Cavani më nuk duket si “blerje paniku” te Manchester Unitedi

Pas paraqitjes së tij të jashtëzakonshme në Southampton të dielën, vlerësimet janë të tjera. Cavani asistoi një gol dhe shënoi dy të tjerë për t’ia siguruar fitoren Manchester Unitedit me rezultatin 3:2. Me atë çfarë tregoi ndaj Southamptonit, Cavani i heshti të gjithë ata që dyshuan në aftësitë e tij. Në fakt, nuk duket se është lojtar që ka marrë fund, për të cilin kishte dyshime të mëdha

21

Kur Edinson Cavani u bashkua me Manchester Unitedin në ditën e fundit të afatit kalimtar, në tetor, lëvizja u përshkrua gjerësisht si një “transferim paniku”. Te Unitedi po kalonte një 33-vjeçar dhe shumë njerëz e cilësuan blerje “dëshpërimi”, pasi klubi nuk arriti të merrte lojtarët kryesorë që i synonte. Por, pas paraqitjes së tij të jashtëzakonshme në Southampton të dielën, vlerësimet janë të tjera. Cavani asistoi një gol dhe shënoi dy të tjerë për t’ia siguruar fitoren Manchester Unitedit me rezultatin 3:2. Me atë çfarë tregoi ndaj Southamptonit, Cavani i heshti të gjithë ata që dyshuan në aftësitë e tij. Në fakt, nuk duket se është lojtar që ka marrë fund, për të cilin kishte dyshime të mëdha. Golat e tij u vlerësuan lart, lëvizja e tij në zonë fitoi mirënjohje edhe nga trajneri i Manchesterit, Ole Gunnar Solskjaer dhe shumë të tjerë. Madje, edhe bashkëlojtarët e Cavanit iu përkulën uruguaianit pas paraqitjes së fundit.

“Për mua, ai është një nga ata sulmues që mund të nuhasin golin, siç e patë dy herë ndaj Southamptonit”, tha mesfushori i Unitedit, portugezi Bruno Fernandes. “Ai jo vetëm që shënoi dy gola, por edhe asistoi një tjetër. E kam thënë edhe më parë dhe e them edhe tani që Edi do të na ndihmojë shumë. Golat e tij do të jenë të rëndësishëm për ecurinë tonë”, thotë Fernandes.

Dyshimet mbi Cavanin gjithsesi ishin të justifikuara. Ai ishte në dispozicion për një transferim falas dhe nuk kishte luajtur pothuajse gjatë gjithë pjesës së fundit të sezonit. Shumë pyesnin nëse Cavani ishte me të vërtetë një lojtar i kërkuar nga Unitedi, duke pasur parasysh se nuk e kishin kërkuar menjëherë pasi u largua nga Paris Saint-Germaini. Unitedi nuk arriti të merrte sulmuesin e Norvegjisë, Erling Haaland në afatin kalimtar të janarit dhe gjithashtu dështoi të siguronte shërbimet e mesfushorit ofensivë të Borussia Dortmundit, Jadon Sancho. Të dëshpëruar që dështuan në transferimin e synimeve, drejtuesit e Manchester Unitedit në orët e fundit e kishin thirrur në telefon agjentin e Cavanit përpara se të arrihej marrëveshja. Por, për një ekip të Unitedit, që ka shumë opsione në sulm, Marcus Rashford, Anthony Martial dhe Mason Greenwood, por pa një qendërsulmues klasik, Cavani duket shumë më tepër sesa vetëm një opsion i dobishëm.

“Skuadra kishte Rashfordin dhe Greenwoodin, por duket se pikërisht Cavani ishte ai që i mungonte Manchester Unitedit. Ai është një numër nëntë i duhur për Manchester Unitedin, sepse është qendërsulmues tipik”, është shprehur analisti dhe ish-sulmuesi i Anglisë, Alan Shearer. Solskjaer, një sulmues nën drejtimin e Alex Fergusonit te Unitedi, ka punuar shumë për të bërë që sulmuesit e tij të rinj të bëjnë vrapimet e duhura në zonën kundërshtare për të gjetur pozicionet vendimtare për të shënuar gol. Por Solskjaer tani ka një lojtar që nuk ka nevojë për udhëzime në atë zonë.

“Edinsoni ka qenë një sulmues që ka shënuar kaq shumë gola për një kohë kaq të gjatë nëpër ligat më të forta të Evropës. Kështu që ne si klub kemi pasur nevojë për një sulmues të tillë edhe pse e transferuam në momentet e fundit. Unë jam i kënaqur me atë që ka treguar Cavani deri më tash edhe pse me kalimin e kohës do të bëhet shumë më i mirë dhe vendimtar”, tha Solskjaer. “Ai e di saktësisht se ku duhet të lëvizë edhe kur shoku i tij është në zonë. Cavani është sulmuesi më i mirë në kampionatin tonë dhe jemi me fat që kemi arritur ta bindim”, deklaroi Solskjaer.

Cavanit, i cili shënoi 138 gola në 200 ndeshje të Ligue 1 për PSG-në, dhe ka 51 gola në 118 ndeshje për Uruguain, i është dhënë kohë për t’u adaptuar pasi humbi përgatitjet parasezonale me Manchester Unitedin. Mirëpo kapiteni i Unitedit, Harry Maguire, nuk është aspak i befasuar nga ndikimi i Cavanit në ekip. “Unë jam shumë i kënaqur për të. Ai ka qenë pa klub për disa muaj, kështu që ai po hyn në ritëm dhe po e arrin formën e tij. Edi është një profesionist i shkëlqyeshëm në çdo aspekt, një bashkëlojtar i vërtetë. Është një sulmues që për një periudhë të gjatë ka luajtur në nivelin e njëjtë. Ai gjithmonë është në lëvizje dhe për këtë arsye gjithmonë shënon gola”, ka theksuar Maguire.

Tani Cavani duhet të shpresojë që një hetim i Federatës së Futbollit të Anglisë në postimin e tij të fshirë në media sociale, i cili përfshinte një fjalë me konotacion racor, nuk do të rezultojë me suspendim. Cavani ka kërkuar falje për këtë postim.

“Mesazhi që e postova pas ndeshjes së të dielës kishte qëllim dashamirës për të përshëndetur një mik, duke e falënderuar për urimet pas ndeshjes. Gjëja e fundit që do të doja do të ishte ofendimi i dikujt. Jam kundërshtar i madh i racizmin dhe e fshiva mesazhin porsa e kuptova se mund të interpretohet ndryshe. Dëshiroj të kërkoj falje të sinqertë për këtë gjë”, ka thënë Cavani në një deklaratë.

Në bazë të politikave të reja ndëshkuese, thyerja e rregullave në rrjetet sociale ndëshkohet së paku me tri ndeshje moslojë nga Federata Angleze e Futbollit. Pritet të shihet cili do të jetë vendimi zyrtar.