Shkup, 21 dhjetor – Zëvendëskryeministri i Turqisë, Hakan Çavushohlu, i cili ndodhet në Maqedoni me rastin e Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke, që në këtë vend shënohet më 21 dhjetor, tha se bashkëjetesa vëllazërore dhe miqësore e njerëzve me identitet, kulturë dhe të kaluar të ndryshme, është mesazh i bukur që mund t’i jepet botës, raporton Anadolu Agency (AA). “Megjithatë, ka prej tyre që dëshirojnë ta prishin këtë vëllazëri dhe qetësi në rajon”, tha Çavushohlu duke folur para gazetarëve pas inaugurimit të Shkollës Fillore “Mustafa Kemal Ataturk” në qytetin e Gostivarit, e cila u riparua dhe u pajis në kuadër të një bashkëpunimi të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) me Unionin e Bashkive të Turqisë (TBB). “Lufta kundër FETO-s është shumë e rëndësishme. Tentativa për grusht shteti më 15 korrik në Turqi nuk synoi vetëm Turqinë. Kjo organizatë përbën rrezik dhe kërcënim për secilin shtet në të cilin është aktive”, shtoi Çavushohlu. Ai tha se vazhdojnë t’i paralajmërojnë autoritetet e të gjitha shteteve ku organizata terroriste FETO ka aktivitete, pasi që siç tha, Turqia përjetoi përvojë të hidhur nga ajo. Çavushohlu e cilësoi FETO-n si një dinamit në shtetet ku zhvillon veprimtari. “Mund të mos keni vend për ta mbrojtur nëse ky dinamit një ditë shpërthen”, tha zëvendëskryeministri turk. Duke iu drejtuar shteteve në të cilat FETO është aktive, Çavushohlu kërkoi që të paktën të vlerësohen mijëra provat që kanë dalë nga proceset gjyqësore të zhvilluara në Turqi. “Nevojitet luftë serioze këtu kundër kësaj organizate”, shtoi ai.
Ai tërhoqi vëmendjen mbi organizatën terroriste FETO, për të cilën tha se nuk synon vetëm Turqinë, porse është vënë në përdorim për dizajnimin e vendeve në mbarë botën. “Është një dinamit i vendosur në çdo vend ku është sot aktiv. Është detyrë e jona njerëzore të paralajmërojmë nga shpërthimi i dinamitit. Sepse kur ai të shpërthejë, mund të mos ketë më një vend që ju ta mbroni. Kjo është një organizatë terroriste e bazuar në një strukturë të inteligjencës. Ajo e vazhdon ekzistencën e saj në mënyrën më të fshehtë, të ndarë në grupe të ndryshme. Ata fshehin të gjitha aktivitetet terroriste nën një maskë të pafajshme, siç është arsimi. Duhet të vlerësohen me kujdes nga të gjitha vendet mijëra provat nga dosjet e gjykimeve që zhvillohen në Turqi, ose, për fat të keq, do të jetë shumë vonë kur organizata të ketë marrë komandimin e vendit”, tha zëvendëskryeministri turk.
“Në ndërtesat që duken si kolegje, të ndërtuara gjoja për arsim në Turqi, janë gjetur pjesë ku nëpërmjet kalimeve të fshehta kalohet në ambiente ku janë kryer takime të errëta. Është zbuluar se aktivitetet terroriste janë kryer në pjesët e mbyllura që hapen me mekanizma të fshehura. Këto strofka të terrorit nuk janë identifikuar vetëm në një ose dy shkolla, por në dhjetëra ndërtesa. Të jeni të sigurt se ata zhvillojnë këto aktivitete të errëta në çdo vend ku ndodhen”, paralajmëroi Çavushohlu. Ai tha se nuk dëshirojnë që përvojat e hidhura që përjetoi Turqia më 15 korrik të përjetohen edhe në vende të tjera, duke shtuar se paralajmërimet e tyre i shohin si detyrë njerëzore. “Ne e vërejmë se kjo organizatë e cila komandohet prej përtej oqeanit, përpiqet të vazhdojnë aktivitetet duke u përhapur në të gjithë botën. Dua të them se në rrezik janë të gjitha ato vende ku këta terroristë vazhdojnë aktivitetet e tyre të errëta”, theksoi ai.
Çavushohlu rikujtoi se tentativa për grusht shteti nga FETO në Turqi ishte zmbrapsur me daljen e qytetarëve në sheshe me thirrje të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, por siç tha, sipas tyre ende vazhdon rreziku në shtetet ku organizata zhvillon veprimtari. “Ne do t’i paralajmërojmë shtetet mike dhe vëllazërore dhe do të presim nga ta që të mendojnë dhe të hedhin hapat e duhur”, tha Çavushohlu. Ndërkaq, i pyetur në lidhje me lajmet e plasuara më parë në media lidhur me ekipin atentator të FETO-s në Maqedoni, Çavushohlu tha: “Këto janë lajme të publikuara në disa gazeta. Ne përmes ambasadës i drejtohemi qeverisë së Maqedonisë dhe autoriteteve shtetërore. Shteti i Maqedonisë është duke i zhvilluar hetimet e nevojshme mbi atë se sa këto janë të vërteta”.