Shkup, 22 shkurt – Nuk ka jurist, as edhe qytetar, i cili nuk ka dilemë për amnistinë. Prokurorja Villma Ruskovska dje ka thënë se të gjithë jemi të shantazhuar me Ligjin për amnisti. Në këtë rast vihet në pikëpyetje legjitimiteti i procedurës, ka thënë i akuzuari Mitko Çavkov në përgjigjen e replikës së përfaqësuesit të akuzës për ndodhitë e Kuvendit më 27 prill 2017.
Mbrojtësi i të akuzuarit Munir Pepiq, Elenko Milanov ka thënë se nëse për Prokurorinë, Pepiq nuk ka qenë atë ditë në shërbim, dje dëgjuam se ka qenë dhe se sipas tyre është përgatitur raport qesharak.
I akuzuari Jane Çento, ka thënë se nuk do të bie pre e qëndrimit nënçmues të prokurores Ruskovska. Ka shtuar se do të dëshmojë se i kanë ofruar të jetë dëshmitar mbrojtës i Prokurorisë dhe se një ditë do të përgjigjen për këtë para gjyqit.
Para fillimit të gjykimit i akuzuari Çento ka kërkuar të shtyhet diskutimi derisa të vjen Ruskovska që siç tha, “të ballafaqohen me të dhe deklaratën e saj”.
Gjykatësja Dobrilla Kacarska ka thënë se gjykata nuk mund të kërkojë nga prokurori lidhur me atë se kush do të merr pjesë në debatin.
Procesi gjyqësor i cili filloi në muajin gusht të vitit të kaluar udhëhiqet kundër 33 të akuzuarve, por me Ligjin për amnisti janë falur gjithsej 15 persona.
Në bankën e të akuzuarve mbetën: Mitko Çavkov, Dushko Lazarov, Goran Gjoshevski-Levi, Mitko Peshov, Oliver Popovski, Munir Pepiq, Abdulfeta Alimi, Oliver Radullov, Igor Durlovski, Jane Çento, Igor Jug, Aleksandar Vasilevski-Ninxha, Nikolla Mitrevski-Kolo, Mlladen Dodevski, Gorançe Angelovski, Vllatko Trajkovski dhe Villijam Mihajlovski, të cilët akuzohen se kanë bërë vepër penale rrezikim terrorist të rendit kushtetues.