Sikurse është raportuar gjatë ditës së martë nga “Deportes Cuatro”, Çavi Hernandez, ish-futbollisti i Barcelonës është një nga emrat që po diskutohet nga Federata Spanjolle, si kandidat për të marrë pozicionin e trajnerit të përfaqësueses së Spanjës. Pas largimit të pritshëm të Fernando Hierros, Çavi është përfshirë në listën me emrat kandidatë për të udhëhequr ekipin e “Furive të Kuqe”, aty ku gjenden edhe emrat e Sançez Flores, Miçel dhe Luis Enrike. Çavi , i cili është kualifikuar si trajner së fundmi, ka rinovuar edhe për dy sezone të tjera me Al Sadd të Katar. Sikurse “AS Arabia” raportoi në maj, mesfushori spanjoll pritet të bëhet trajner i ekipit të tij aktual, duke nisur nga janari i vitit 2019, për të zëvendësuar trajnerin aktual Manuel Jesualdo Ferreira. Mesfushori njoftoi në nëntor të vitit 2017 idenë e të qenit trajner pas përfundimit të sezonit. “Isha me fat që nuk jam dëmtuar dhe mendoj se karriera ime po vjen gradualisht në rënie. Mund të konstatoj që lodhem më shumë dhe se është më e vështirë për mua për tu rikuperuar. Me siguri do të jetë viti im i fundit si futbollist. Kam mendimin të marr kartonin tim vitin e ardhshëm dhe të bëhem trajner”, deklaroi Çavi. Ndërkohë “Deportes Cuatro” shton gjithashtu në listën e kandidatëve për trajner të Spanjës edhe teknikun aktual të Belgjikës, Roberto Martinez, i cili ka kualifikuar përfaqësuesen belge në çerekfinalet e Kupës së Botës në Rusi, pasi përmbysën Japoninë me rezultatin 3-2.