Shpresoj se në samitin e muajit dhjetor, Maqedonia e Veriut mund të bëhet anëtare e plotë e NATO-s. Kështu ka deklaruar Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushoglu, i cili qëndroi në New York në kuadër të seancës së 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Siç raporton Agjencia Anadolu, Çavushoglu është takuar me përfaqësuesit e mediave turke ku ka folur për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë, duke nënvizuar se zgjerimi i Aleancës ka qenë gjithmonë përparësi për vendin e tij.
“Tani aktuale është anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut. Ne tashmë këtë vendim e ratifikuam në Parlamentin tonë dhe e dërguam atë. Parlamentet e disa vendeve nuk mundën të ulen për shkak të zgjedhjeve në ato vende dhe për atë shkak edhe nuk mundën ta ratifikojnë (protokollin). Shpresoj se në atë samit Maqedonia e Veriut mund të bëhet anëtare e plotë”, është shprehur Çavushoglu.
Për t’u bërë një anëtare e plotë e NATO-s, Protokolli i pranimit duhet të ratifikohet në parlamentet e 29 vendeve anëtare të Aleancës. Kujtojmë se në muajin korrik të vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut pranoi ftesën e NATO-s për të filluar negociatat për anëtarësim në Aleancë. Vendet anëtare të NATO-s nënshkruan Protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO në muajin shkurt të këtij viti.