje, për ta parë filmin “Benito Musolini”.
KOHA: Më e shtrenjtë për Ju, familja apo Atdheu?
POLLOZHANI: Atdheu i im ka mbi 1.5 milionë familje. Familja e ime është pjesë e atij Atdheu.
KOHA: Ç’kuptim ka për Ju emri Shpëtim?
POLLOZHANI: Emrin ma ka lënë gjyshi i im nga Dibra, quhej Ramiz Begu. Unë kam lindur në një periudhë kur po prishej sistemi i kolektivizmit, d.m.th tokat u ktheheshin përsëri pronarëve. Pas meje ka lindur motra Gëzime dhe pas saj, vëllai Bashkimi.
KOHA: Hipotetike: Shoqata Juaj shndërrohet në subjekt politik; del në zgjedhjet e ardhshme dhe i fiton ato; Ju si kryetar bëheni kryeministër. Cili do ishte vendimi i parë që do të nënshkruani?.
POLLOZHANI: Pyetja është hipotetike, edhe përgjigja do të jetë hipotetike. Përpara se të bëhesha kryeministër, do të përpiqeshe që të gjithë subjektet politikë shqiptarë të bashkohen rreth një platforme të përbashkët kombëtare, nga e cila nuk do të lëvizej as për një mikron. Subjekteve politikë shqiptarë do t’u ofroja një projekt për federalizmin e Maqedonisë, sipas së cilit, Maqedonia do të ndahej në katër njësi federale, në atë në të cilën do të përfshihej: Struga, Dibra, Kërçova, Gostivari dhe Tetova. Në njësinë tjetër federale do të hynin Ohri, Manastiri, Resnja, Prilepi Krusheva, M. Brodi Dhe Velesi. Në një njësi federale do të futeshin Shkupi dhe Kumanova me Likovën. Në njësinë e katërt federale do të hynin qytetet e Maqedonisë Lindore. Të gjitha këto njësi federale, secila veç e veç, do ta kishin parlamentin dhe qeverinë e vetë. Në njësinë Federale të Shkupit, Kumanovës me Likovën, shqiptarët do ta kalonin 30 përqindëshin dhe do të ishin faktor determinant, kurse në të gjitha njësitë federale ku shqiptarët janë në numër më të vogël, do të praktikohej parimi i reciprocitetit. Vendimi për federalizmin e Maqedonisë, do të kishte qenë vendimi i parë, të cilin do ta kisha nënshkruar si kryeministër i vendit.
KOHA: “Cimeri ” juaj në burgun e Ohrit, romi Fadil ka dhënë një “kontribut” të vogël për ta pasur qëndrimin më të lehtë. A e keni “qerasur” ndonjëherë për këtë “shërbim”?
POLLOZHANI: Romi Fadil ishte një kodosh i burgut. Ai inskenoi hapjen e derës së qelisë së tij dhe mandej duke e thyer edhe derën time, deshi të inskenojë arratisjen time, projekt i cili nuk piu ujë. Për Fadilin kam kujtime dhe urrejtje aq sa mundet të ketë një luan për një mizë, e cila i është ndalur në turi derisa ai ka qenë duke fjetur.
KOHA: Keni qenë profesor, bujk, argjendar, i burgosur politik… Po t’ia nisnit nga fillimi, si do t’ia bënit?
POLLOZHANI: Ëndrra e ime e jetës ka qenë të punoj në arsim. Tre herë më larguan nga puna në komunizëm. E dua aromën e tokës time, prandaj edhe sot e gjithë ditën merrem me pemëtari dhe kopshtari. Në burg kam punuar marangoz dhe drugdhendës. E dua edhe drurin pasi ai është si një fëmijë, të cilin e drejton si të duash. Mbi 20 vjet pas daljes nga burgu u mora me punim dhe shitje të floririt, edhe pse ia pashë hajrin, shkollova dy doktoresha të mrekullueshme, asnjëherë nuk e desha sikur që e dua tokën, drurin, lulet, kafshët dhe NJERIUN.
KOHA: Po të shpërnguleshit nga Struga, në cilin qytet prozaik do të jetonit?
POLLOZHANI: Në Strugë do të kisha jetuar edhe në një qeli burgu, vetëm të ketë një dritare nga liqeni. Prizreni dhe Saranda janë dy qytete që ma ngrohin shpirtin.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.