Shkup, 16 korrik – Ne jemi aleatë të natyrshëm, e tani do të bëhemi partnerë edhe në NATO, tha shefi i diplomacisë së Republikës së Turqisë, Mevlut Çavushogllu në pres konferencën e përbashkët me nikoqirin e tij, ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.
“Me Maqedoninë që prej para se t’i dërgohet thirrje për NATO, kemi pasur aleancë të natyrshme dhe në të gjitha dokumentet zyrtare të NATO-s ku përmendej Maqedonia, u theksua se e njohim vendin me emrin kushtetues. Edhe në periudhën e ardhshme përkrahja e jonë do të vazhdojë. Kuvendi kombëtar i Turqisë e ratifikoi Protokollin për anëtarësim në NATO para vizitës sime dhe për këtë shkak jemi posaçërisht të lumtur. Për shkak të zgjedhjeve kemi pasur vonesë, por tani ky proces ka përfunduar, e pasi të vazhdojë edhe në vendet tjera, shpresoj se Maqedonia edhe zyrtarisht do të jetë anëtare e NATO-s, që është me rëndësi thelbësore për rajonin”, tha Çavushogllu.
Ai ka shprehur përkrahje edhe për eurointegrimin e vendit dhe tha se shpreson se Maqedonia në tetor do t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE. E paralajmëroi edhe vizitën e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në vendin tonë, e cila është në përgatitje.
Ministri Dimitrov iu falënderua Turqisë për ratifikimin e Protokollit për anëtarësim në NATO.
“Kjo nuk ndryshon asgjë thelbësore. Pasi ne jemi aleatë që nga dita e parë e pavarësisë sonë, por tani edhe formalisht, e së shpejti si anëtare e ardhshme e Aleancës do të bëhemi edhe në atë kuptim aleatë me Turqinë mike”, tha Dimitrov.
Ai iu falënderua Turqisë edhe për projektin për digjitalizimin e arkivit të MPJ-së sonë, të realizuar me përkrahje të agjencisë turke për bashkëpunim dhe zhvillim – TIKA, e cila sot në hapësirat e Ministrisë u lëshua në përdorim. Me digjitalizimin do të mundësohet qasje deri te arkivat dhe qasje deri te to për hulumtime shkencore.
Lidhur me bashkëpunimin ekonomik, Çavushogllu vlerësoi se këmbimi tregtar në mënyrë të vazhduar po rritet, por nevojitet ende mund që të arrihet qëllimi i projektuar, që ai të arrijë vlerën prej një miliardë dollarë, e në këtë ndihmojnë, shtoi, edhe rreth 100 kompani turke të cilat kanë investuar në vend. TIKA, theksoi ai, në vend deri tani ka realizuar 900 projekte me vlerë prej rreth 100 milionë dollarë.
Çavushogllu dje në Shkup mori pjesë në shënimin e trevjetorit nga tentimi i pasuksesshëm për grusht shtet në Turqi. Në atë kontekst ministri turk i Punëve të Jashtme iu falënderua popullit në Maqedoni, për përkrahjen dhe solidaritetin me Turqinë në atë periudhë. Theksoi se FETO është organizatë terroriste, e cila në rrjetin e saj në 160 shtete në botë është kërcënim edhe për vendin tonë dhe tha se pret hapa konkrete në drejtim të kërkesave të tyre për FETO-n.
Në kuadër të vizitës dyditore zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ministri Çaushogllu u takua edhe me zëvendëskryeministrin, i obliguar për çështje evropiane, Bujar Osmani, ndërsa duhet të ketë takim edhe me kryeministrin Zoran Zaev.